Ministri Murati tregon se si duhet të kyqet diaspora për zgjedhjet në Kosovë

Diaspora

Ministri Murati tregon se si duhet të kyqet diaspora për zgjedhjet në Kosovë

Më: 31 mars 2017 Në ora: 21:10
Murati

Organizata joqeveritare, Germin, ka organizuar diskutimin virtual në GoogleHangout me temën Zgjedhjet në Kosovë dhe pjesëmarrja e diasporës, për të diskutuar se si mund të kemi një pjesëmarrje më të madhe të diasporës në zgjedhjet e Kosovës. Fokusi i takimit ishte si mund të gjejmë modalitete për ta përfshirë mërgatën shqiptare të votojë në Kosovë. Për këtë, panelistë rekomanduan një mori zgjidhjes që mund të ndikojnë në pjesëmarrjen e diasporës në zgjedhje.

Diaspora sot ka ligjërisht të drejtë të votojë përmes postës, por statistikat nga KQZ tregojnë se më pak se 1500 votuan në zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2014. Gjatë këtij bashkëbisedimi virtual, panelistët diskutuan rreth sfidave dhe mundësive për votim nga jashtë.

Ministri i Diasporës, Valon Murati, u shpreh se pjesëmarrja e diasporës në zgjedhje është një temë e cila vazhdimisht duhet të trajtohet deri sa të gjejmë një zgjidhje optimale. Sipas Ministrit Murati, zgjidhja më e mirë por edhe më e komplikuar që do ta zgjidhte këtë debat, është nëse diaspora përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës përmes ulëseve të rezervuara, por kjo kërkon ndryshime kushtetuese dhe afat më të gjatë kohor. Propozimi tjetër nga z. Murati ishte që të punohet bashkërisht me KQZ-në që problemet teknike të mënjanohen sa më shumë.

Një këndvështrim tjetër kishte deputeti,.Faton Topalli. Sipas tij, janë interesat e dy partive më të madhe politike në Kosovë që mërgata jonë të mos votojë. Andaj, ai propozoi dy zgjidhje se si mund të kemi pjesëmarrje më të madhe të diasporës në zgjedhje: 1) Votimi të jetë online dhe 2) Mundësia që të votohet në ambasadat & konsullatat në vendet ku jetojnë.

Se si mund t’i tërheqim më shumë votuesit nga diaspora, politikania nga Partia Social Demokrate në Zvicër, Adelina Muhaxheri, propozoi që të krijohet një platformë online ku aty mund të informohemi për premtimet zgjedhore dhe planet e partive politike të Kosovës. Sipas saj është me rëndësi që diaspora ta di se çfarë ndikimi ka vota e tyre në Kosovë. Sipas saj, Kosova duhet të krijojë një sistem të votimit online, të cilën mund ta shfrytëzojnë të rinjtë. Ndërsa, Ganimet Bajraktari nga Austria tha se diaspora kërkon që 1)Të ketë një përfaqësues në KQZ 2)Të ketë të rezervuara 10 vende në Parlamentin e Kosovës.

Panelisti Ruben Avxhiu nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës tha se kur shtetet amë ia hapin derën një votuesi nga diaspora, ata nuk po ftojnë një person të cilit duhet t’i mësojnë nga A-ja gjithçka, por, një aktivisti politik. “E drejta për të zgjedhur vjen bashkë me të drejtën për t’u zgjedhur”, tha Avxhiu. Andaj, ai propozoi që kandidimi i diasporës në zgjedhjet e Kosovës, mund të ndikojë që të kemi më shumë votues nga diaspora.

Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi u shpreh se KQZ nuk është akteri kryesor në joshjen e votuesve nga diaspora. Kurse për lehtësimet e votuesve nga jashtë Halimi tha se ende veprohet me rregullativën ligjore e vitit 2008-të, e cila tash e 9 vite s’ka ndryshuar. Ai tha se në një të ardhme afat mesme, vizioni është që të krijohet votimi online nga jashtë.

Germin do të vazhdojë përmes këtij formati ta afrojë zërin e diasporës dhe të gjejë metoda për të avokuar për të drejtat e tyre politike e sociale në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat