Përmbyllja e vitit shkollor, në formën ma të mirë të mundshme!

Diaspora

Përmbyllja e vitit shkollor, në formën ma të mirë të mundshme!

Nga: Beqir M. Cikaqi Më: 12 qershor 2017 Në ora: 16:18
Shkolla Shqipe e Mësimit Plotësues në Treviso

Me moton "Atdhe u vendi më i bukur"  Shkolla Shqipe e Mësimit Plotësues në Treviso e përfundoi vitin shkollor  2016/2017, të shtunën me 10 qershor 2017, gjatë një mbrëmje kulturore të mbajtur në Quinto (lokalitet i Provincës së Trevisos), aty ku edhe zhvillon aktivitetin  njëra nga dy paralelet që ka shkolla shqipe e Trevisos.

Të pranishëm ishin një numër i konsiderueshëm e bashkatdhetarëve tan që jetojnë  këtu, madje edhe autoritete shtetërore të Kosovës, si: zonja  Alma Lama - ambasadore e Republikës Kosovës në Romë me zëvendësin z. Ruzvelt Frokaj, z. Nuhi Gashi - përgjegjës i shkollës shqipe për diasporë nga MASHT i Kosovës , z. Avdyl Lipoveci – drejtori i Departamentit të Arsimit në MeD-in e Kosovës. Nga autoritetet vendore italiane z. Fluvio Pettena – president i Provincës Trevisos, zyrtarët nga prefektura e Quintos të kryesuar nga kryetari z. Mauro Dal Zilio, nga karitasi i Trevisos z. Gianni Zoggia, etj.  Mandej të  pranishëm ishin edhe aktivist të shkollës shqipe nga rajoni si z. Selim Mulliqi nga Pulla e Kroacisë, z. Heset Ahmeti nga  Kopri i Sllovenisë, mësuesit e shkollave shqipe të kësaj pjese të Italisë, të kryesuar nga z. Ragip Thaqi – kryetar i këshillit mësuesve për Italinë veriore, si dhe kryetar e përfaqësues të shoqatave në këtë rajon të Italisë.

Programi artistik filloi me intonimin e himnit Kombëtar Shqiptar, Shtetëror italian dhe shtetit të Kosovës. Këtë program e moderoi  poetja  Miradie Avdullahi, duke i përshëndetur  të pranishmit dhe personalitetet të pranishëm. Në emër të shkollës shqipe përshëndeti z. Bajram Desku- mësues dhe koordinator i shkollës. Pati edhe paraqitje përshëndetëse nga ambasadorja, nga zyrtarët e pranishëm të  MeD-it, MASHT-it, këshillit mësuesve, përfaqësuesve vendor, etj.

Pogrami artistikë ishte kryesisht nga nxënësit e shkollës me poezi, këngë dhe interpretime skenike, ku dalluan: Eleonora Bytyqi( me poezinë GJUHA JONË), Altina Gashi (MËSUESI IM), Hanumshahe Bytyqi (MËSUESI IM), Diellza Haxhiaj(E KA EMRIN ABETARE), Hana Haxhiaj(I DASHUR ATDHE), Betim Cikaqi( MËMËDHEU) dhe Erion Krasniqi(GJUHA SHQIPE). Mandej mesazhi skenik i gjithë aktivitetit ATDHEU VENDI MË I BUKUR, me tekst nga mësuesi i shkollës(B.C.) e të interpretuar nga nxënëset: Erza Kastrati, Ermonda Krasniqi, Dafina Cikaqi, Erona Kastrati dhe kënduar nga Dëfrim Shaqiri, u duartrokit fuqishëm nga të pranishmit. Shumë emocionues, e gjithashtu edhe artistik ishte interpretimi i monologut KUSH JU THA... nga nxënësja e shkollës shqipe Shpresa Gashi.

Këtë mbrëmje artistike  e pasuroi edhe këngëtari i njohur Gjin Shani nga Dukagjini i Shkodrës, që jeton në Provincën e Trevisos, i cili përveç që i argëtonte të pranishmit me zërin e bukur e këngë të zgjedhura, ndihmoi vullnetarisht aktivitetin edhe me aparaturën e zërimit të studios së tij personale, andaj i falënderohen publikisht mësuesit e shkollës. Gjithashtu, që kjo mbrëmje artistike të ketë formën e kompletuar të një aktiviteti kombëtar shqiptar, u kujdes grupi i valleve të Shoqatës ILIRIA-Treviso me gardërobën etnike shqiptare ku interpretuan për mrekulli valle shqiptare. Vlen të theksohet se në këtë grup të valleve marrin pjesë edhe disa nxënëse të shkollës shqipe  Treviso. 

Për kontributin e dhënë në forma të ndryshme për Shkollën Shqipe, koordinatori i Shkollës z. Bajram Desku së bashku me zyrtarin e MeD-it, z. Avdyl Lipoveci ndan Mirënjohje. Ndërsa Certifikatat për nxënësit vijues i ndan mësuesja Malsore Shaqiri dhe zyrtari i MASHT-it z. Nuhi Gashi.

Në fund të programit të rregullt artistik, festa vazhdoi jashtë sallës, aty ku në organizim të prindërve të ndihmuar edhe nga disa afarist shqiptar u organizua një koktej rasti, me pije freskuese dhe specialitete tona gatuara nga familjet shqiptare, gjithashtu edhe specialitete të picave italiane të përgatitur piceritë e pronarëve shqiptar. Për çka meritojnë komplimente të veçanta  prindërit, jo vetëm në organizimin e koktejit por edhe në mbarëvajtjen e gjithë aktivitetit të shkollës.

Të gjithë këtë aktivitet e regjistroi një ekip i  RTK nga emisioni ZERI YNË, në përbërje me z. Mon Beqiri - redaktor dhe z. Zenel Hajrizi - kameraman, ku pritet që të emitohet edhe ne televizionin publikë të Kosovës.

Kështu u përmbyll edhe një vit shkollor, përkundër se Shkolla Shqipe Trevisos, për nga numri i nxënësve është më e fuqishmja në këtë pjesë të Italisë, prapë se prapë vijueshmëria është simbolike në krahasim me numrin e bashkatdhetarëve tan këtu. Ndonëse vijues gjatë këtij viti shkollor ishin edhe katër nxënës italian,të tjerët janë nga Kosova, ndërsa vijues nga Shqipëria(londineze) dhe Ilirida nuk kishte fare edhe pse numri i tyre nuk është i vogël që jetojnë këtu, shpresohet se në vitin tjetër do ndryshojë ky raport duke u krijuar edhe kushte ma të mira për dhomat e mësimit në krahasim me këto që janë duke u shfrytëzuar.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat