Një “thesar” me xhevahire shqiptare në Suedi

Diaspora

Një “thesar” me xhevahire shqiptare në Suedi

Nga: Prof. dr. Nuri Dragoj Më: 14 qershor 2017 Në ora: 09:35
Kopertina e librit

Disa muaj më parë kam patur nderin të jem pjesë e bisedës me dy shkrimtare suedeze, Britta Stenberg dhe Anna Mattsson, që erdhën në Shqipëri të shoqëruar nga shkrimtarët Sokol Demaku e Hamit Gurguri. Dhe përsëri me ndihmën e Zotit, këtë fillim prilli, po na krijohet mundësia që të jemi midis shqiptarëve të nderuar me banim në Suedi, e cila na jep kënaqësi të veçantë. Jemi njohur pak edhe me veprimtarinë e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, si dhe aktivitetet e Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni”, në Suedi, aktivitete të cilat të mbushin me shpresë dhe gëzim, pasi tregojnë që shqiptarët, kudo që janë, po bëjnë gjithçka mundin për të ruajtur gjuhën amtare, kulturën dhe traditat e kombit të tyre. 

Ky takim është rast i mirë për të shkëmbyer mendime, me qëllim që të përfitojmë diçka nga përvoja e njeri-tjetrit. Natyrisht më tepër do të mësojmë ne që vijmë aty nga Shqipëria, pasi banorët e këtij vendi i kanë patur sytë përherë nga Europa. Madje intelektualë të shquarë që kanë jetuar në SHBA, si Faik Konica, Fan S. Noli, Kristo Dako, Kosta Çekrezi e shumë të tjerë, bashkë me Federatën “Vatra”, si dhe shoqatat e patriotëve shqiptarë në Bukuresht, Sofje, Egjypt e gjetkë, kanë dhënë ndihmesë të çmuar për Shpalljen e Pavarësisë dhe ruajtjen e kufijve të Shqipërisë. Pra i kanë kënduar dhe kanë luftuar për Shqipërinë, jashtë kufijve të saj.

Por edhe para ditës së shënuar të Pavarësisë, kështu ka ndodhur. Ishte ndikimi i iluministëve europianë në fund të shekullit të 19-të që zgjoi ndërgjegjen kombëtare te rilindësit shqiptarë dhe i nxiti për të rendur drejt Pavarësisë. I tillë ka qenë themeluesi i filozofisë natyrore moderne Isac Newton, mjeshtri i filozofisë politike John Locke, figura të tjera të shquara të iluminizmit si Leibniz, Kant, Voltaire, Didero, Toland, Clark, Collins etj. Ky iluminizëm ndikoi fuqishëm te brezi i rilindësve shqiptarë, midis të cilëve vëllezërit “Frashëri” luajtën rol me rëndësi në fuqizimin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, ndonëse në metodë dhe mendim qenë romantik. Ata përqafuan romantizmin perspektiv të ushqyer me utopi, një romatizëm që shihte nga e ardhmja, pa lënë mënjanë homazhet për mitin e të parëve. Pikërisht besimi i tyre te idetë iluministe i bënte të besonin te forca e mendimit. Me lagëpamësinë e tyre bënë që veprat e autorëve të shquar të kohës, si “Të mjerët” e Hygoit, “Verterin” e Gëtes, apo “Shah Name-në” perse, t’i bënin pjesë të qytetarëve të Rumelisë, pasi siç ka shkruar studiuesi Shaban Sinani, resortet e qytetërimeve i shihnin si resorte dialogu në dobi të përparimit, resorte të konvergjencës, të bashkëjetesës. 

Nderim për shoqatat shqiptare në Suedi

I përmenda këto radhë për të thënë se shqiptarët mund të japin kontributin e tyre për vendin amë, kudo që të ndodhen. Problemet që shtrohen sot para intelektualëve shqiptarë janë po aq të mëdha sa edhe dje. Gati 150 vjet më parë, çështja e gjuhës shqipe dhe alfabetit të saj, shihej si më kryesori, ndaj përpjekjet e patriotëve çuan në themelimin e Shoqërisë së Shtypshkrimit Shqip në Stamboll, më 13 tetor të vitit 1879, kryetar i së cilës u caktua Sami Frashëri. Më 20 shkurt të vitit 1881, ai i shkruante Jeronim De Radës se këtë herë shqiptarët, mesa duket, “e kuptuan fort mirë që mbretëria nukë do të bënjë gjë kurrë për ta”.

Rol të madh në botimin e gazetave dhe librave, jashtë dhe brenda vendit, kanë luajtur edhe shoqëritë e Bukureshtit, Egjyptit, Sofjes etj. Themi që gjuha ka patur dhe vazhdon të ketë rëndësi për ne shqiptarët, jo vetëm pse kemi qenë të ndarë në 5 shtete, por edhe ngaqë emigrimi i shqiptarëve në këto 27 vite ka bërë që shpërndarja e tyre nëpër botë, të jetë edhe më e madhe. Në këto rrethana, ndihmesa e patriotëve shqiptarë në emigracion për ruajtjen e gjuhës shqipe, është e jashtëzakonshme. Këtë vepër po e bënë mirë edhe Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi. Veprimtaritë e saj, botimet e shumta, aktivitetet e shpeshta letrare e kulturore, i shërbejnë ruajtjes dhe pasurimit të gjuhës shqipe edhe në një vend të largët, siç është Suedia, në raport me vendlindjen e të parëve, me trojet e banuara nga shqiptarët në shekuj.

Për Sami Frashërin, mësimi i gjuhës amtare, përbënte ngutësi për të rifituar kohën e humbur. Shkrimi i saj, krahas të folurës së përditshme, shihej si domosdoshmëri, në të kundërt kombi mund të shuhej. Një gjë të tillë ai e kërkonte jo vetëm për popullsinë që jetonte në trojet shqiptare, por edhe për ata që banonin në shtete ku shumicën e përbënin kombësi të tjera. Në veprën programore, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, Sami Frashëri bëri radiografinë e identitetit kombëtar, si dhe të lindjes e zhvillimit të gjuhësisë botërore. Ai e vlerësonte gjuhën shqipe, si një nga gjuhët më të vjetra të botës, që kishte ardhur deri në ato ditë “e paprishur dhe e pandryshuar”.

Kjo ndodhte sepse të ardhmen e Shqipërisë, ky filozof i shquar shqiptar, e shihte në krijimin e një Republike Demokratike, në të cilën organet e pushtetit të zgjidheshin nga populli. Ai besonte se shqiptarët do të bashkoheshin për të bërë shtetin e tyre, pasi “ne të gjithë jemi vëllezër, një trup, një mendje, një qëllim, një fe”. Për të nuk kishte rëndësi besimi. E rëndësishme ishte që të gjithë shqiptarët të besonin te Shqipëria dhe të derdhnin gjithë dashurinë për të. Ndaj rilindësit nuk e kursyen pasurinë e tyre për të bërë Shqipërinë. Kështu vepruan edhe shqiptarët e Amerikës, duke dhënë shuma të mëdha financiare me anë të Federatës “Vatra”, siç japin sot shqiptarët me banim në Suedi, por edhe gjetkë, për botimin e librave dhe gazetave në gjuhën shqipe, apo për aktivitetet kulturore që zhvillojnë. Nuk do të mungojnë këngët as për emigrantët e sotëm në Suedi dhe gjetkë, që heqin nga djersa e tyre përditë nga 5 dollarë, për të mirën e Shqipërisë. Do të këndohet edhe për ta, siç këndohej atëherë për Abdyl Frashërin:   Ç’u përpoq i varëfri, / Dhjet herë në Frëngji, / Prishi një torbë flori / Ç’u përpoq për Shqipëri, / U përpoqe Bej për ne, / Me mend dhe me hazine…

Le të qëndrojmë pak te Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, me kryetar zotin Hysen Ibrahimi. Mbajtja e këtij emri prej saj është nderim jo vetëm për papën e shquar me origjinë nga Laçi i Shqipërisë, por edhe për vetë lidhjen e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë në Suedi. Tashmë është e njohur që familja Albani është larguar nga Shqipëria në kohën e Skënderbeut, kur dy përfaqësues të saj u dërguan me detyrë diplomatike te Duka i Urbinos. Dihet njëkohësisht që Papa Klementi XI ka luajtur rol me rëndësi për bashkëjetësën e besimeve të krishtera në gjysmën e dytë të shekullit e 17 dhe fillimin e shekullit 18, ka ndikuar pozitivisht për njohjen e të drejtave të besimit në dobi të arbëreshëve të Italisë, mbështeti mbajtjen e Kuvendit të Arbërit më 14 janar 1703, në Mërçi të Lezhës, botoi Aktet e tij në shqip e latinisht, i dha fund Jansenizmit me anë të demit të famshëm Unigenitus, pa lenë mënjanë ndihmesën e vetë në përhapjen e gjuhës e të kulturës në trojet shqiptare. Papa Klementi XI, jo vetëm që nuk e mohoi për asnjë çast qenien e tij shqiptar, por bëri përpjekje edhe për bashkimin e tyre.

Këto rreshta i shkruajta, jo thjeshtë për veprën e madhe të Papa Klementit XI, por në nderim të shoqatës së shkrimtarëve shqiptar në Suedi, e cila krahas veprave të publikuara zhvillon një sërë aktivitetesh, në të cilat marrin pjesë krijues nga Suedia dhe vende të tjera. Në këto takime ata shkëmbejnë mendime midis tyre, gjallojnë gjuhën shqipe, u japin jetë traditave dhe zakoneve tona të shkëlqyera, njihen me përvojën e njeri-tjetrit, hartojnë programe për të nësermen, përmirësojnë cilësinë e punës së tyre, pasurojnë tematikën në fushën e krijimtarisë, mbajnë lart flamurin shqiptar dhe e bëjnë Shqipërinë të njohur në Suedi e më gjerë, duke paraqitur para suedezëve anët më pozitive të saj.

Botimi me vlerë i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” Suedi, (SHSHASHS), titulluar “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”, ku janë publikuar një numër i madh me dokumente, artikuj e intervista, flet qartë për ndjenjën e përgjegjësisë që ka vetë kryesia e shoqatës, por dhe gjithë anëtarësia e saj. Botimi në faqet e këtij libri, të krijimeve që lidhen me jetën në komunitetin e shqiptarëve në Suedi, në Shqipërinë e tyre të dytë, si dhe shkrime e krijime për atdheun amë, perspektivën e kombit shqiptar, pasurimin e historisë së tij, janë hapa të guximshëm dhe mbi të gjitha me interes të madh për kulturën kombëtare dhe edukimin e brezit të ri. Ajo që tërheq më shumë vëmendjen është mënyra se si punohet prej shoqatës dhe drejtuesve të saj. Kolegjialiteti në marrjen e vendimeve, përgatitja e shkrimeve me grupe pune, gjë që ndikon në rritjen e cilësisë së botimit, forcohet ndjenja e përgjegjësisë dhe bashkë me të edhe uniteti në radhët e SHSHASHS. Janë mbi 30 grupe pune, të cilët punojnë dhe veprojnë në mënyrë kolektive, shembull ky që duhet të bëhet i njohur edhe për grupime të tjera shoqatash, apo komunitete emigrantësh që jetojnë në shtete të ndryshme, pjesë e Komunitetit Europian e më gjerë. Puna në grup shmang egoizmin, intrigat, mëritë, forcon ndërgjegjen, rrit besimin te shoku dhe garanton jetëgjatësinë e shoqatës. “Thesari Kombëtar”, përbën një thësar të vërtetë, plote xhevahire, që do ta pasurojnë edhe më shumë arkivën e kujtesës kombëtare shqiptare.

Bashkëpunimi i shoqatës me median e shkruar dhe atë elektronike, gazeta ditore, stacione të radios dhe televizionit në Kosovë e Shqipëri, bënë që SHSHASHS të njihet jo vetëm prej shkrimtarëve të Suedisë, por nga gjithë shqiptarët, kudo që punojnë e jetojnë. Nga ana tjetër, përkthimi i librave të shkruara prej anëtarëve të SHSHASHS në disa gjuhë të huaja, si anglisht, suedisht, rumanisht, sllavisht etj., bënë që krijimet e tyre të njihen edhe nga studiues e shkrimtarë të huajë, pasi në këtë mënyrë ata mësojnë diçka nga historia, kultura, traditat dhe zakonet e popullit shqiptar.

Befasuese është shpërndarja e librit në bibliotekat qendrore të disa vendeve, si në Bruksel, Zyrih, Shtutgard, Stockholm, Oslo, Helsinki, SHBA, Londër, Bukuresht, Tiranë, Prishtinë, Shkup. Vetëm në Suedi, librat janë bërë pjesë e fondit në 287 biblioteka. Ky process ka siguri të vazhdoj e zgjerohet më tej, pasi në të ardhmen shoqata synon ta shpërndajë librin edhe në kryeqendra të tjera europiane. Kjo punë kolosale mund të bëhet vetëm nga institucione serioze dhe drejtues të tyre të përgjegjshëm e punëtor, të cilëve u rreh fort zemra për atdheun, që shqetësohen për fatet e tij, por që ushqejnë dashuri të madhe për çdo shqiptar në veçanti, kudo që punon e jeton.

Puna 6 vjeçare e shoqatës, përpjekjet e saj për t’i bashkuar gjithë shkrimtarët, artistët dhe krijuesit që jetojnë dhe veprojnë në Suedi, për t’u bërë pjesë e odës së përbashkët letrare, me siguri që do ta lehtësojë veprimtarinë e mëtejshme dhe do ta bëjë më të suksesshme e më institucionale. Aty përjetësohet historia dhe trashëgimia e pasur e vlerave tuaja të patjetërsueshme atdhetare. Përpjekjet e shoqatës për të mbajtur lart vlerat e indetitetit kombëtar kanë lenë e vazhdojnë të lenë gjurmë të pashlyeshme, pasi veprimtaritë e organizuara me karakter letrar e kulturor, herë pas here kanë patur karakter kombëtar, historik dhe shkencor. Një fakt i tillë tregon njëkohësisht dhe performancën e lartë të shoqatës, në organizim dhe drejtim.

Veprimtaritë e SHSHASHS kryehen në mënyrë vullnetare. Nuk duhet harruar se, të shkruash dhe të flasësh për të vërtetën rreth arritjeve të njerëzve të vendit tënd në fushën e letrave, atë historike, kulturore a folklorike, kërkohet kohë e madhe në dispozicion dhe forcë mendore, fizike, krijuese dhe financiare. Promovimi i vlerave njerëzore të zakoneve dhe traditave shqiptare, i trimërisë, besnikërisë, bujarisë dhe mikpritjes, tregon për punën dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të shoqatës, në të mirë të kulturës kombëtare, të kultivimit të traditave dhe vlerave historike e kulturore të kombit shqiptar.

Krahas punës që bëjnë shqiptarët në Suedi, kemi edhe shembuj të tjerë pozitiv nga shqiptarët me banim në Greqi, ku presioni nga shteti Helen, për të ndaluar zhvillimin e veprimtarive atdhetare që ata organizojnë, është i madh. Edhe në Itali shqiptarët bëjnë jetë të gjallë artistike dhe kulturore, por e njëjta gjë ndodh në Francë, SHBA, Kanada e deri në Australi.     

Po këto fjalë dëshiroj të them edhe për Qendrën Kulturore Shqiptare “Migjeni”, e cila mban emrin e poetit të shquar shqiptar të viteve ’30 të shekullit të kaluar, Millosh Gjergj Nikolla, ka bërë që të ketë një copë Shqipërie edhe në Suedi. Migjeni ishte njeri i ditur dhe luftoi me gjithë forcën e vetë për paqen sociale, pasi nuk mund të pajtohej me hendekun e madh që ishte krijuar midis të pasurve dhe të varfërve. Ai e pranonte diferencimin klasor, por nuk pranonte indiferencën e të ngopurve ndaj të uriturve, pasi e donte Shqipërinë dhe luftonte që banorët e saj të jetonin si në gjithë Europën, të paktën të mos vuanin urije. Por edhe babai i tij, Gjergji, shquhej për ndjenjën atdhetare, pasi ishte për sovranitetin e vendit, pavarësinë e besimit fetar, të cilën e tregoi me vepra duke qenë delegat në Kongresin e Kishës Ortodokse, zhvilluar në Berat në vitin 1922, kuvend i cili kërkonte mos varësinë e kishës shqiptare nga Patrikana e Stambollit.

Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni”, në këto 10 vite, ka bërë një punë të mrekullueshme sepse ka zhvilluar aktivitete të shumta e të larmishme, duke e mbajtur të freskët Shqipërinë tonë në Suedi. Në këtë mënyrë jeta e shqiptarëve që banojnë aty, bëhet më aktive dhe më e gëzuar. Nuk ka dyshim që veprimtaritë e kryera nga kjo qendër, e cila drejtohet nga njeriu i mirë, shqiptari me zemër dhe punëtori i palodhur Sokol Demaku, janë të përmasave të mëdha dhe kontributi që japin anëtarët e saj është e vështirë të përshkruhet me fjalë. Por sikur edhe vetëm emri i Migjenit, që bulon në sallat, zyrat dhe rrugët e qytetit të nderuar Borås, ku ju punoni e jetoni, nuk është pak. Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni” promovon kulturën kombëtare shqiptare në Suedi, e përcjellë atë te fëmijët tanë me qëllim që indentiteti kombëtar të vijë duke u forcuar dhe ta bëjë krenar brezin e ri për qenien shqiptar. Ajo mban të gjallë emrin e poetit tonë të mrekullueshëm, të gjysmës së parë të shekullit XX, vepra e të cilit është e pavdekshme. Për të gjitha këto, shqiptarët e anëtarësuar pranë saj, meritojnë shumë falënderime, pasi janë burim frymëzimi për të gjithë ne. Veprimtaritë e organizuara prej tyre janë apel për shqiptarët kudo që punojnë e jetojnë, pasi e kanë për detyrë që, sipas mundësive, të bëjnë diçka të mirë për kulturën apo historinë e Shqipërisë sonë të shumëvuajtur, por krenare, të raskapitur në shekuj, por shpresëdhënëse për të nesërmen, për gjuhën dhe kulturën e saj të lashtë, e cila për fat të keq njihet pak, madje në disa raste është përvetësuar nga të tjerë.

Busulla jonë, idetë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare

Është mjaft mbresëlënës fakti që Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, e ka thelluar më tej veprimtarinë e saj, duke u ngritur në një stad më të lartë, pasi po merret edhe me studime shkencore. Organizimi i 4 sesioneve shkencore brenda 5 viteve, është një punë gjigante dhe dobiprurëse. Trajtimi i temave me peshë kombëtare si: “Roli i mërgatës shqiptare për pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe çështjes kombëtare shqiptare”,  apo “Roli i mërgatës shqiptare në ruajtjen e gjuhës dhe traditës shqiptare”, kërkon që sudiuesit e SHSHASHS të punojnë me muaj të tërë, të gërmojnë në arkiva dhe të shfletojnë mijëra faqe nga botime të ndryshme, për të qenë sa më afër të vërtetës historike.

Njohja e të kaluarës historike të kombit shqiptar, analiza shkencore e ngjarjeve nga akademikët përkatës, do të na shërbente për t’u orinetuar më mirë në mbrojtje të interesave kombëtare por dhe në hartimin e politikave të nevojshme në dobi të përparimit ekonomik e social të shoqërisë shqiptare. Dhe kjo nuk mund të bëhet pa patur çdo ditë në tavolinë dhe në mendje programin e Rilindjes Kombëtare, e cila lidhet ngushtësisht me Pavarësinë dhe të ardhmen. Të heqësh dorë nga vlerësimi i rilindësve do të thotë të shuash kujtesën historike, të shkulësh rrënjët e të vërtetës por edhe të vetë kombit.

Sami Frashëri e shtjelloi gjërësisht rrugën që duhej ndjekur për të ardhmen e popullit të vet, ku nënvizonte se shqiptarët dallonin nga turqit, pasi kishin indetitetin e tyre kombëtar të formuar në mijëravjeçar, e mbi të gjitha, sepse ishin një popull europian. Dhe siç shkruante ai, ne shqiptarët “jemi m’i vjetri komb i Europës; kemi të drejtë në dhet’ t’Europës më tepër se çdo komb”.  Pra ai bëri gjithçka për të bindur bashkëkombasit se e vetmja rrugë për të shmangur rrezikun e copëtimit të kombit ishte shkëputja nga Perandoria Osmane dhe krijimi i shtetit të pavarur. Samiu e dinte që do të përballeshin me vështirësi të mëdha, pasi te shqiptarët ende nuk qe krijuar bindja mbi domosdoshmërinë e shkëputjes së Shqipërisë nga Perandoria.

Rilindja Kombëtare Shqiptare qe një lëvizje patriotike dhe idealiste që ndriçoi në mënyrë autentike faktet historike të gjysmës së dytë të shekullit të 19-të. Naim Frashëri tregoi se krahas një poeti të madh me vlera kombëtare, ishte njëkohësisht politikan largpamës, tek këshillonte që me fqinjët duhej të kishim përherë marrëdhënie të mira, duke respektuar të drejtën e secilit. Vjershat e tij sollën në letërsinë shqipe një pastërti gjuhe dhe frymë të re në përmbajtje. Ato u bënë frymëzim i madh patriotik për mijëra shqiptarë, të cilët me të drejtë e quajtën Naimin “bilbili i gjuhës shqipe” apo “poet kombëtar”. Naimi ruajti gjuhën shqipe jo vetëm për shqiptarët, por për krejt botën, si gjuhë mëmë e gjuhëve të tjera. Naimi u bë poeti i kërkesave kombëtare shqiptare, por si pasojë e shtypjes turke dhe përndjekjes nga ana e Patrikanës greke, u pengua lulëzimi saj. E njejta gjë duhet thënë për Gjergj Fishtën dhe dhjetra shkrimtarë e poetë të tjerë.  Por sulltan Abdyl Hamiti i ndaloi gjithë botimet në gjuhën shqipe dhe mbylli shkollat, të cilat mundën të hapeshin vetëm pas kryengritjeve shqiptare të viteve 1911-1912.

Prandaj themi që shoqëria shqiptare e ditëve tona duhet t’i hedhi sytë nga vepra që na kanë lënë rilindësit e fundit të shekullit të 19 dhe fillim shekullit të 20-të. Për të ndërtuar të ardhmen e kombit shqiptar, ende është e nevojshme të kemi si udhërrëfyese filozofinë e përcjellë prej tyre, pasi idetë dhe programi që ata shpalosën, nuk ishin të vlefshme vetëm për Pavarësinë e Shqipërisë, por edhe për rrugën e gjatë të zhvillimit dhe përparimit të saj, për të qenë përkrah vendeve të zhvilluara europiane.

Kuptohet lehtësisht që ne shqiptarëve nga mungon shpesh herë orientimi, strategjia dhe taktikat e nevojshme për përmbushjen e qëllimit, ndaj këtij brezi i takon të sjellë ndryshimin. Nëse sistemi i diktaturës së proletariatit i censuroi hartuesit e programit të madh për bërjen e kombit, nuk e njohu dhe nuk e vlerësoi si duhet Rilindjen Kombëtare, sepse deformoi historinë për shkaqe ideologjike, ne duhet të bëjmë të kundërtën. Atëherë u godit ajka e përparimit të shoqërisë edhe për faktin se ishte për bashkimin kombëtar, sepse zhvillimin dhe të ardhmen e shihte me vështrim nga perëndimi. Madje edhe Naim Frashëri, në një farë mënyre, u “persekutua” në mungesë për shkak të idesë, sipas së cilës, Shqipëria duhej t’i mbante sytë nga Perëndimi. Poeti ynë i shquar u lind në Frashër, u shkollua në Janinë, u mbrujt me kulturë greke e osmane, por asnjëherë nuk i njëhësoi idetë e veta me mendësitë perandorake, pasi kur shkruante, krahas apelit që u bënte shqiptarëve, shtronte dhe rrugën për nga duhet të ecnim. Ai i drejtohej dritës së bekuar “që lind nga perëndon”, e cila kishte hedhur dritën e saj anë e mbanë botës, ndaj shqiptari i madh i lutej atij ndriçimi qiellor, që të mos e harronte vendin e tij.

Ky mendim filozofik i Naimit, me vështrim nga perëndimi, nuk lindi në vitet që ai jetoi, përkundrazi ka qenë filozofi i gjithë shqiptarëve të shquar. Skënderbeu punoi për ta mbajtur vendin të bashkuar politikisht, por luftoi edhe për të mbrojtur ndërgjegjen e eurokrishtërimit modern, pjesë e të cilit të qenë edhe shqiptarët. Për këtë shkak, porofesori i krishtërimit antik në universitetin e Barit, Giorgio Otranto, shkruante se luftëtari dhe politikani i madh shqiptar i shekullit të XV, ka patur ide e projekt të ndritur modern, për të cilin “Europa është ende debitore ndaj Skënderbeut dhe Shqipërisë”.

Në Shqipërinë e viteve 1990, gjeje plotë shtetas të këtij vendi që vazhdonin të mbronin me fanatizëm marksizëm-leninizmin e groposur nga vetë koha. Veprimet e tyre të kujtonin vargjet e Naim Frashërit “Manushaqe bukuroshe, pse s’ngre kryet përpjetë, / Po rri e mpitë dhe e qetë… Pa shiko lulet’ e tjera, / Q’u çel’ e u lulëzuan….”, vargje të cilat janë aktuale edhe sot. Dhe në këtë 166 vjetor të lindjes së poetit kombëtar, e vlen të kujtojmë nevojën që ka shoqëria civile për idetë e Rlinidjes Kombëtare, që t’i kemi busull orientuese, nëse dëshirojmë ta bëjmë Shqipërinë. Këto ide, jo vetëm t’i përvetësojmë vetë, por t’ua imponojmë edhe atyre shqiptarëve që marrin përsipër të menaxhojnë punët e shtetit. Nëse menaxhimi nuk i shërben popullit dhe brezave, ata nuk duhen lejuar të kryejnë punë të tilla.

Jo përulje ndaj të huajës

Historinë e kanë bërë gjithmonë njerëzit e ditur, por edhe të pasurit. Të parët me anë të mendjes dhe të dytët me mbështetje financiare. Kur përputhen të dyja këto anë të medaljes, është mrekulli. Burra të tillë kanë përfaqësuar kombin në përballje me qarqe dhe politika dashakaqe për Shqipërinë, kanë nxitur dhe frymëzuar atdhedashurinë dhe kanë punuar për çlirimin e njerëzve nga prangat e varësisë. Të tillë ka patur në çdo kohë dhe në çdo vend, por shtetet e vogla ndjejnë një farë përulje ndaj të mëdhenjëve. Më duket se në Suedi ndodh ndryshe. Intelektualët shqiptarë ndihen të lirë dhe ata mund të shpalosin vlerat e tyre më me lehtësi. Ndjenja e të qenit të barabartë, reciprociteti me të tjerët, e bënë njeriun më krenar, pasi ndihet i lirë dhe të shfaq pa droje atë çfarë mendon. 

Vite më parë bisedoja me një gazetar të njohur grek. E quanin Jorgos Krifos. Ishte mjaft komunikues, me kulturë të gjerë dhe ndjente një farë keqardhjeje, njëkohësisht edhe dhimbje, kur shihte që intelektualë të shumtë shqiptarë bënin punë të rëndomta, në një kohë që energjitë e tyre mendore e fizike mund t’i shpenzonin për vendin e tyre. Mund të ishte me origjinë arvanitase, por nuk e pohoi një gjë të tillë asnjëherë. Flisnim për historinë, për luftërat, për kohën e demokracisë. Herë komunikonim me një greqishte të çalë timen dhe herë frëngjisht, të cilën e kuptonim nga pak të dy.

Në një moment i thashë se populli grek ka nxjerrë njerëz të mëdhenj qysh në lashtësi dhe fillova t’i recitoj disa vargje nga Homeri. Po i flisja për tragjeditë greke, për Eskilin, Odisenë, për perënditë e Olimpit... Jorgua më ndërpreu, duke më pyetur: Mendon se populli shqiptar nuk ka nxjerrë burra të ditur? Duke mos më lënë kohë të përgjigjem, shtoi menjëherë: Të gjithë popujt kanë njerëzit e tyre të ditur, njerëz të zotë. Edhe nëse një komb shkëlqen një periudhë të caktuar, tjetri shndrin më vonë. Shqipëria ka “prodhuar” shumë burra të mençur e trima. Dhe më renditi disa emra që nga koha e Skënderbeut, trima që kanë bërë epokë në perandorinë osmane dhe të tjerë që sot njihen si heronjë kombëtar të Greqisë. Dhe më tej hodhi dyshimin për kombësinë e Homerit. “Askush nuk e di se çfarë ka qenë Homeri, grek, shqiptar, apo në gjenezën e atësisë së të dy popujve”, - tha ai. Jorgua fliste sikur të ishte një shqiptar i mirë.

-Ne popujt e vegjël ndihemi të shtypur, paksa të gjunjëzuar, me sytë nga të mëdhenjtë. Ju më shumë dhe ne më pak, por të gjithë ballkanasit, në një farë mase janë të gjunjëzuar, - mbylli bisedën gazetari grek.

Citimin e këtij dialogu të shkurtër e tregova për të thënë se trysnia që kanë ushtruar shtetet fqinje ndaj Shqipërisë, vendimet e marra nga Fuqitë e Mëdha në momente të caktuara historike, kanë bërë që t’i kthejmë sytë nga ata, duam apo nuk duam. Edith Durham, në librin “Brenga e Ballkanasve” thotë diku se gjatë udhëtimit të saj nëpër nëpër Shqipëri, në fillim të shekullit XX, kishte venë re se shoqëruesit e shihnin si perëndi, sikur ajo të kishte diçka në dorë për të rregulluar punët brenda Shqipërisë. Edhe generali anglez Jocelyn Percey, i dërguar për formimin e xhandarmërisë shqiptare në kohën e mbretërimit të Ahmet Zogut, shkruante se ai me shokët e vetë anglezë, nuk kishin asnjë lloj pushteti, por shqiptarët i shihnin me adhurim dhe besonin se ata mund të bënin gjithçka, se ishin të gjithëpushtetshëm në Shqipëri. Pak a shumë, këtë tablo na japin dhe dy anglezët,  Jan dhe Cora Gordon, të cilët kanë vizituar Shqipërinë në gjysmën e parë të shekullit të 20-të, duke i përshkruar njerëzit dhe zhvillimin në tërësi, të njëjtë me atë të provincave angleze në dekadat e para të shekullit të 19-të. Ata shkruajnë fjalë të mira për shqiptarët, pasi janë njerëz të dashur dhe mikpritës, njëlloi siç shkruan Gëtja te “Vilhelm Majsteri”, që jep nuanca të njeriut prej soji të mirë. Udhëtarët e huajë e shihnin Shqipërinë të përbërë nga fshatarësia, e cila nuk mendonte për gjë tjetër, veçse për mirëqënie personale, dëshironte që qeveria ta linte të qetë, të mos paguante taksa dhe të dërgonin djemtë në emigracion. Nga ana tjetër, politikanët konservatorë kërkonin të ruanin privilegjet e tyre të vjetra, sepse e donin pushtetin për të nxjerrë përfitime dhe për të bërë sa më shumë abuzime me të, sipas stilit të mirë oriental. Kurse politikanët progresivë dëshironin ta hiqnin qafe aristokracinë e vjetër dhe ta modelonin vendin sa më afër parimeve amerikane, por jo pa shartime. Por kjo i përketë të shkuarës. Tani jetojmë kohë të reja. Ndonëse përulja ndaj të huajës vazhdon thuajse me të njëjtin ritëm.

Shqipërisë duhet t’i dalin për zot shqiptarët

Gjatë zhvillimit të punimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, 17 dhjetor 1912-korrik 1913, kufijtë e Shqipërisë u coptuan për të plotësuar oreksin e fqinjëve. Gjergj Fishta më 22 qershor 1913, vendosi të ngrinte flamurin kuq e zi në Shkodër, i cili kishte kohë që ishte ulur. I këtij mendimi qenë dhe shokë e miq të tij, ndaj me këtë rast Fishta shkruajti vjershën e titulluar: “Hymni i Flamurit”. Ja disa nga vargjet: Porsi fleta e Ejllit* t’Zotit/ Po rreh flamuri i Shqypnis’, E thrret t’bijt e Kastriotit/ Me u mbledhë tok ndër çetë t’ushtris’?Bini, toskë, ju, bini gegë!/ Si dy rrfé, qi shkojn tue djegë!/ A ngadhnjyesë a t’gjith dëshmorë?/ Trima mbrendë! Me dorë! Me dorë. Dhe në fund himni mbyllej me vargjet: Urra! Djelm, eh u’, u dhashtë e mbara!/ Sod a kurr me dekë për Atdhe!/ Flamuri i ynë, qe, u nis përpara:/ Ndihmo Zot, për atme e Fe!..

Në këtë mënyrë, njeriu që kishte drejtuar grupin e gjuhëtarëve shqiptarë për caktimin e alfabetit të shqipes në Kongresin e Manastirit, vazhdonte qëndresën dhe fisnikërinë e tij stoike edhe pas bombardimeve të artilerive serbe e malazeze. Kjo valë qëndrese tregoi se trimat dhe patriotët e Shqipërisë, nga Veriu në jug, brenda apo jashtë kufijve, nuk u kursyen asnjëherë për të mbështetur lirinë e tokës mëmë. Madje duke mos kursyer as gjakun e tyre. Por, pak muaj më vonë ai u gjend krejtësisht i hidhëruar kur mësoi vendimet anakronike të Konferencës së Londrës. Zemërimi do të bënte që Fishta të shpërthente me një frymëzim brilant ndaj asaj konference, duke mos kursyer fyerjet e merituara. Te vjersha “Çohi, të dekun”, ai shprehet:

Shqiptarë, a ndjet? Europa, mrrutë e ndyt’*; / Shkërdhye me Evrej t’Parisit e t’Londonit, / Së cilës dreqi ia plasi të dy syt’ / E marren më s’e sheh, njitash n’e s’vonit.** / E bani gjyq, qi t’nipat e Kastriotit / Shkjevet t’Ballkanit urë t’u rrijn mbas sodit. Ndërsa në strofën e parafundit të kësaj vjershe, Fishta shpërthen me fjalët: E n’kjoftë se lypet prej s’hyjnueshmes Mni,/ Që flije të bëhet ndi shqiptar m’therore/ Qe mue tek m’kini merrni e m’bani fli/ Për Shqyptari me shue çdo mni mizore/ Oh, edhe pa mue Shqipnia kjoftë e rrnoftë /E nam i saj për jetë u trashëgoftë!.

Për padrejtësinë që i bëhej Shqipërisë ishin të ndërgjegjshëm dhe organizatorët e saj. Kreu i Konferencës së Ambasadorëve të Londrës, Edward Grey, detyrohej të pohonte se vendimi që merrej në atë konferencë, mbase nuk qe i drejtë, por nëse pazari i bërë do të qetësonte marrëdhëniet midis Fuqive të Mëdha dhe shmangte luftën midis tyre, atëherë ndarja e Shqipërisë midis fqinjëve ishte e justifikuar. Ai paralajmëroi në këtë mënyrë se për shkak të kësaj padrejtësie, Europa do të vuante vrasjen e ndërgjegjes së vet, gjersa padrejtësia një ditë të korrigjohej. Kjo deklaratë e kreut të Konferencës së Londrës tregon më së miri, se vetë konstruktorët e dikurshëm europianë të kasaphanës e bënin gjumin të shqetësuar, për shkak të krimit të kryer në kurriz të shqiptarëve, përmasat e të cilit nuk kishin njësi matëse. Por tani që u rrëzua padrejtësia, shqiptarët kanë të drejtë t’i japin përmasa reale ëndrrës së tyre.

Dhe në këtë orë mbarësie për kombin tonë, një mirënjohje e përjetshme u takon kolosëve të mëdhenj të politikës botërore, gjatë shekullit të kaluar dhe fillimit të shekullit të ri. I pari është Presidenti i SHBA-ve, Willson, vepra e të cilit është ngulitur në mendjen e çdo shqiptari. Pas tij mund të përmendim Presidentin Bill Klinton, emrin e të cilit e mban sot njëri prej shesheve kryesore të Prishtinës. Ndërsa i treti është kryeministri anglez, Toni Bler, i cili gjatë periudhës së luftës në Kosovë, vizitoi Shqipërinë për të parë nga afër kosovarët e viktimizuar e të dëbuar nga makineria genocidale serbe. Më 4 maj 1999 ai u shpreh: “Kosova nuk përfaqëson një konflikt të ditëve moderne, por një kujtesë të ngjarjeve më të hidhura të shekullit XX”. Ndërsa ministri i Jashtëm i kabinetit të tij, pohoi se ishte njohur me dokumentacionin e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës 1912-1913, me vendimet e saj, dhe arrinte në përfundimin që ai vendim ishte produkt i rrethanave historike. Parlamenti anglez i kësaj kohe duhej t’u jepte fund padrejtësive historike që u kryen në fillimin e shekullit 20-të. Dhe së fundi, është Xhorxh W. Bush, i cili bëri të pamundurën për t’i dhënë pavarësinë Kosovës dhe integrimin e Shqipërisë në NATO. Gjatë vizitës së tij në Tiranë, në vitin 2007, ai deklaroi prerë se “pavarësia e Kosovës është në rrugë të pakthyeshme”. Ndërsa Toni Bler theksoi se “Shqipëria ka po aq vend në këtë Europë sa dhe Britania dhe se do të bëj gjithçka mundem për ta bërë Europën një realitet”. Dhe Shqipëria u bë anëtare e NATO-s.

Pra miqtë e Shqipërisë nuk kanë munguar. Ne i dimë cilët janë, ndaj dhe u shprehim mirënjohje misionarëve të lirisë së Shqipërisë! Faleminderit përjetë zoti Klinton, zoti Bler, zoti Bush! Faleminderit të gjithë atyre që ndihmojnë popullin shqiptar! Natyrisht, ky reflektim i politikanëve europianë, ndikoi në lehtësimin e zbatimit në praktikë të politkës amerikane, për t’u dhënë të drejtën e vetvendosjes popujve të vegjël, ndarë padrejtësisht në momente të caktuara të historisë. 

Mbështetja e jashtme mjafton me kaq. Kombit shqiptar i është hapur drita jeshile, për të ecur më tej në rrugën e zhvillimit, përparimit dhe bashkimit të tij, por na duhet të punojmë më shumë vetë dhe ta meritojmë hapin e hedhur nga Fuqitë e Mëdha. Në radhë të parë kërkohet ndërgjegjësimi ynë, sepse ende kur dikush trajton çështje të interesit kombëtar, etiketohet “nacionalist”. Në fakt, të mbrosh interesat kombëtare nuk do të thotë që je “nacionalist”, por patriot që e do vendin tend. Atdheu, pa dashurinë e njerëzve që e popullojnë, nuk mund të mbijetojë. Në vendet fqinje vështirë të gjeshë politikanë që të mos bashkohen kur diskutohen çështje madhore të kombit të tyre. Te ne ndodh shpesh që të mbahen sytë nga përfaqësuesit e trupit diplomatik, çfarë thotë njëri ambasador e çfarë mendimi shpreh tjetri, si e gjykojnë ata një sjellje politike apo një tjetër, duke harruar që diplomatët në fjalë, nuk janë këtu për të zgjidhur problemet e shqiptarëve, por në radhë të parë për të mbrojtur interesat e kombit të tyre, të aleancave të veta, mbase dhe ta drejtojnë ujin në mullirin ku u pëlqen të bluajnë.

Shpresa e Shqipërisë janë brezi i ri që po rritet në Shqipëri dhe jashtë saj, janë të shkolluarit në Perëndim, në universitete të njohura ku fitojnë njohuri të mjaftueshme për të qënë shtysë e fuqishme në zhvillimin ekonomik e social. Intelektualët shqiptarë, kudo që të jenë, me penën e mendjen e tyre, nevojitet t’u ushqejnë të rinjëve dashurinë për atdheun, t’u kultivojnë dëshirën për t’u rikthyer në vendin amë dhe të japin ndihmesën e tyre për zhvillimin e demokracisë dhe përparimin ekonomik. Këtë bënë praktikisht Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” apo Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni”, në Suedi. Kështu duhet të veprojnë edhe simotrat e tyre në vendet e tjera. Të mos harrojmë që shqiptarët kanë brenda vetes kapacitete të jashtëzakonshme, jo vetëm për kombin e tyre, por t’u huajnë edhe të tjerëve.

H. N. Brailsford, në vitin 1906, u kundërvihej grupimeve keqdashëse në shtete të ndryshme të Europës, të cilët këmbëngulnin në teorinë e tyre se shqiptarët nuk bëjnë dot shtet. Brailsford u tregonte që ky popull ka nxjerrë në çdo kohë figura të mëdha historike e politike, burra shteti, gjeneralë e admiralë, diplomatë dhe njerëz të shkencës. Ai përmendte vëllezërit Qypërllinj që sunduan Turqinë gjatë shekullit të 17-të, 33 kryeministra në qeveritë e Perandorisë Osmane, filozof si Namik Qemali, admiralin Miaulis, Marko Boçari, Odisea Andrucos, Francesko Krispi. Më tej kalonte te kontributet më të hershme ndaj Romës, të dhëna nga shqiptarë si Diokleciani, organizatori i madh i Perandorisë Romake, Konstandini i Madh, përkthyesi i shkrimeve të shenjta, Shën Jeronimi, filozof Juliani që u përpoq të ringjallte faljen ndaj zotave pellazgë të vendlindjes së vetë në kryeqytetin e ri të Perandorisë Romake, Konstandinopojë. Një popull që i ka dhënë kaq shumë emra historisë botërore, patjetër që do të nxjerrë të tillë edhe për nevojat e veta kombëtare.

Mungesa e zhvillimit të Shqipërisë ka shumë shkaqe. Nëse shteti suedez i ka kaluar të gjitha fazat e zhvillimit njera pas tjetrës, madje kapërcimet i ka bërë pas maturimit për secilën fazë, Shqipëria kaloi nga sistemi feudal në atë komunist, duke kapërcyer padrejtësisht sistemin capitalist, i cili nxit ambicjen për zhvillim, rrit konkurencën, nxjerr në pahë mendjet e ndritura dhe përmirëson ekonominë. Nuk mund t’i kërkosh pjekurinë e duhur një njeriu 25-27 vjeçar, aq vite sa jemi në demokraci, pavarësisht se kemi 87 vjet me shtet të administruar nga vetë shqiptarët, apo që pretendojmë 105 vite pavarësi.

Me penën e tyre, shkrimtarët e kanë për detyrë të krijojnë ambjent mbytës për korrupsionin që shihet si plagë e dhimbshme në gjithë botën, ndonëse në vendet me demokraci të pakonsoliduar problemet janë më të shprehura. Korrupsioni justifikohet me shprehjen “është lubrifikant i shoqërisë kapitaliste” dhe se gjoja pa praninë e tij “nuk mund të vihet në lëvizje sistemi”. Mirëpo nëse nuk e denoncojmë me seriozitet korrupsionin dhe krimin, nese heshtim para gjithë kësaj katrahure, nuk bëjmë gjë tjetër veçse i hapim rrugën të keqes, që të përsëritet çdo ditë e më shpesh, të fuqizohet më tej, pra të bëhet legjitime, të fitojë qytetarinë. Individualisht dhe në grupe shoqërore të vogëla, shqiptarët shfaqin mospajtim me veprimet korruptive të çdo niveli, mendojnë për një mënyrë tjetër të sjelljes ndaj qytetarëve, për qëndrimin ndaj çështjeve madhore kombëtare, opinione të cilat mbeten në mendjen e tyre apo vetëm në tavolinën e kafes. Nëse këto përsiatje individuale do të mund të bashkoheshin, me siguri do të na jepnin një tablo më të qartë për mënyrën e veprimit në dobi të së ardhmes së kombit.

Njerëzit e politikës e kanë të vështirë të pajtohen me mendimin e përparuar intelektual, për një shoqëri të emancipuar, me njerëz të ditur dhe të përgjegjshëm në administratë, por rendin pas interesave të ngushta klanore, duke shkelur jo rrallë herë edhe mbi interesat madhore të shoqërisë. Prandaj thuhet që kërkimi i të vërtetës nga gjithkush ndikon në çlirimin e njeriut nga amullia në të cilën është zhytur. Vetëm njohja e së vërtetës e bënë atë të ndërgjegjshëm për pasojat që sjell errësira, e keqja që ka mbërthyer ekonominë dhe kulturën e vendit. Ka ende shumë njerëz të fuqishëm ekonomikisht që ndikojnë në hartimin e politikave të shtetit, në mënyrën e kompozimit të ligjeve të tij, imponojnë shoqërinë me anë të propagandës në media, bëjnë gjithçka që gënjeshtrën ta bëjnë sa më të besueshme, ta kthejnë atë në të vërtetë të padiskutueshme, duke e vështirësuar edhe më shumë mundësinë e dobësimit të së keqes në duel me të mirën. Lidhur me këtë çështje, filozofi austriak Karl Popper, duke diskutuar rreth rrezikut më të madh që kërcënon demokracitë perëndimore, është shprehur që “rreziku numër një i demokracive tona është tjetërsimi i funksionit të mediave, shtypit dhe televizionit në radhë të parë”.

Siç shihet, korrupsioni dhe gënjeshtra shihen si elemente të shoqërisë njerëzore, e cila nuk mund të jetojë pa këtë të keqe. Në fakt, nuk është kështu, pasi njeriu si qenie shoqërore shquhet për intelegjencën, për aftësitë e tij krijuese, për parashikimin e të ardhmes dhe organizimin e jetës në mënyrë të tillë, që të krijohet një farë ekuilibri dhe të ruhet balanca, me tendencë në rritje të së vërtetës. Natyrisht, kur këtë konflikt e dominon gënjeshtra, kuptohet që një e keqe edhe më e madhe kërcënon shoqërinë. Naim Frashëri e njihte mirë këtë konflikt dhe pasojat që rridhnin prej tij. Në poezinë “Dit’e zëzë” ai shkruante: Ishte bërë stërrë tej përtej jeta, / E ishte një tmerr, tmerr i mirzitur, / Se kishte humbur gjith’ e vërteta / Se gjithë bota isht’e mahnitur. / Paudhësia dhe ligësia / Ishin bërë mbret mbi dhet e shkretë / Dhe të këqijat e padija / Kishin zenë vënt për të vërtetë... Lëfton Gënjeshtra me të Vërtetën / Dhe errësira dritën lëftonte, / Që t’errësonte së gjithash jetën / Dhe djallëzia të mbretëronte.

Rebelimi ndaj padrejtësisë ka kosto të madhe, por dikush duhet ta marrë mbi supe një barrë të tillë, dhe besoj se kjo i takon rinisë intelektuale. Rinia e sotme me mendësi europiane, ajo pjesë e rinisë që është shkolluar dhe ka ideale, nuk duhet të njëhësohet me llumin e moshatarëve të tyre të paditur, por që janë militantë partije e në saje të këtij avantazhi rrinë gjithë ditën në kafe, vjelin paratë e popullit pa i dhënë asgjë atij. Natyrisht që duhet guxim. Për këtë sjellim si shembull po Naim Frashërin. I revoltuar nga padrejtësitë e kohës, ai shkruan: “Në epokën e gënjeshtrës, të thuash të vërtetën është një akt revolucionar”. Te poema “Bagëti e Bujqësi” poeti tregon se dhe vetë Perëndia e sheh çfarë padrejtësie bëhet në tokë, ndaj i drejtohet njeriut me fjalët: “Të kam dhënë mënt të mësosh, / të vërtetën me të ta shohç”. Dhe më tej vijon: “Do të të lë dhe nevojën, udhën të të tregojë, / Gjith të mirat që janë, këtu në dhet i kam mbuluar….Nxirr të vërtetën sheshit, paskëtaj të mbretërojnë, / Errësira të përndahet, gënjeshtra të pushojë”. Ky është një problem i madh, pasi kur mbretëron e keqja, i hapet rrugë shtypjes, krimit, genocidit, vrasjeve, përdhunimeve, shfarosjeve masive të popullsisë, rrëmbimit të territoreve etj. Përkundrazi, e vërteta mbjell vetëm dritë.

Rikthim te shkrimtaret suedeze

Në fillim të shkrimit përmenda takimin me dy shkrimtaret suedeze Britta Stenberg dhe Anna Mattsson, të cilat pak kohë më parë vizituan Shqipërinë. Shkak për këtë vizitë u bë shkrimtari dhe miku im i mirë Viron Kona. Në saje të miqësisë së tij me dy shkrimtarë shqiptarë në Suedi, Sokol Demaku dhe Hamit Gurguri, u bë e mundur dhe vizita e tyre.

Nuk e di saktë objektin e vizitës së shkrimtareve nga Suedia, por besoj se ato erdhën në Shqipëri për të t’u njohur me jetën, kulturën, evoluimin e mendimit të shkrimtarëve të këtij vendi dikur të izoluar, të njihnin territorin në të cilin shtrihej Shqipëria, zhvillimin ekonomik e social të saj, popullsinë, mënyrën e sjelljes së njerëzve etj. Ato dëshironin të dinin më shumë për lirinë e shkrimtarit, për rolin e Lidhjes së Shkrimtarëve, të Sindikatës së kësaj armate krijuesish. Nuk jam i sigurt me çfarë opinioni janë nisur nga Suedia dhe cilat qenë mbresat e tyre në kthim, por besoj se lajmet që kanë marrë nëpërmjet medias, para se të niseshin për në Shqipëri, nuk kanë qenë fort të dëshirueshme, edhe pse ato nuk pasqyrojnë në çdo rast të vërtetën.

Shkrimtarët suedezë, të këtij vendi të përparuar në fushën ekonomike dhe sociale, me shkallë emancipimi të lartë, e kanë të vështirë t’i kuptojnë pengesat e mëdha që sillte egoizmi në sistemin e mbyllur një partiak, në raport me egotizmin e Stendalit dhe pasojat që rridhnin prej tyre.

Egoizmi, qoftë socialist apo kapitalist, kërkon të zhvasë më ashpërsi atë që u përket të tjerëve dhe sulet me duartë lakmitare, shoqëruar nga ngërdheshja e shëmtuar e zilisë. Egoizmi është pa shpirt, i pangopur dhe i pasur me brutalitetitn e vetë shterpë. Përkundrazi egotizmi i Stendalit ua lë veset zhvatësve të parasë, karrigen ua fal ambiciozëve, dekoratat ua rezervon karieristëve, lavdinë atyre që s’dinë të shkruajnë.

Përkundrazi, egotizmi i vërtetë është vetëmbrojtje, nuk dëshiron dhe nuk pranon të shkeli sinorin e askujt, por njëkohësisht nuk lejon askënd të kapërcejë pragun. Ai ngre mure kinezë përballë çdo ndikimi të huaj dhe kërkon të krijojë kushte për të lulëzuar pa pengesë bimët e çmuara në individualitetin e tij krijues.

Shkrimtaret suedeze që vizituan Shqipërinë, mbase nuk mund ta kuptonin vetëm me fjalët tona që, para viteve 1990, krijuesit në fushën e letërsisë që dëshironin të mbronin të vërtetën, u duhej të përballeshin me mërinë e shtetit diktatorial, me format më të papërfyturueshme të dhunës, e cila nuk kishte formën e një shkopi apo të prangave, por të një fenomeni që pati pushtuar gjithë jetën e shoqërisë së asaj kohe. Natyrisht, atij terrori i rezistuan pak vetë. Shumë shkrimtarë që nuk e duronin qëndrimin në rresht, u burgosën, të tjerë u vranë, u sakatuan në burgje e kampe internimi, u futën në spitale psikiatrike, por mbijetoi fryma e tyre e lirisë. Themeluesi i doktrinës së liberalizmit, filozofi anglez Xhon Locke që jetoi në shekullin e 17-të, thotë: “Burrëria është rojë dhe mbështetëse e virtyteve të tjera dhe ai që e ka humbur burrërinë, është zor të jetë i patundur në kryerjen e detyres dhe në manifestimin e tipareve të një njeriu me të vërtetë dinjitoz”.

Kur bisedonim me shkrimtaret suedeze dhe vëllezërit tanë, Demaku dhe Gurguri, dëshironim të ishim të lirë. Të lirë sepse popujt në botë, pavarësisht nga distanca gjeografike, kanë të përbashkëta çëxhtjet themelore të njerëzimit: Të gjithë e duan lirinë, demokracinë, miqësinë dhe dashurinë. Askush prej tyre nuk e ka në gen urrejtjen, ligësinë, cmirrën, egoizmin. Është kjo arsyeja që në Shqipëri ka bërë aq vend shkrimtari suedez, Astrid Lindgren, për mesazhet e qarta që përcjell me anë të veprës së tij “Pipi çorapegjata”. Një tjetër libër që ka fituar qytetarinë është ‘Udhëtimi i Nils Holgersonit”,  i shkrimtares nobeliste Selma Lagerlëf. Por mund të ketë dhe të tjerë, për të cilët unë mbase nuk kam informacionin e nevojshëm.

I njëjti motiv bëri që “Bubulino” i shkrimtarit shqiptar Viron Kona, të flasë në suedisht dhe fëmijët e atij shteti social të mësojnë diçka më shumë edhe për Shqipërinë. Tashmë “Bubulino” që ka shëtitur nëpër Galaktikë, mesazhet për çfarë ka parë dhe për çfarë mendon, po ua përcjell dhe fëmijëve suedezë, të cilët mbushen me gëzim, pasi libri përçon mesazhet e kalitjes së vullnetit, guximit, edukon lexuesin me tiparet e vendosmërisë, burrërisë e forcës, që e shfaq efektin nëpërmjet mençurisë, të cilën e vë në kërkim të së resë. Për të njëjtin shkak, shkrimtari Sokol Demaku na sjell në shqip librin e autorit suedez Joans Hasen Khemiri, të titulluar “Gjithçka që unë nuk mbaj mend”.

Pra siç shihet popujt janë të pastër si kristali dhe në zemrën e tyre nuk ka vend racizmi e ligësia, ndaj qëndrojnë përkrahë njeri-tjetrit shkrimtarët që duan të thonë të vërtetën, që pëlqejnë lirinë dhe demokracinë, që lusin për shumë dashuri dhe miqësi midis njerëzve.

Grindjet dhe mëritë, urrejtjen dhe luftën, i nxitin politika të caktuara, individ dhe grupe individësh. Këto mangësi të njerëzimit janë të pranishme kudo në botë, pavarësisht se diku janë më të theksuara e gjetkë më të zbehta. E rëndësishme është që ato nuk kanë të bëjnë fare me vullnetin e popujve dhe që shkrimtarët me veprat e tyre synojnë zbutjen e egërsisë së politikës dhe ambicjeve ndërshtetërore.

Gjatë bisedës me dy shkrimtaret suedeze, ne menduam se duke thënë të vërtetën, nuk e dëmtojmë vendin dhe shoqërinë shqiptare, por japim ndihmesën tonë modeste për shpejtimin e procesit të emancipimit të saj dhe të shërimit nga sëmundjet e trashëguara. Besoj se edhe shkrimtaret kishin të njëjtin objektiv, kur shfaqën dëshirën për t’u informuar mbi ecurinë e këtij procesi. Kur ne u thamë se Lidhja e Shkrimtarëve nuk është aktive dhe kritika letrare e zbehtë, se vendin e librit të

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat