Zenel Neziri: „Sot, ju mirëpret Medvegja shqiptare në manifestimin tradicional „Ditët e diasporës“

Diaspora

Zenel Neziri: „Sot, ju mirëpret Medvegja shqiptare në manifestimin tradicional „Ditët e diasporës“

Nga: Dashnim Hebibi Më: 5 gusht 2017 Në ora: 12:29
Ilustrim

Kanë mbetur edhe disa orë, deri te manifestimi më i madh për diasporën shqiptare medvegjase në autoktoninë e tyre. Në këtë manifestim tradicional „Ditët e diasporës shqiptare“, që po mbahen prej disa vjetëve në Medvegjë, konrektisht në Banjë të Sjarinës në kompleksin „Gejzer“, sonte nga ora 19.00, me organizim të SHH „Medvegja“ me selinë e saj në Fully të Valisit-Zvicër e ndihmuar nga komuna e Medvegjës dhe medvegjas të tjerë, që jetojnë në Medvegjë e Kosovë, do të frymojë shqip me këngë dhe valle shqipe. 

Për këtë eveniment të rëndësishëm, kryesia e SHH „Medvegja“ me muaj të tërë ka punuar, që të del si është më së miri. Medvegjasit siç dihet në Zvicër, janë ndër më të organizuarit, ata në manifestimet e tyre, mbledhin hiq më pak se mbi dy mijë bashkëkombas të të gjitha trevave shqiptare. Në manifestimet e medvegjasëve, që janë shumë të njohura për çdo bashkëkombas që jeton në diasporë e në atdhe, marrin pjesë edhe personalitete të larta zvicerane, por edhe ato nga atdheu. Kjo shoqatë, është ndër më të fuqishmet, zëri më real dhe i fuqishëm i Medvegjës, falë një pune të madhe, që e kanë pasur dhe me një unitet të pashembullt. Për t`u njoftuar, më së miri në lidhje me këtë ngjarje të madhe dhe shumë të rëndësishme ne bashkëbiseduam edhe me kryetarin e SHH „Medvegja“ veprimtarin e njohur të çështjes kombëtare, z.Zenel Neziri, i cili punoi shumë, bashkë me kryesinë e tij, që zëri i Medvegjës të dëgjohet gjithandej. Sonte, pritet që të vijnë medvegjas nga Kosova që shumica prej tyre janë, por edhe nga e gjithë diaspora shqiptare. Do të jetë një sofër e madhe medvegjase dhe ku nuk do të mungojnë edhe artistë të mëdhenj nga Kosova dhe program shumë i pasur me këngë dhe valle. 

Para se të pasqyrojmë disa fjalë, që na i tha kryetari i SHH „Medvegja“ me qendrën e saj në Fully të Valisit, z.Zenel Neziri, ne kontaktuam edhe me sekretarin e kësaj shoqate, njëherit kryetar i Asociacionit „Sos Medvegjë-Çamëri“, me qendër në Gjenevë të Zvicrës, z.Fadil Selmani i cili ndër të tjera na tha:

„ Sonte do të jetë ditë e madhe. Krejt do të jetë kuq e zi. Shpresojmë, se do të kalojmë mirë. Edhe ne kemi të drejtë që në vendin tonë të të parëve të argëtohemi. Ne e duam Medvegjën tonë dhe do ta duam deri në vdekje. Ftojmë të gjithë vëllezërit e motrat medvegjase, por edhe ata të Luginës së Preshevës dhe të autoktonisë tonë të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi e në Maqedoni, që t`na bashkohen në sofrën tonë të madhe. Mërgata jonë është e bashkuar dhe sonte do të jetë në Medvegjë. Kemi shumë miqë ndërkombëtarë dhe besojmë shumë, se një ditë e drejta do të fitojë. Përmes medias suaj, ju drejtohem me këto fjalë të gjithë kombit. Atdhetarë e patriot shqiptarë, na kanë mbet edhe pak orë para Manifestimit në Banjë të Sjarinës. Besoi nuk jemi vetëm patriot me fjalë. Takimi i radhës 5 gusht 2017, pra sonte, e shtune, nga ora 19.00, në zemrën e Arbërit. Shihemi në vendin e artë! Zoti ju-na Bekoft ! Të nderuar Miq! Nën patronazhin e SHH „Medvegja“ në Zvicër, Ju ftojmë, që të merni pjesë në Manifestimin Tradicional "Dita e Diasporës" në Banjë të Sjarinës (Komuna e Medvegjës) në kompleksin "Gejzer“. Ky manifestim kulturo-argëtues, ka rëndësi të madhe për ata pak banorë autokton, që jetojnë atje. Andaj luteni, që ta mbështesim së paku moralisht popullatën autoktone në Medvegjën Iliro-Dardane, me prezencën tonë. Ftesa ju drejtohet të gjithë juve vëllazër e motra shqiptarë të të gjitha profesioneve dhe pa dallime ideologjike e fetare nga Medvegja deri në Çamëri. Ju falëminderohemi shumë për mbështetjen tuaj ! Zoti na Bekoft !“. 

Ndërsa, Zenel Neziri, kryetari SHH „Medvegja“ i cili sot ka mbërritur nga Zvicra me familjen e tij enkas për këtë manifestim, na dha mundësi që të bashkëbisedojmë dhe ne po shkëpusim disa fjalë nga biseda që e zhvilluam me këtë veprimtarë të njohur:

„Ne mërgata para disa viteve punuam që ky manifestim të jetë tradicional dhe do të mbahet deri sa të jemi gjallë. Edhe gjeneratat e reja e kanë kuptuar dhe e dijnë shumë mirë, se kjo tokë ishte shqiptare. Medvegja sonte do të flas krejtësisht shqip. Shpresojmë, se nuk do të na krijohen probleme në kufi Kosovë-Serbi. Shpresojmë shumë gjithashtu, se nuk do të kemi provokime gjatë manifestimit. Ne jemi në tokën tonë, në tokën e të parëve tanë dhe kemi të drejtë të festojmë e të mblidhemi bashkë. Shoqata jonë, me anëtarët e kryesisë dhe anëtarët e shoqatës, janë me shpirt në Medvegjë. Ne do ti qëndrojmë në ballë edhe viteve të tjera këtij manfestimi. Falënderoj shumë kryesinë e shoqatës dhe të gjithë të tjerët që punuan dhe po punojnë që ky eveniment të mbahet dhe të del si është më së miri. E duam shumë dhe do të punojmë pa ndërprerë, që vendlindja jonë të jetë e mbushur me njerëz si dikur, që ajo të frymojë dhe të jetojë shqip, që këtu të jehojë prore kënga dhe vallja shqipe. Do të marrin pjesë edhe musafirë të ndryshëm dhe po presim se do të kemi mbështetje me prezencë edhe bashkëkombas nga Bujanoci e Presheva, por edhe nga trevat tjera shqiptare. 

Faktori shqiptar është më unik se kurrë

Më lejoni që, të përshëndes të gjithë që na kanë ndihmuar me vite, që të organizohemi, por edhe prezenca e mikut tonë të veçantë, ish Ministrit të Diasporës në Qeverinë e Republikës së Kosovës, z.Ibrahim Makolli para disa viteve na ka pas gëzuar shumë dhe nuk do ta harrojmë për jetë. Siç dihet, jo më pak, se mbi tre dekada, Shoqata Humanitare "Medvegja" në Zvicër, ka qenë aktive në të gjitha proçeset, që ka përjetuar atdheu ynë. Shoqata jonë ndër vite, nëmes stuhive të shumta ka vepruar dhe po vepron, e do të veprojë, sepse rreth saj ka aktivistë që punojnë pandërprerë dhe për këtë janë krenarë dhe nuk duan të flasin për veten, pra në njëjës, por shoqata jonë gjithmonë fletë në shumës, sepse suksesi është i të gjithëve. Si popull njihemi botërisht, që jemi humanitarë dhe paqësorë, këtë e kanë vërtetuar shumë atdhetarë të mëhershëm. Konsiderojmë, se përfshirja sëpaku e Medvegjës, por edhe e Bujanocit e Preshevës në bisedime, ishte shans historik, që u injorua si nga Bashkimi Europian, por edhe nga ana e Kosovës. Por, e di, se e dijnë të gjithë, se kjo nyje, po nuk u zgjodh, herë do kurë, do të ketë gunga...Shqiptarët e Medvegjës, nuk u shpërngulën nga trojet e veta me vullnetin e tyre. Asnjë çast nuk do të ndalen përpjekjet e shqiptarëve të dëbuar të Medvegjës për kthimin në trojet e tyre. Në kërkim të barazisë, ngelëm përjetësisht ne, shqipet e mëse gjysmës së Shqipërisë verilindore ! Hyjnë e dalin sa herë që dojnë pushtetarët serbë në Kosovë, e tek ne, as që ka provuar ndonjëherë të vijë kryeministri i Kosovës, por as të tjerët përreth tij, përveçse Ministri i Diasporës Ibrahim Makolli, për të cilin kemi shumë respekt, sepse asnjëherë nuk na ka përjashtuar, sa herë që ka ardhur në Zvicër jemi takuar dhe nuk na ka shikuar, se ne jemi të një teritori tjetër. Shoqata jonë është apolitike, por kemi të drejtën tonë të gjykojmë aty ku shohim, se nuk është duke ecur puna mirë. Duhet të ngritet zëri për Medvegjën, duhet të punohet më shumë për Medvegjën, si dikur, Kosova që i kishte sytë nga Shqipëria, tash ne i kemi sytë nga Kosova. Paramendoni sa të drejtë kanë serbët nga pakoja e presidentit Ahtisari dhe ne nuk gëzojmë as të drejat elementare. Bashkësia ndërkombëtare, duhet të mos e harrojë këto treva, që janë autoktone dhe që kërkojnë liri, që po ngulfaten me lloj lloj maltretimesh. Ne u drejtohemi SHBA-së dhe gjithë BE-së, që të mos e fundoset Lugina e Preshevës si Anija e Titanikut, ne kërkojmë liri, barazi dhe integrim në BE. Nëse nuk ndërrohet qasja e qendrave të vendosjes shqiptare ndaj Luginës, në një periudhë jo shumë të largët në fjalorin e politikanëve tanë do të përdoren shprehjet: “Na ishte njëherë e një kohë një Medvegjë, një Bujanoc e një Preshevë” ashtu siç na ishin dikur një Masuric, Surdulic e Molla e Kuqe! Nëse nuk ndërrohet qasja e qendrave të vendosjes shqiptare ndaj Luginës, kufijtë shtetëror të Kosovës të kufizuara me tokat shqiptare të Karadakut të Preshevës, Malësisë së Bujanocit dhe Medvgjës, nuk do ta kenë një shpinë të fortë etnike.

Shteti shqiptar nuk ka pse të ngurojë dhe të mos shprehet hapur për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të bashkëkombësve, aq më shumë që ata nuk janë emigrantë por janë popullsi shqiptare në trevat e saj historike.

Koha ka ardhur që më shumë se kurdoherë, Shqipëria duhet të diskutojë, negociojë dhe të këmbëngulë që popullsisë shqiptare në Medvegjë, Preshevë dhe Bujanoc, t’i jepet e drejta që e meritojnë. Ne falënderojmë shumë, z.Bujar Nishani, tash më ish President i Shqipërisë, i cili sa ishte president është angazhuar shumë për këto treva shqiptare dhe e vizitoi Luginën e Preshevës. I dëshirojmë atij dhe familjes gjitha të mirat. Miku ynë, diplomati me karierë, Ambasadori, Prof.dr.Flamur Gashi, kurrë nuk na ka harruar. Ai gjithmonë ishte dhe është me ne Medvegjasit. Ai na bëri si asnjëherë më parë të bashkuar, më 7 mars të këtij viti, që të rrijmë me Presidentin e Shqipërisë, Shkëlqesinë e Tij, z.Bujar Nshani dhe të flasim me te për situatën në Medvegjë. Presidenti, na ka pritur edhe herave të tjera në Shqipëri. Ne kemi shumë miqë dhe do ti mbajmë dhe u jemi mirënjohës. Presim edhe më shumë nga dy shtetet tona, Shqipëria dhe Kosova. Lugina e Preshevës po zbraset nga shqiptarët në heshtje, dhe as Tirana e as Prishtina, nuk protestojnë për këtë, kurse për minoritetin serb në Kosovë kërkohen superstandarte nga ana e ndërkombëtarëve.

Presheva dallon shumë nga Medvegja, apo nga Bujanoci, edhe pse, edhe atje, hiq sështë më mirë. 

I lutemi SHBA-së dhe BE-së, të shikojë dhe të reagojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Për këto treva është dashur shumë më herët të flitet, por nuk është folur, është tejkaluar dhe po tejkalohet. Rreth shoqatës sonë, janë thuajse të gjitë medvegjasit mërgimtarë në mbarë Zvicrën, ka vëllezër edhe nga Kosova, Shqipëria e Presheva, Bujanoci, por edhe nga Shkupi, Tetova, Gostivari e Kumanova. Numri është konstant, për çdo vjet rritet, asesi nuk bje. Ne i falënderojmë nga zemra dhe perendia i shpërbleftë për kontributin që e japin.  Vërtet është një punë kolosale, që kemi bërë në këtë shoqatë, jo vetëm kjo kryesi, por prej ditës së parë. Kryesitë e shoqatës sonë, nuk kanë kursyer asgjë, që ndihmat të shkojnë aty ku kërkohet. Nuk janë pak tridhjetë vjet punë në bëmirësi, por, jemi shumë të lumtur, që kemi dhënë diçka për atdheun tonë. Puna jonë bëhet pa asnjë shpërblim monetarë, por shpërblimi vjenë nga dikush tjetër, që është më i madhi i të gjithëve Perendia. Krejt në fund të këtij bashkëbisedimi, ju drejtohem të gjithë bashkëkombasve, që të jenë prezent sonte në Medvegjë. Të festojmë bashkë dhe të vallëzojmë, si dikur në Medvegjën tonë. Ejani në Medvegjë, medvegjasit ju mirëpresin“, na tha ndër të tjera, gjatë një bashkëbisedimi të gjatë, z.Zenel Neziri, kryetar i SHH „Medvegja“ me seli në Zvicër. 

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat