E shtuna e pesë gushtit për gjashtë orë, Medvegjën e gjeti si dikur kuq e zi

Diaspora

E shtuna e pesë gushtit për gjashtë orë, Medvegjën e gjeti si dikur kuq e zi

Më: 6 gusht 2017 Në ora: 12:51
Medvegja

Për çdo vjet, në muajin gusht, mblidhen me qindra bashkatdhetarë, por edhe bashkëkombas të medvegjës, që jetojnë në Kosovë e më gjerë, si dhe bashkëkombas të trevave të tjera shqiptare, për të marrur pjesë në një ditë të veçantë, ose thënë të rrallë, për „Ditët e diasporës“.

Ky organizim organizohet nga SHH „Medvegja“ me qendër në Zvicër e mbështetur edhe nga Komuna e Medvegjës. Ky manifestim, tash më tradicional, „Ditët e diasporës shqiptare“, që po mbahen prej disa vjetëve në Medvegjë, konkretisht në Banjë të Siarinës në kompleksin „Gejzer“, mbrëmë nga ora 19.00, frymoi shqip me këngë dhe valle shqipe deri në orët e para të ditës së diele të gjashtë gushtit. Nëpër gjithë këtë vend, me një bukuri të rrallë, që e ka falur perendia, por fatkeqësisht me pak popullatë shqiptare, gjuha shqipe dëgjohet gjithandej. Dukej, se edhe natyra ishte paksa më e freskët edhe pse kishte arritur 41 `C.

Image

Pritjet e gjata të bashkatdhetarëve nëpër kufinjë që vinin nga Kosova për në Medvegjë, nuk i kishte lënë përshtypje, sepse e kishin etjen e Medvegjës së tyre, për t`u çmallur me ate tokë, që janë rritur, me ate tokë që i kanë të varrosur të parët e tyre. Vërtet, ishte e papërshkrueshme pamja e medvegjasëve, ishin më të disponuar dhe bisedonin me një tonë më të lartë, sa jam mësuar ti shoh në Zvicër, apo Kosovë.

Kuptohet, se ky lirim emocional i tyre vjenë nga kënaqësia, që shihnin dhe kujtonin ditët e rinisë. Manifestimi filloi ashtu siç ishte paralajmëruar. Kryetari i SHH „Medvegja“ në Zvicër, z.Zenel Neziri i shoqëruar me anëtarë të familjes si dhe me anëtarë të kryesisë dhe medvegjas të tjerë, si z.Ismet Selmani, ish kryetar i SHH „Medvegja“, z.Fadil Selmani, sekretar i SHH „Medvegja“, Zejnullah Namani, arkatar i SHH „Medvegja“ dhe disa medvegjas të tjerë, bashkëbisedonin me një musafirë të veçantë, me një mikë të përbetuar të Luginës së Preshevës e në veçanti të Medvegjës, aktorit të merituar, aktorit të madh, z.Çun Lajçi. Ata edhe cakrronin gotën e gëzimit dhe duke uruar, që një ditë të jetë ashtu siç duan të gjithë medvegjasit.

Veprimtari i dalluar i çështjes kombëtare si dhe asaj kulturore në Zvicër, z.Shefqet Cakolli, i cili është edhe kryetar i SHKA „Dardania“ me seli në Winterthur, kishte ardhur me bashkëshorten e tij dhe me disa miqë të tjerë nga Kosova, për ti respektuar e nderuar medvegjasit. Edhe ai kishte pritur për një orë në kufirin Serbi-Kosovë, por mezi se kishte pritur që të shoh medvegjasit duke festuar. Kësaj here, ishte caktuar një biletë hyrëse për të pranishmit në Banjë të Siarinës, aty ku pritej të filloj programi. Për vendorët çmimi ishte tre euro, por i përfshirë dy pije dhe një darkë super e mirë, ndërsa për mërgatën dhjetë euro. Asnjëri nuk bënte as një fjalë për këtë çmim, por secili shikonte që të zëjë një vend për tu ulur dhe për t`u argëtuar. I nderuari, shkrimtari, publicisti, profesori, gjuhëtari nga Medvegja, zyrtar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, z.Jonuz Fetahu, ishte në rolin e drejtuesit të këtij evenimenti të veçantë.

Ai e filloi manifestimin me një përshëndetje për të gjithë me disa fjalë të përzemërta dhe ndër të tjera tha: „Një fjalë e urtë popullore thotë „Guri rëndë pushon në vend të vet“, Dhe , nuk ak dyshim se edhe ju në këtë takim ndiheni në mënyrë të veçantë, ndiheni ashtu si jeni autoktonë dhe shqiptarë të vërtetë. Ndodh kështu, sepse kujtimet fëmijërore dhe ëndrrat më të ëmbla i shihni vetëm në vendlindje“.

Image

I pranishëm ishte edhe Safet Neziri medvegjas që jeton dhe vepron në Maqedoni, Fazli Musli, kryetar i SHH „Lugina e Preshevës“ me seli në Zvicër, përfaqësues të pushtetit lokal të Medvegjës, si zonja Leme Xhema etj dhe disa përfaqësues të Bashkësisë Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Aktori i madh, Çun Lajçi, me një program siç dinë ai gjithmonë mjeshtërisht, bëri që të pushtoj brigjet dhe kodrat e këtij vendi të dikurshëm e mbushur me shqiptarë.

Padyshim, nuk munguan edhe duatrokitjet e shumta të të pranishmëve, sa që edhe u ngritën në këmbë për të falënderuar aktorin tonë, z.Lajçi. Menjëherë pas programit disa minutësh të aktorit Çun Lajçi, fjala iu dha, kryetarit të SHH „Medvegja“, z.Zenel Neziri, i cili falënderoi që të gjithë që janë prezent dhe falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar që të organizohet ky manifestim. Ai u zotua, se edhe në të ardhmen, do të organizohet ky manifestim, ku shpresojmë, se do të jetë edhe më madhështorë. Me nga një fjalë përshëndetëse u paraqitën edhe përfaqësues të BIPBM, si dhe zonja Leme Xhema, ku ju drejtua fllimisht medvegjasëve që jetojnë dhe veprojnë në Medvegjë dhe më pastaj të të gjithë të pranishmëve. Vërtet ishte emocionuese, për medvegjasit që jetojnë në Medvegjë, sepse organizime të tilla ka dy herë në vit, në maj dhe tash më në gusht. Zonja Xhema, tha ndër të tjera, se edhe komuna e Medvegjës, ka ndarë një buxhet të mirë edhe për sivjet që të mbahet ky manifestim dhe falënderoi që të gjithë për bashkëpunim dhe për prezencë si dhe i uroi që të gjithëve çaste të mira argëtimi.

Image

Sylejman Musliu e këndoi një këngë për Medvegjën, këngë që e ka punuar para pak mujave dhe përmend bukurinë e Medvegjës dhe se një ditë do të jemi më të fortë për Medvegjën tonë shqiptare. Sokol Musliu si dhe prof.Rexhep Abazi, egzekutuan nga një valle, njëri me fyell dhe tjetri me qifteli dhe morëm duartrokitje. Prof.Rexhep Abazi, i cili ishte i veshur me veshje kombëtare dhe plis të bardhë, nuk harroi për të falënderuar veprimtarët që janë rreth Shoqatës Humanitare „Medvegja“, që kanë punuar, po punojnë dhe do të punojnë, që Medvegja të mos harrohet asnjëherë, kuptohet me ato mundësi që kanë ata. Ishte shumë emocionues edhe fjala përshëndetëse e Muharrem Zejnullahu, i cili ka qenë disa vite ambasador i Bosnjës në Shqipëri.

Por, qëkur është mbyllur Ambasada në Tiranë, ai merret kryesisht me çështjen e shqiptarëve në Bosnjë dhe Hercegovinë. Krejt në fund u ndanë edhe disa mirënjohje, ku edhe kombëtarja „Bota sot“, ishte në mesin e mirënjohjeve për kontributin e madh që ka dhënë, duke i dhënë hapësirë të mjaftueshme aktiviteteve që kanë pasur të bëjnë me Medvegjën. Në fund, të përshëndetjeve dhe që u ndanë mirënjohjet, u paraqitën këngëtarët, Agim Halimi dhe Ramiz Llapi si dhe të shoqëruar nga këngëtarja e njohur Dafina Bajrami. Valle, këngë dhe cakrrim gotash e urime, që një ditë, të punojmë që të gjithë më shumë, që ta shohim Medvegjën tonë ashtu si ishte dikur. Thuajse të gjithë të pranishmit folën fjalët më të mira të mundshme për këtë organizim. E mërgimtarët në veçanti u çmallën me njëri tjetrin. Më e mira e këtij evenimenti ishte, kur dy të rinjtë, Samir Neziri dhe Emine Berisha, e kishin parë të arsyeshme që të ndërrojnë unazat e fejesës me njëri tjetrin dhe i dhanë njëri tjetrit besën, që të kalojnë një jetë të mirë bashkëshortore.

Samir Neziri dhe Emine Berisha mu te Ura e Banjës së Siarinës i ndërruan unazat e fejesës

Image

Samir Neziri, bashkatdhetarë, një medvegjas, që jeton dhe vepron në Fully të Valisit, anëtarë i SHKA „Medvegja“, si dhe aktivistë i njohur i kësaj shoqate nëpër shumë manifestime e kishte njohur Emine Berishën prej kohësh dhe e kishin zgjedhur, që mu në këtë datë, mu në këtë vend, të japin fjalën njëri tjetrit për fejesë. Ishin momente emocionuese, kur edhe prindërit e Samir Nezirit, filluan të qajnë nga gëzimi për këtë ngjarje të madhe, me që e kanë edhe të vetmin djalë. Samiri shumë i lidhur me Medvegjën, sepse ishte rritur me fjalë për Medvegjën, duke dëgjuar nga prindërit, gjyshërit e mixhallarët edhe ate gjithnjë, ai me padurim pritke, që të vije kjo datë dhe të shënohet në jetën e re bashkëshortore, por i zotuar gjithashtu, se edhe dasmën do ta nisë nga Medvegja. 

Flamuri kombëtar kuq e zi ishte në ballë të këtij organizimi, e aty, Baci Liman, së bashku me familjen e tij të ngushtë, me bashkëshorten, djemtë, nipat, mbesa e reja, vallëzonin dhe në anën tjetër, medvegjasit e tjerë, të shoqëruar nga Zenel Neziri me familjen e tij të ngushtë, Zejnullah Namani dhe shumë e shumë të tjerë, që kishin ardhur nga Zvicra për pushime, u çmallën, këndonin, vallëzonin, shkurt e shqip, këtë natë nuk do ta harrojnë për jetë. Që të gjithë, bënin foto dhe luteshin, që edhe vitin tjetër të organizohet ky lloj manifestimi i vetmi për medvegjasit mërgimtarë. Krejt në fund, më vjen përsëri titulli i këtij reportazhi të shkurtër, që flasin më mirë fotot, se shkronjat që janë shkruar, vlenë të përsëritet titulli: E shtuna e pesë gushtit për gjashtë orë, Medvegjën e gjeti si dikur kuq e zi. / Foto dhe teksti: Dashnim HEBIBI

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat