Hapi i parë mbi një kapërcyll, hapi i jetës së tij

Diaspora

Hapi i parë mbi një kapërcyll, hapi i jetës së tij

Nga: Ramazan Çeka Më: 12 gusht 2017 Në ora: 22:16
ilustrim

Traditat shqiptare janë shumë të hershme, me rrënjë të thella historike dhe janë ato që na bëjnë krenarë sepse, pavarësisht nga rrebeshet që historia herë pas here ka qenë në këto troje, këto tradita edhe sot në kohë moderne janë një pasuri e madhe e kombit tonë.

Që nga Jugu në Veri shqiptarët këto tradita i kanë ruajtur me fanatizëm dhe janë shquar për vlera të mëdha të pasurisë së tyre etnografike dhe zakonore.

Festat, por dhe ngjarjet e dhimbshme i kanë bashkuar gjithmonë ato dhe ata, që në lashtësi kanë qenë interpretët dhe organizatorët më të shquar, saqë shpesh këto ngjarje të mëdhaja fisnore e familjare u bënë një traditë që nuk do të shuhej kurrë.

E bëra këtë hyrje, sepse në këtë korrik të nxehtë pata fatin të isha në një festë, jo thjeshtë fetare "Sh'Qyrku i Shoshit", por përtej këtyre përmasave, sepse të gjitha familjet shoshjane e lusin atë me miq, shokë e dashamirë, duke e quajtur sipas traditës festën më të madhe të kësaj krahine.

Këtë natë të shenjtë kishte ardhur për ta festuar së bashku me familjen e tij nga Amerika e largët biznesmeni i shquar Ndue Ftoni, duke mbledhur në një restorant luksoz në qytetin e Shkodrës me emrin domethënës "Blini" miqt e tij, të afërm, dashamirët dhe shumë personalitete të shquara të politikës, të artit dhe të kulturës, duke e kthyer këtë gostë në një festë të vërtetë.

Kjo nuk është hera e parë dhe kjo nuk është e vetmja datë e shënuar, sepse gosta e festa të tilla ai ka organizuar edhe më parë, si në Shkodër edhe në Amerikë, Michigan atje ku jeton e punon dhe gjithmonë i ka konsideruar si sofra shqiptare.

I tillë është ky burrë që fluturoj nga përtej Oqeanit për ta kaluar këtë verë të nxehtë në vendlindjen e tij.

Për të, organizimi i kësaj mbrëmjeje nuk ishte thjeshtë një agjendë, por një dëshirë e madhe për të ruajtur traditat e të parëve. Besimin në Zot ai gjithmonë e lidh me besimin në Komb dhe këto dy komponentë e bëjnë atë një atdhetar të nderuar dhe një ambasador të vërtetë të Shqipërisë në SHBA.

Image

Unë isha atje me shumë shokë, miq e dashamirë dhe u ndjeva shumë krenar që kam një mik si ky burrë që nderon Shoshin, Dukagjinin, Shkodrën dhe Shqipërinë.

Rreth kësaj sofre të shtruar në këtë festë ishte kënaqësi të shihje figura të shquara elitare që i dhanë vlera të papërshkrueshme kësaj mbrëmje. Aty ishte këngëtari i shquar Bujar Qamili "Mjeshtër i Madh", Grupi "Treva" i Dukagjinit që përfaqësoheshin nga rapsodët Ndue Shytani e Fran Kodra, Mhill Çuni dhe këngëtarja e re Elvira Fjerza. Aktorët e humorit mjeshtrat e mëdhenj Gëzim Kruja e Besnik Çinari, aktorja e mirënjohur Rajmonda Marku, Grupi "Gaz e maraz", përfaqësues të shquar të medias si: Ilir Buçpapaj nga TVSH, stafet e TV Koplikut e "Blue Sky", Drejtori i Revistës "Fjala" gëzim Vuçaj, producentë e president i "Buna 1" Arben Mazi, poeti i njohur Gjovalin Dushaj, Pjetër e Arben Matusha, Kryetari i Shoqatës Dukagjini, Ndue Sanaj, poeti dhe publicisti Lulash Brigja, z.Ilmi Kurti nga Malësia e Madhe, për të ardhur te i ftuari i nderit z.Dritan Demiraj, Ministri i Rendit, por në radhë të parë shok e mik i ngushtë i të zotit të shtëpisë.

Pasi, sipas zakonit, dollia e parë u ngrit në nderim të shejtit, emrin e të cilit ka kjo festë fetare, përshëndetjet e të gjithë të pranishmëve ishin për një Shqipëri më të mirë e më të begatshme.

Sofra e shtruar frymëzoi të gjithë të pranishmit e në mënyrë të veçantë artistët, të cilët e kthyen këtë mbrëmje në një festë të vërtetë.

Siç e kemi përmendur edhe në shkrime të tjera, shkrimtari dhe dramaturgu i shquar Fadil Kraja "Mjeshtër i Madh" ka shkruar një roman me titullin domethënës "GUXO" kushtuar biznesmenit të suksesshëm Ndue Ftoni. Ky libër u ribotua kohët e fundit dhe atë natë me autografin e tij si personazh kryesor iu dhurua të pranishmëve.

Kjo natë do të mbetet e paharruar për të gjithë të pranishmit, sepse ai që i kishte mbledhur, kishte shpenzuar, ashtu siç thonë shkodranët "për qejf".

Zoti Ndue Ftoni, ky biznesmen i suksesshëm, ky djal' për të cilin vendlindja e tij është krenare nuk e mbylli me kaq viziten e tij në Shkodër. Të nesërmen ai me një grup miqsh udhëtoi për në Dukagjin, duke ndjekur rrugën tradicionale nga Shkodra te Ura e Mesit, në Prekal, Kir, Shosh, Shalë, për t'u kthyer nga Thethi dhe për të zbritur në qendrën e Malësisë së Madhe, Koplik.

Image
Ramazan Çeka

Ky intinerar nuk ishte thjesht një udhëtim turistik, apo një vizitë në vendlindje për t'u çmallur, por lidhej me interesimin e madh të z.Ndue Ftoni për të hedhur një sy, për të krijuar një ide dhe për të menduar për projekte të mundshme që në bashkëpunim me organet drejtuese vendore të investohet në atë që ai e përmendi në shumë intervista "infrastrukturen", e cila fillon që nga rrugët, të cilat realizojnë komunikimin dhe ndihmojnë në zhvillimin sa më të mirë të arsimit, kulturës, shëndetësisë dhe turizmit që në të ardhmen, siç u shpreh ai, do të ishte një garanci për mirëqenien e kësaj zone të thellë, por shumë të pasur dhe me të ardhme.

Mikun tonë Ndue Ftoni e shoqërova në gjithë këtë udhëtim së bashku me gazetarin e shquar të RTSH Ilir Buçpapaj, gazetarin e TV Koplikut Gëzim Vuçaj si dhe shokët e të afërmit e tij Zef Bregu, Gjon Vojvoda, Kolë Kodrari, Pllum Lulash Sokoli, si dhe shoferi simpatik dhe i shkathët i "Shqipes së Alpeve" Petrit Kërçi.

U kënaqa, u kënaqëm të gjithë, sidomos kur ai afrohej pranë një banese, pranë një rruge, pranë një shtegu, ku kishte kaluar fëmininë dhe rininë e tij. Bisedat me bashkëfshatarët ishin të përmallshme e emocionuese dhe vetë ky udhëtim tregonte se Ndue Ftoni edhe pse është shumë larg, nuk e harron kurrë vendin e të parëve.

Do ta mbyll këtë shkrim me shprehjen e bukur të Malësisë që e dëgjova nga të gjithë ata që u takuan me të "Mirardhsh" Ndue Ftoni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat