Në tetor nis “Shkolla e Diasporës në Kosovë”

Diaspora

Në tetor nis “Shkolla e Diasporës në Kosovë”

Më: 31 gusht 2017 Në ora: 18:05
ilustrim

Për herë të parë organizata Germin sjell Shkollën e Diasporës në Kosovë, i cili është program inovativ dhe multidisiplinar, që do të bashkojë të rinj dhe ekspertë nga diaspora, rajoni dhe Kosova.

Sipas një njoftimi të organizatës, kjo shkollë pilot, do të shërbejë  si shembull për të zhvilluar më mirë projektet dhe idetë e ardhshme duke shfrytëzuar potencialin e diasporës, investimet dhe nismat e mundshme që do të mund të zhvillohen më tej në bashkëpunim me partnerët vendor, rajonal dhe ndërkombëtar.

“Qëllimi i organizimit të kësaj shkolle është t’i sjellim 50 profesionistë të rinj të moshës 18-32 vjeç, të cilët përmes kësaj shkolle do të ideojnë dhe hartojnë projekte që lidhen me nevojat e komunitetit dhe të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës. Këto projekte do të krijojnë uralidhëse ndërmjet diasporës dhe profesionistëve të rinj në Kosovë, të cilët si këmbim do të kontribojnë në komunën e Prizrenit dhe Malishevës, ku do të mbahet Shkolla e Diasporës 2017. Formati i cili do të zbatohet në kuadër të këtij programi është Hackathon apo sfida, një ndër format e para të aplikuara në Kosovë, që nënkupton zgjidhjen e problemeve në mënyrë kreative, për të parë se si ata mund të punojnë së bashku dhe të sjellin ide inovative nga të cilat do të përfitojnë komunitetet në Prizren dhe Malishevë. Në veçanti, kjo shkollë synon të lehtësojë shkëmbimin dhe bashkëkrijimin e ideve ndërmjet profesionistëve të Diasporës dhe homologëve të tyre kosovar në sferat me potencialin më të madh në ekonominë lokale, duke ofruar zgjidhje inovative dhe me kosto efektive”, thuhet në komunikatë.

Shkolla e Diasporës në Kosovë do të implementohet në tetor, kurse thirrja për aplikim hapet nga java e ardhshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat