Prek Cali përballë partizanëve nga Jugosllavia dhe Shqipëria

Diaspora

Prek Cali përballë partizanëve nga Jugosllavia dhe Shqipëria

Nga: Kastriot Dervishi Më: 18 shtator 2017 Në ora: 06:02
Ilustrim

Në mesin e nëntorit 1944, pra dy javë para se komunistët të hynin në Shkodër, partizanët jugosllavë të ardhur nga Kolashini sulmuan Vermoshin. Vodhën pasurinë e shqiptarëve. Vetëm Prek Calit i morën një mall me vlerë prej 20 mijë napolonash flori. Malësorët nuk patën mundësi të reagonin ndaj këtij sulmi, por u bënë gati që në vijim sulmuesit me yll të kuq nga brenda apo jashtë kufirit t’i prisnin me pushkë.

Më 28.11.1944 batalioni i 1-rë i brigadës së 1-rë pasi parakaloi para Enver Hoxhës në Tiranë, u drejtua për ekspedita ndëshkimore në Prefekturën e Shkodrës, duke nisur së pari nga Nënprefektura e Mirditës. Më 11.11.1945 ky batalion u gjend në Shkodër. Sipas historikut të brigadës së 1-rë, qëllimi i udhëtimit në Kelmend ishte “spastrimi nga reaksionarët” dhe “ngritja e këshillave nacionalçlirimtare”. Siç edhe dihet Dushan Mugosha e Miladin Popoviçi nuk e shtrinë dot pushtetin e tyre në pjesën më të madhe të veriut të vendit. Kjo “punë” ngeli pas lufte. Çdo përpjekje e popullsisë vendase ka qenë vetëmbrojtje ndaj një bande gjakatare që përpiqej të vendoste pushtetin e saj.

Më 10.1.1945 afër kishës së Kastratit u zhvilluan luftime midis komunistëve e malësorëve vendas. Këtu nisi në fakt qëndresa që përfundoi me arrestimin e Prek Calit më 16.2.1945.

Në vijim, më 13.1.1945 në Kalcë u mbajt kuvendi i burrave të Kelmendit i kryesuar nga Prek Cali. Teksa po diskutohej çfarë duhej të bënin përballë rrezikut që i kanosej prej komunistëve, një gjyle e partizanëve ra afër vendit ku po bëhej kuvendi. Kjo gjyle dhe të tjerat pas saj, vulosën vendimin e malësorëve se qëndresa ndaj komunistëve ishte e pashmangshme.

Forcat e batalionit të 1-rë me një eufori të pazakontë u nisën drejt veriut me dëshirën për t’i dhënë një ndëshkim të mirë banorëve të Kelmendit që normalisht e urrenin komunizmin.

Në afërsi të urës së Tamarës forcat komuniste hasën në qëndresën e banorëve. U zhvilluan luftime për rreth 10 orë, nga ora 6.00 deri në orën 16.00. Në përfundim u vranë 13 komunistë, me 2 vdiqën nga i ftohti, ndërsa mbeturinat e batalionit kaluan në Jugosllavi te aleatët e vet.

Nisur nga humbjet që pësuar në aventurën e tyre terroriste, komunistët organizuan dy operacione kundër popullsisë civile, sipas këtyre datave:

14 – 31 janar 1945

1 – 16 shkurt 1945

Operacioni i parë përfundoi me humbjen e komunistëve dhe sprapsjen e tyre. Operacioni i dytë është quajtur “spastrimi”. Operacioni mbi veriun e vendit kishte karakter thellësisht antikombëtar. Persona të armatosur, kryesisht kontingjente të botës së krimit, shkonin në operacione duke kënduar: “Luaje, luaje goce këmbënë; t’ia q...gegës mëmënë”.

Më 26.1.1945 mbërriti në Shkodër, Mehmet Shehu. Ai urdhëroi menjëherë që terrori të niste nga qyteti. Duke njohur rëndësinë dhe natyrën e papërkulur të Shkodrës, Shehu “bllokoi” qytetin nga 29 janari deri më 2 shkurt 1945, duke arrestuar 168 persona, duke krijuar një gjendje të paparë ndonjëherë. Mehmet Shehu i shkruante Enver Hoxhës se Ferit Radovicka me tre batalione do marshonte nga Jugosllavia e do dilte në Vermosh për të goditur “armikun” pas shpine nga veriu. Ndreko Rino me dy batalione do sulmonte në drejtimin Bogë-Okël për të dhënë goditjen nga lindja. Ndërsa Abaz Fejzo me katër batalione do sulmonte nga Broja. Operacioni do zhvillohej në trekëndëshin Bunë-Drin-Shëngjin. Kundër popullsisë civile u përdorën edhe topat e batalionit “Antonio Gramshi”. Qëndresa e popullit të Malësisë mori fund ditën e arrestimit të Prek Calit më 16.2.1945. Ky i fundit ishte në fortesën e fundit në shpellën e Vuklit së bashku me disa burra të tjerë. Qëndroi në kushte të vështira për 7 ditë. Partizanët nuk e mundën dot Prek Calin, pavarësisht se kishin forca të shumta ushtarake. Cali pranoi të dalë nga shpella në “besë” të Abaz Fejzos. “Nacionalçlirimtarët”, si forcë antikombëtare morën edhe masa të tjera që renditen si krime ekonomike e sociale. Ata dogjën 34 shtëpi në Vermosh, Nikël, Vukël e Rahovicë; konfiskuan 80 kokë lopë, 315 dhen, 35 barrë bereqet. Ushtria “çlirimtare” si mishngrënëse e paparë gjatë ushtrimit të gjenocidit të saj, hëngri aty 225 krerë bagëti.

Komunistët patën 39 të vrarë dhe 48 të plagosur (prej tyre 30 të vrarë dhe 48 të plagosur ishin të brigadës së parë). Ndërsa popullsia vendase pati 44 të vrarë dhe 21 të plagosur. 19 familje u internuan e përfunduan më pas në kampin e Beratit.

Prek Cali u gjykua në një proces të Gjyqit Ushtarak të Korparmatës së 3-të në Shkodër, ku u dënuan 25 persona. Në gjyq Cali deklaroi se “partizanët janë njerëz të këqij, të djegin, vrasin dhe janë njerëz pa fe”.

Me vendimin nr.42, datë 3.3.1945, gjykata komuniste ndër të tjerë, deklaroi fajtorë dhe dënoi 70-vjeçarët Prek Calin dhe Ded Lulash Smaili me vdekje. Prek Cali dhe 8 të dënuar të tjerë janë ekzekutuar nga brigada e 2-të të Mbrojtjes së Popullit në Shkodër.

Kujtimi i veprës së Prek Calit e burrave të malësisë, u kujtua për herë të parë në vitin 1992, në një ceremoni të zhvilluar në alpet shqiptare të cilën e nderoi edhe pjesëmarrja e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Rajërson.

Bashkëlidhur, harta e veprimit ushtarak të partizanëve në fazën e dytë. Vini re hyrjen e trupave nga territori jugosllav në krahun e majtë të hartës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat