Bashkatdhetarët në Suedi, ndihmojnë Spitalet e Kosovës dhe Hendikosin

Diaspora

Bashkatdhetarët në Suedi, ndihmojnë Spitalet e Kosovës dhe Hendikosin

Nga: Adem Lushaj Më: 9 tetor 2017 Në ora: 17:27
Ndihmat nga Suedia

Bashkatdhetarët tanë në Suedi, pos përkujdesjes ndaj familjeve të tyre, gjejnë mundësi të përkrahin edhe institucionet e shtetit të Kosovës dhe familjet në nevojë. Një përkrahje e tillë e bashkatdhetarëve ka ardhur edhe nga Shoqata Kulturore Sportive “Liria” në Vaxjo të Suedisë, e cila këtyre ditëve ka sjellë pajisje për Qendrën e Klinikës Universitare në Prishtinë, Spitalin rajonal të Mitrovicës, sikurse që kanë ndihmuar edhe Hendikosin në Mitrovicë dhe Istog.

Kjo Shoqatë, si bashkëfinancuese me Human Bridge, pos që ka mbuluar gjitha shpenzimet vjetore  (2017-2018) për Hendikosin në Istog, (në shumën prej 25 mijë euro), ka ndihmuar edhe Shoqatën e të verbërve dhe Shkollën Fillore në Llukafc të Begut në Komunën e Istogut. Xhafer Balaj është njëri nga bashkatdhetarët që nuk kursen mund e mjete, për të kontribuar në përkrahjen e shtetit të tij. Balaj, ishte angazhuar që kontributin e kolegëve ta sjellë në destinacionin e paraparë, duke mësy rrugën e gjatë nga Suedi, fillimisht në vendlindjen e tij në Istog, e pastaj edhe në Mitrovicë dhe Prishtinë. “PO, jemi të organizuar rreth Shoqatës “Liria”, ku pos aktiviteteve kulturore e sportive, kemi për qëllim përkrahjen e vendit tonë, shtetit të Kosovës”, shprehët Balaj, në takimin që kishim me rastin e dorëzimit të donacionit në Istog, por edhe të përkrahjes së luftëtarit të lirisë, Halim Tolaj, nga Prejlepi i Deçanit, i cili gjendet i shtrirë në njërin nga Spitalet e Tiranës.

Ai, pasi ka falënderuar popullin suedez dhe institucionet e këtij shteti, ka treguar se përkrahja për Hendikosin dhe Spitalet e Kosovës, është për faktin se nuk gjenden ne kushte të mira të veprimit. “ndihmat për kategorinë e margjinalizuar, këtë rast Hendikos dhe Shoqatën e të verbërve, janë prioritet i ynë, ngase jemi shoqëri që vlerësojmë këta njerëz”, ka nënvizuar Balaj, sipas të cilit, kontingjenti i sjell në Kosovë, është në vlerë rreth 100 mijë eurosh. Gjithnjë sipas tij, falë kontributit të shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Suedi, dhe donacionit të dhënë nga ForumSyd-SIDA, është arritur që të sigurohen shpenzimet për paga dhe aktivitete njëvjeçare (qershor 2017-qershor 2018) për degën e Hendikosit në Istog, ngase dëshirojmë që personat e kësaj kategorie sa më shumë të integrohen në shoqëri e në tregun e punës, e assesi të ndjehen të anashkaluar.

Ndërkohë, aktivisti i pa lodhshëm Xhafer Balaj, ka shpreh interesimin e bashkatdhetarëve për të ndihmuar edhe komunat tjera, kryesisht institucionet e shëndetësisë dhe Shoqatat që merren me kategorinë e njerëzve në nevojë. “Kur kemi dëgjuar përmes valëve të Radio Fontana, për gjendjen në të cilën gjendet një vëlla i ynë, një ish luftëtar i lirisë, menjëherë kemi shprehur gatishmërinë që sipas mundësive tona, ta ndihmojmë, e sadopak, familjes ti qëndrojmë afër për lehtësim të dhimbjeve që kanë në shpirt”, na thotë Xhaferi, duke atribuuar gjitha meritat kolegëve të tij, vëllezërve dhe motrave që jetojnë në Suedi, banorëve të atyshëm dhe shtetit suedez.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat