Vrau me thikë në fyt gruan: Detajet shokuese të krimit që tronditi Shqipërinë dhe Italinë

Diaspora

Vrau me thikë në fyt gruan: Detajet shokuese të krimit që tronditi Shqipërinë dhe Italinë

Më: 9 nëntor 2017 Në ora: 11:39
Dritan Sulollari me bashkëshorten e tij, Migena Këllezi

Dritan Sulollari zbarkoi në Puglia kur ishte 17 vjeç, në vitin 1998. Fillimisht punoi si kamarier, derisa u stabilizua në Isontino. Migena punonte prej disa muajsh në Tiare di Villesse.

Koleget e Migena Kellezit, në dyqanin e telefonave në qendrën komerciale Tiare di Villese, ku gruaja punonte prej disa muajsh, e përshkruajnë si një njeri të qeshur e të çiltër.

“Nuk i japim dot shpjegim kësaj tragjedie”, thonë ato, ndërsa shtojnë: “Ishte integruar kaq mirë në ambient, edhe pse kishte eksperienca të mëparshme në këtë sektor“. Nëse e dëgjoje duke folur, askush nuk mund ta dallonte se nuk ishte italiane. E zotëronte totalisht gjuhën, edhe pse e donte shumë vendlindjen e saj.

Kështu e kujtojnë koleget Migenën, ndërsa sa i përket marrëdhënies që kishte me bashkëshortin, ato nuk dinë asgjë.

“Nuk kishte aq kohë këtu sa për të kaluar në biseda intime”, shpjegojnë ato, “megjithatë, nuk ka folur kurrë keq për të.”

“Gruaja ishte gjithnjë e disponueshme për të birin. E kërkonte me sytë e një nëne të dashuruar. Ishte mendimi i saj i parë. Fliste për të, me atë dashurinë tipike të një nëne që ruan dhe mbron thesarin e saj”.

Pavarësisht qetësinë të cilën e përshkruajtën fqinjët, që nuk i kishin dëgjuar kurrë duke u zënë, martesa e tyre kishte kohë që ishte në krizë, aq sa Migena dhe Dritani po ndaheshin.

E në fakt, në shtëpi kishin kohë që ishin ndarë.

Në profilin e saj në Facebook, gruaja nuk kishte asnjë fotografi me bashkëshortin, prej gati dy vitesh. Përveç fotografive me miqtë, protagonisti i vetëm në faqen sociale ishte djali i saj i adhuruar.

8 – vjeçari po qëndron momentalisht me një mik të familjes. Gjyshërit jetojnë në Shqipëri dhe këtë të enjte kanë shkuar në Itali.

Italia ku Dritan Sulollari kishte shkuar gati 20 vjet më parë

“Detin natën, e ke parë ndonjëherë? Ai po që të frikëson”.

Kështu niste rrëfimi i Sulollarit te një mik, për udhëtimin e tij nga Shqipëria drejt Italisë. Zbarkoi në Puglia kur ishte vetëm 17- vjeç. Ishte viti 1998. Pasi kaloi mbi një gomone me katër motorë me 100 kuaj secili, nuk kishte mundur të qëndronte ulur për 10 ditë me radhë.

Aventura e tij me skafistët kishte qenë dramatike. Kishte rrëfyer se skafistët nuk e kishin problem që të hidhnin njerëz në ujë për të lehtësuar peshën në gomone dhe t’i shpëtonin kështu radarëve të Guardia di Finanza.

Ai kishte shkuar vetëm në Itali dhe pas një periudhe të shkurtër kishte arritur të siguronte dokumentet dhe kishte gjetur punë. Pas një kohe të gjatë në lëvizje, ishte stabilizuar në Gradisca d’Isonzo. Pikërisht këtu iu ishte bashkuar edhe e shoqja, me të cilën ishte martuar shumë vite më parë. Më pas dyshja ishte bërë me një djalë. Ata kishin të dy nënshtetësi italiane.

Duke u bazuar në fjalët e ish – kolegëve të tij, në punë Dritan Sulollari kishte qenë një njeri i zoti. Dinte të sillej me klientët dhe nuk i shpëtonte kurrë asgjë. I mjaftonte bishti i syrit për të kuptuar situatën.

Pavarësisht kësaj, disa vite më parë e kishin pushuar nga puna, nga një piceri në Gorizia, për një histori që thuhet se kishte lidhje me ngacmimet seksuale. Ai ishte akuzuar dhe ishte denoncuar nga një kolege, e cila pretendonte se ishte ngacmuar nga shqiptari.

37 – vjeçari e vrau gruan dhe më pas telefonoi një mikun e tij karabinier dhe i tha se kishte bërë një “budallallëk”. Tragjedia ndodhi rreth orës 7:30 të së mërkurës. Migena Kellezi dhe Dritan Sulollari jetonin në rrugën Campagnola 21, në Gradisca D’Isonzo.

Ata kishin rreth dy vite që kishin nisur ndarjen, por nuk kishte pasur shenja tensioni, të paktën publikisht.

Rrethanat nuk janë ende të qarta. Hetuesit, për momentin i kanë lënë të hapura të gjitha hipotezat, përshirë atë të motiveve të xhelozisë. Por nuk përjashtojnë as atë të vetëmbrojtjes, pasi Sulollari ka marrë plagë të thella në duar.

30 – vjeçarja u gjet e mbuluar nga gjaku në shtrat, në dhomë të gjumit. Sipas të dhënave të deritanishme, ajo gjeti vdekjen nga një preje në fyt, e shkaktuar nga thika e kuzhinës. Megjithatë do të jetë autopsia ajo që do të japë rezultatet përfundimtare.

Djali 8 – vjeçar i çiftit ishte në shtëpi me ta dhe nuk është e qartë nëse ka parë apo ka dëgjuar diçka.

Sulollari iu nënshtrua fillimisht një ndërhyrje kirurgjikale për shkak të plagëve të marra në duar.

Gjatë pasdites ai mësohet se është treguar i gatshëm për t’u marrë në pyetje, megjithatë dëshmia e tij ende nuk është zbardhur.

Krimi: Ja çfarë i tha Dritani djalit të vogël

Sipas medieve italiane, çifti ishte në prag ndarjeje konsensuale, por ajo që ndodhi ishte krejt e papritur.

Sipas avokatit të autorit, krimi nuk erdhi me degjenerimin e dhunës nga bashkëshorti xheloz, por ndodhi një epilog krejtësisht i papritur.

Avokati ka treguar se autori ka dashur të shmangë djalin, që të shihte krimin.

Ai i tha të birit se vetë do të shkonte të mjekohej në spital, kurse “mami ka ikur për disa ditë për të parë të afërmit në Shqipëri”.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat