Diaspora bashkon partitë politike

Diaspora

Diaspora bashkon partitë politike

Më: 14 nëntor 2017 Në ora: 22:00
Pamje nga takimi

Çështja e diasporës, ka bashkuar sot në një votë të vetme të gjitha partitë politike të cilat kanë miratuar pr/buxhetin e 2018-ës, për ministrinë e Shtetit për Diasporën.

Me një fondi total prej 17 milion lekësh, ministri i shtetit, Pandeli Majko e konsideroi të mjaftueshëm buxhetin e përcaktuar dhe nuk kërkoi fonde shtesë.

Por, deputetja e LSI, Klajda Gjosha përveçse mbështeti strategjinë e paraqitur nga Majko për çështjet e shqiptarëve jashtë, propozoi mbështetje edhe për fonde shtesë në rast se do i duhet kësaj ministrie. Edhe deputetet e PD-së ofruan mbështetjen e tyre, ku deputeti Tritan Shehu tha se do të votonte edhe amendamentet e kërkuara nga vetë Majko, në rast se do t’i paraqiste.

Nga ana e tij, në komisionin e Jashtëm, ministri i Shtetit tha se vendi ynë po hedh një hap të rëndësishëm në krijimin e marrëdhënieve zyrtare mes shtetit, diasporës dhe emigracionit.

Lidhur me të drejtën e votës, Majko tha se në muajin janar do të mbahet një takim me të gjithë faktorët e diasporës, nën kujdesin e OSBE, shkruan atsh. Sipas tij, për regjistrimin e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë, si fillim do të merren të dhënat nga kompania së cilës i është dhënë koncesioni i prodhimit të pasaportave dhe kartave të identitetit.

Përsa i përket adresave të emigrantëve, Majko sqaroi se po bashkëpunohet edhe me ministrinë e Brendshme.

“Vota e emigrantëve nuk mund të vidhet dot nga asnjë parti politike dhe është votë mbi bazën e parimeve perëndimore”,  tha Majko.

Nga fondi i përgjithshëm, 12 milion lekë do të shkojnë për shpenzimet e personelit që do të ketë 15 punonjës, 4 milion lekë për shpenzime operative për funksionimin e institucionit dhe 1 milion lekë për  blerje pajisjesh.

Ministri bëri të ditur se në muajin nëntor të 2018, do të mbahet samiti i dytë i diasporës.

Image
Pandeli Majko
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat