Ministri i Diasporës viziton varret e vëllezërve Bytyqi në SHBA - Bota Sot
Ministri i Diasporës viziton varret e vëllezërve Bytyqi në SHBA

Diaspora

E enjte, 24 maj 2018

Ministri i Diasporës viziton varret e vëllezërve Bytyqi në SHBA

Më: 6 shkurt 2018 Në ora: 15:50
Pamje nga takimi

Te varrezat në Yonkers, New York, nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pushojnë eshtrat e vëllezërve Mehmet, Agron dhe Yll Bytyqi, dëshmorë të kombit, të cilët brutalisht u vranë nga pjesëtarë të MUP-it serb, në qershor të vitit 1999.

Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, njëherësh zv. kryeministër i Kosovës, Dardan Gashi, i shoqëruar edhe nga ministri i Diasporës i Shqipërisë, Pandeli Majko, takuan pjesëtarët e batalionit “Atlantiku”, në hotelin prej nga ky batalion edhe u nis për të luftuar krah për krah bashkëkombësve në radhët e UÇK-së, me të cilët biseduan për zhvillimet në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe për tema që e preokupojnë diasporën tonë në SHBA.

Më pas, së bashku me prindërit e djemve Bytyqi u nisën për te varrezat, për të nderuar veprën dhe sakrificën e tyre me homazhe shtetërore dhe me vendosje të kurorës me lule.

Babai i tre vëllezërve, Ahmet Bytyqi, i falënderoi dy ministrat për vizitën dhe u shpreh se është i nderuar që dy shtete erdhën dhe nderuan veprën e bijve të tyre.

“Ata kanë rënë dëshmorë, mirëpo në momente të tilla kur ju vini që t’i kujtoni, atëherë ata mbesin gjithmonë të gjallë. Ju faleminderit”, tha ai, duke falënderuar ministrinë e Diasporës së Kosovës edhe për dekoratën e ndarë për familjen Bytyqi.

“Vepra e tre vëllezërve Bytyqi nuk do të harrohet asnjëherë. Neve na mbetet të punojmë dhe të bëjmë trysni ndaj Serbisë që t’i dorëzojë kriminelët përgjegjës të këtij krimi sa më shpejt, ndërsa veprën dhe sakrificën e tyre ta kujtojmë gjithmonë”, u shpreh ministri Gashi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test