Sa na tërheq toka aq të rëndë jemi

Diaspora

Sa na tërheq toka aq të rëndë jemi

Nga: Sabit Abdyli Më: 23 mars 2018 Në ora: 00:01
Sevëme Fetiqi

Poeten Sevëme Fetiqi tashmë e njohim përmes poezisë së saj të publikuar në faqet e internetit dhe librat e botuar. Që nga takimi i parë me vargjet e saj më bëri përshtypje gjuha, lehtësia e të shkruarit dhe temat që shtjellon, në dukje të vogla, por me porosi të forta. Në bisedat e rastit, kam vërejtur se ajo me krejt qenien e saj është e dhënë pas bijave të saj dhe poezisë, kam vërejtur sa shumë merakoset për situatën në tokën e origjinës, kam vërejtur sa shumë gëzohet për arritjet, qofshin ato edhe të vogla në Kosovë.

Sevëmja është nënë, poete e veprimtare që vazhdon të ecë me kohën vertikalisht, duke iu qëndruar stoikisht sfidave që sjell kurbeti. Ka shkolluar vajzat e saj, duke kryer si është më së miri detyrën e prindit të dyfisht, ka botuar libra me poezi dhe vazhdon të jetë aktive, e dobishme dhe kreative në mbarëvajtjen dhe organizimin e manifestimeve kulturore, mbrëmjeve poetike, promovime librash, konkurse letrare etj. në shtetet perëndimore.

Sevemja lindi në Vushtrri. Aty kreu shkollën fillore dhe të mesmen. Studioi mjekësinë, por letërsia dhe shkrimet mbetën pasioni i saj. Poezitë e para i botoi në gazetën për fëmijë "Pionieri" kur ishte edhe vetë fëmijë. Vazhdoi pastaj në shtypin e kohës, si revista "Zëri i rinisë', gazeta "Rilindja" etj. Në kohën e presioneve dhe largimeve nga puna të punëtorisë shqiptare nga regjimi i Beogradit, Sevëmja përjashtohet nga puna viteve të 90-ta. Duke mos pasur kushte për të jetuar në Kosovë emigroi në Gjermani.

Në Gjermani ajo iu përkushtua edhe më shumë librave e poezisë. Tërë kohën ishte e angazhuar në aktivitetet e organizuara për çlirimin e Kosovës, impulse të reja iu dha manifestimeve kulturore duke qenë pjesë e tyre përherë. Një kohë punoi në klasat e hapura të gjuhës shqipe për fëmijët shqiptar.

Poezia e saj u përkthye edhe në gjuhët tjera. Është fituese e shumë çmimeve në konkurse të poezisë, është anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, sekretare në Lidhjen e shkrimtarëve, artistëve dhe krijuesve shqiptarë në Gjermani, anëtare e kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Mërgatës, anëtare e Lidhjes ndërkombëtare të poetëve “PEGASI” për Gjermani, anëtare e Lidhjes së shqiptarëve në Botë, dega në Gjermani si dhe anëtare e Unionit gjithëkombëtarë.

Vjershat e saj janë përfshi gati në gjitha antologjitë e botuara ne dekadën e fundit. Sevëmja aktualisht jeton dhe punon në Gjermani. 
*( nga poezia "Poemë për ne" S. Fetiqi )

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat