Biografia e një aktivisti të zellshëm të diasporës shqiptare

Diaspora

Biografia e një aktivisti të zellshëm të diasporës shqiptare

Nga: Baki Ymeri Më: 14 prill 2018 Në ora: 21:37
Kopertina e librit

Vlerat e diasporës shqiptare janë prezente gjithandej në botë. Aziz Veliu ka një biografi të bujshme dhe një veprimtari specifike e të gjithanshme. Pinjoll i familjes atdhetare të Hasan Prishtinës. Autor artikujsh në gjuhën gjermane për Kosovën në kohën e saj më të vështirë. Anëtar dhe aktivist i Lidhjes për Shqipërinë e Bashkuar. Posesues vlerash letrare, folklorike e historike për arbëreshët e Italisë, të cilët i ka vizituar dhe me të cilët ka krijuar ura miqësie ndërmjet Kosovës  diasporës shqiptare. Një urë të shëndetshme të miqësisë, ky njeri e ka krijuar edhe ndërmjet Kosovës dhe botës gjermane. E gjejmë në fotografi me shqiptarët e Amerikës, të Floridës, Kanadasë, pranë bustit të Gjergj Kastriotit, De Radës, Hasan Prishtinës, pranë kolegjiumit të muzeut Willy Brand, pranë përfaqësuesve të Shoqatës “Vatra”, pranë familjes së tij të madhe e fisnike, dhe jo vetëm aq. Sa di unë, na shkruan një koleg i tij nga Suedia (Gani Osmani), „nuk besoj se mund të përfshihen të gjitha aktivitetet e tij në kuadrin e një prezantimi publicistik.” Për Aziz Veliun duhet shkruar libra dhe xhiruar filme. Reportazhe dhe subjekte me karakter fotodokumentar.

Aziz Veliu u lind më 4 Maj1960 në fshatin Polac të komunës Skënderaj. Pas mbarimit të shkollës fillore në fshatin e lindjes, i vazhdoi mësimet në gjimnazin e Skënderajt. Pasi kreu maturën me sukses, u regjistrua në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Filozofik (Dega e Letërsisë dhe Gjuhës Anglo-Amerikane). U diplomua në vitin 1985 dhe mori titullin Profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Anglo-Amerikane. Në vitin shkollor 1985/1986 fillon të punojë si mësimdhënës i Gjuhës Angleze në gjimnazin e Skënderajt. I brumosur me idetë patriotike të deputetit të Perandorisë Osmane,  mbështetësit të Lëvizjës për Pavarësinë e Shqipërisë, kryeministrit dhe deputetit të shtetit shqiptar Hasan Prishtina, ai nuk mundi të shmangë rrugën të cilën paraardhësi i tij e kishte trasuar në një kohë kur kërkohej diplomaci, trimëri dhe vendosmëri e madhe. I njohur si Hasan Polaci, Hasan Vuçitërna, Hasan Prishtina më 1921, shkruan 150 vjet më parë, se gjyshi i tij, Haxhi Ali Berisha nga Polaci i Drenicës, u vendos në Vuçitërn. Hasan Prishtina pra, ishte biri i Abdullah Aliut, njeriut të fundit të kësaj familjeje që vdiq dhe u varros në Polac.

Prof. Aziz Veliu, qysh si student, gjatë vlimeve të mëdha revolucinare në Kosovë, u tregua aktiv me pjesëmarrjen e rregullt në demonstratën e pranverës së madhe, më 11 Mars të vitit 1981, si dhe në demonstratat vijuese të përgjakshme të prillit të po atij viti. Veprimtaria e tij “armiqësore” kundër pushtetit jugosllav, nuk i kishte shpëtuar regjimit pushtues serb, i cili kishte instaluar edhe shumë shqipfolës, të cilët me besnikëri kryenin punën e spiunëve me një përgjegjësi të lartë. Megjithatë, ai nuk u ndal së vepruari në çdo kohë dhe në çdo vend që i jepej mundësia për ta përhapur dhe mbështetur thirrjen popullore për rrëzimin e pushtuesit serb dhe largimin e tij përfundimtar nga Kosova. Përcjellja e tij nga regjimi serb u bë edhe më intensive për shkak të korresponcës që zhvillonte me miqtë e tij të shumtë nga bota perëndimore. Për këtë shkak dhe shkaqe tjera lidhur me aktivitetin e tij politik, ai u mor në pyetje nga Sekretariati për Punë të Brendshme të Mitrovicës, duke  ia tërhequr vërejtjen “se po punon kundër sistemit tonë shoqëror e politik”. Atij iu urdhërua që të jipte informata se me kë takohej kur dilte jashtë shtetit, ndërsa çdo shkresë e tij nga bota e jashtme hapej nga organet e shtetit për të marrë informata lidhur me përmbajtjen e marrëdhënieve të tij me të huajtë.

Solidaritet me demonstratat kosovare për liri dhe pavarësi

Në vitin 1988, me propozimin e Këshillit të Mësimdhënësve të gjimnazit, prof. Azizi u zgjodh përfaqësues i Rinisë shkollore në Lidhjen e Rinisë, e cila funksiononte në kuadër Komitetit Komunal të atëhershëm të Skënderajt. Përveç përgjegjësisë që kishte për më së 2.000 nxënës, sa vijonin në gjimnazin ku punonte, Azizi ishte zgjedhur edhe në Kryesinë e Lidhjes së Rinisë. Me këtë angazhim, atij iu shtua edhe një përgjegjësi politike në një situatë shumë të ngarkuar me zhvillime të parreshtura, duke filluar nga Grevat e Minatorëve, shkuarja masive e klasës punëtore dhe e nxënësve në Prishtinë e të tjera. Me pjesëmarrjen e tij në mbledhjet e shpeshta, ai përherë ngriti zërin kundër shtypjes së regjimit serb, i cili burgoste, rrihte dhe përjashtonte nga puna shqiptarët, të cilët ishin fajtorë vetëm se kishin lindur shqiptarë. I zëshem u bë ai, sidomos, në mbledhjet në të cilat merrnin pjesë përfaqësues të Lidhjes së Rinisë nga Serbia, të cilët vinin me “leksionet e tyre” dhe me këshillat “qëllimmira”, të cilat duhej tua interpretonte rinisë shkollore, në mënyrë që të bëhen të dëgjueshëm dhe ta respektojnë Qeverinë e Serbisë.

Azizi fajësohej edhe për lëshimin e mësimit dhe daljes në rrugë të nxënësve për të demonstruar, siç demonstronte e gjithë rinia në mbarë Kosovën, duke aluduar se ai ishte organizator i të gjitha “të këqijave” të cilat ishin mbjellur te rinia shqiptare. Këtyre “leksioneve” dhe kritikave, ai iu kundërvu me një vendosmëri të madhe, duke rrezikuar vendin e punës dhe qenjën e tij. Pas vërejtjes miqësore nga ana e drejtorit, i cili ishte informuar nga Komiteti Komunal për sjelljen e tij arrogante dhe  për mosbindjen në marrjen e vendimeve për dënimin e demonstratave dhe grevës së minatorëve, si  dhe mosrespektimin e rezolutave të Lidhjes së Rinisë të Serbisë, ai filloi të mendonte për largimin e tij indiskret nga Kosova. Pas vërejtjes së dytë miqësore nga drejtori, i cili ishte alarmuar nga Komiteti Komunal për sjelljen e tij pafundësisht “armiqësore” në çdo mbledhje që mbahej për shqyrtimin e situatës politike në shkollë dhe marrjen e masave për parandalimin e lëshimit të mësimit nga ana e nxënësve, ai përfundimisht mori vendim të largohej nga Kosova.

Duke patur parasysh edhe gjendjen e vet shëndetësore, kishin kaluar vetëm dy muaj nga një operacion i rëndë në lukth dhe ende nuk ishte shëruar plotësisht, ai kërkoi ndihmë prej Këshillit të Punëtorëve të Gjimnazit duke kërkuar që t'i ipej një vit pushim pa pagesë për të shkuar në Angli, gjoja për spezializim të Gjuhës Angleze. Drejtori, i cili ishte i informuar lidhur me kërkesën e tij, i pat premtuar se nuk do të ketë problem për pushimin e tij nga marrëdhënia e punës për një vit, dhe në mbledhjen e parë të Këshillit, kërkesa për pushim i miratohet. Dita po afrohej kur do të merrte rrugën për në Gjermani. Ishte shumë e rëndë java e fundit e mësimit për të. Ai nuk kishte njohtuar nxënësit e tij për largimin e tij. As në ditën e fundit nuk ua bëri me dije, duke pasur frikë se do të zbulohej qëllimi i tij.

Më 10 Nëntor 1998, i mërzitur se po lënte prindërit, vëllezër e motra, nxënësit dhe Kosovën, u nis për rrugën, të cilën nuk e kishte menduar kurrë se do ta çonte në një rrugëtim aq të gjatë, i cili do ta ndante për disa vite nga familja, nxënësit dhe nga Kosova. Ardhja etij në një vend të huaj, por mikpritës, nuk ia zvogëloi aspak fajin, të cilin ia ngarkonte vetes me largimin e tij nga Kosova. Fillimisht vendoset në një kamp refugjatësh, ku mbretëronte një jetë e parregullt. Kishte lloj-lloj kombësishë nga e tërë bota. I dukej vetja si në një botë budallenjsh. Të gjithë qeshnin, këndonin thuase nuk kishin asnjë brengë. Pas një periudhe kohore prej tre muajsh, ai zhvendoset nga kampi i refugjatëve dhe vendoset në qytezën e bukur Unkel, e cila shtrihej buzë ujërave të mëndafshta të lumit Rin. Me kohë arriti të konsolidohet dhe të integrohet në shoqërinë e qytetit në cilën jetonin mjaft intelektualë dhe politikanë të njohur gjermanë, duke filluar nga ish-kancelari i Gjermanisë, Willy Brandt, profesorë universitetesh të njohura nga Bonn-i, Dortmundi, etj. Ai poashtu ra në kontakt me gazetat e njohura të Bonnit, një kohë ishte bashkëpunëtorë i jashtëm i gazetës së njohur “General Anzeiger”, në të cilën botoi artikuj lidhur me gjendjen aktuale në Kosovë dhe njohjen e popullit gjerman me realitetin historik dhe aktual midis popullit shqiptar dhe serb.

Veprimtar aksionesh të panumërta për ta ndimuar Kosovën

Në pamundësi për të punuar, në atë kohë nuk u lejohej të punonin të huajt të cilët ende nuk kishin lejeqëndrim, ai shfrytëzonte kohën e lirë duke organizuar tubime me miqtë gjermanë dhe shqiptarë, në të cilat sensibilizohej situata e rëndë në Kosovë. Duke pasur parasysh se propaganda serbe kishte bërë të veten duke i shfrytëzuar të gjitha mediat që kishte në dispozicion, populli gjerman nuk kishte njohuri me situatën reale të gjendjes në vitet e nëntëdhjeta, këto tubime shfrytëzoheshin për shpjegimin e historisë së popujve të Ballkanit dhe të historisë se kohëve të fundit. Një kohë të gjatë, punoi si përkthyes për të ardhurit nga Kosova dhe Shqipëria si dhe i ndihmonte në rregullimin e shumë çështjeve të rëndësishmem që kishin të bëjnë me lejeqëndrimin e tyre në Gjermani.

Pas një viti iu dha e drejta për punë. Nuk kaloi shumë kohë, dhe pas interesimit që të gjente punë, ai filloi të punonte në firmën e njohur ndërkombëtare “Rabenhorst” me seli në Unkel. Më vonë punoi edhe në Bibliotekën Universitare të Bonn-it. Gjatë gjithë kohës sa qëndron në Gjermani, punoi dhe organizoi kurse për  mësimin e Gjuhës Angleze për të rritur dhe për fëmijë. Megjithkëtë, Azizi nuk pushoi se punuari në të mirën e çështjes kombëtare. Ishte ndër organizatorët e parë të mbledhjes së tre përqindëshit për Kosovën, mbledhjen e ndihmave materiale për aksionin “Për Gjuhën Shqipe” , me të cilat paguheshin mësimdhënësit në Kosovë, të cilët, pasi që pushtuesi serb kishte mbyllur të gjitha shkollat, prej shkollës fillore deri në Universitet, kishin organizuar mësimin nëpër shtëpia private. Pastaj mori pjesë edhe në mbledhjen e ndihmave materiale për askionin “Për Pavarësinë e Kosovës”. Përveç aktivitetetve të përmenduara, ai mori pjesë edhe në mbledhje të rëndësishme, të cilat organizoheshin nga politikanë dhe ambasadorë të Kosovës në Gjermani. Që nga viti 2010 punon edhe në muzeun e qytetit, kushtuar jetës dhe veprimtarisë politike të ish-kancelarit, Willy Brandt.

Në vitin 2014, prof. Azizi vizitoi trojet Arbëreshe në Kalabri. Atje njohu shumë intelektualë arbëreshë. Mori pjesë në shumë aktivitete kulturore dhe artistike. Me t’u kthyer në shtëpi, ai e pa të nevojshme të bëj diçka që lidhte Arbëreshët me Shqiptarët në mënyrë që të njiheshin me historinë, gjuhën, traditat dhe vlerat tona shpirtërore dhe kulturore. Kështu, në Nëntor të po atij viti, me disa miq Arbëreshë dhe Shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe nga diaspora, themeloi Shoqatën “Kosovë-Arbëri”. Qëllimi kryesor i themelimit ishte njohja reciproke e të dy popujve vëllezër, të cilët ishin ndarë për më se pesëqind vjet pa pasur mundësi të shiheshin dhe të njiheshin ndërmjet vet. Shoqata numëron mbi 1.400 anëtarë. Anëtarësia përbëhet nga Arbëreshë dhe Shqiptarë nga të gjitha kontinentet  e botës dhe luan një rol të rëndësishëm në jetën arbëresho-shqiptare. Çdo ditë postohen artikuj, dokumentarë dhe foto nga historia e lashtë e popullit shqiptar. Përmes anëtarësimit në Shoqatë, anëtarët njihen ndërmjet veti, krijojnë miqësi personale dhe familjare.

Në vitin 2017 vizitoi Floridën. Qëllimi i vizitës së tij ishte njohja me Arbëreshët dhe Shqiptarët e Floridas dhe krijimi i kontakteve dhe marrëdhënjeve të reja. Atje ai takoi përfaqësues të Shoqatës Shqiptaro-Amerikane si dhe përfaqësues të Shoqatës “Vatra”. Pas disa takimeve me të dyja palët, palën arbëreshe dhe shqiptare, u arrit marrëveshja për forcimin e lidhjeve të të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Florida dhe dëshira për vizitë vendlindjes së Arbëreshëve, paraardhësit e të cilëve vinin nga Sicilia. Një grup përfaqësuesish të komunitetit Arbëresh dhe Shqiptar do të bëjnë vizitë kësaj vere në Sicili. Pra, edhe pse i shtyer në moshë, Aziz Veliu gjen kohë dhe forcë për të krijuar ura bashkëpunimi midis popullit shqiptar në përgjithsi. Edhe sot e kësaj dite, Azizi jeton në shtëpinë e tij në Unkel, së bashku me familjen katër anëtarëshe: me gruan Linditën, e cila punon në një dyqan bizhuterie, me vajzën Laurën dhe djalin Enisin, të cilët që të dy vijojnë mësimin në gjimnazin e qytetit të Linzit.     

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat