Poet i persekutuar, luftëtar dhe atdhetar i dëshmuar

Diaspora

Poet i persekutuar, luftëtar dhe atdhetar i dëshmuar

Më: 19 prill 2018 Në ora: 23:36
Kopertina

Martin Çuni - Antoni, u lind në fshatin Ujz i Hasit të Thatë, më 14 maj l948.

Ciklin e ultë të shkollës fillore e bëri në fsh. Bishtazhin të Hasit, ndërsa tetëvjeçaren e përfundoi në fsh. Keqekollë të Gollapit, ku i punonte i ati, Ndreca. Gjimnazin e mbaroi në vitin l968 në Prishtinë. Më pastaj i vazhdoi studimet në Fakultetin Filozofik të Prishtinës (Dega e Pedagogjisë). Gjatë studimeve për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike u detyrua të punojë. Fillimisht në shkollën fillore të Keqekollës, pastaj në Kombinatin “Ramiz Sadiku“ (Prishtinë), kurse më vonë si gazetar në Redaksinë e Kulturë-Programi për fëmijë, në RTV-të Prishtinës. Asokohe realizon reportazhe, shkruan vargje, prozë, tekste për radiodramë etj. Që nga viti 1968, M. Çuni merr pjesë aktive në lëvizjen ilegale të kohës, në platformën e avancimit të çështjes kombëtare të shqiptarëve në trojet e tyre në Jugosllavi.

Në vitin l982 arrestohet me shumë veprimtarë të tjerë, e më pastaj dënohet me 8 vjet burg. Për veprimtari në burg, më vonë dënohet edhe një herë. Në burgjet e Serbisë i mban 9 vjet, prej tyre 8 izolim. Martini edhe në vuajtje të dënimit vazhdon të shkruajë. Në fund të vitit 1990, pas vuajtjes së dënimit, ai emigron në Zagreb, një vit më vonë shkon në Shqipëri, si reporter i Radio Zagrebit, për emisionin shqip atje. Në vitin 1992, për shkaqe ekonomike edhe politike emigron në Gjermaninë Federale, ku u angazhua për themelimin e Bashkësisë Shqiptare. Në vitin 1998 kthehet në Kosovë dhe iu bashkohet rradhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prej nga raportoi për Radion Deutsche Wele.

Image

Në Nëntor të vitit l998, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së kishte marrë vendim për themelimin e institucioneve të luftës: Radios “Kosova e Lirë” e Agjencisë Kosova Pres. Aty M. Çuni do të veprojë deri në fund të luftës, së bashku me Ahmet Qeriqin, Berat Luzhën, Nusret Pllanën, Nezir Myrtën, Habib Zogajn, Qemal Aliun, Isa Krasniqin e të tjerë. Pas luftës, me vendim të Ministrisë së Informatave në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, derisa punonte në Radio “Kosova e Lirë “, caktohet në detyrë të udhëheqësit të Organit Drejtues për fillimin e punës në Radiotelevizionin e Prishtinës. Pas gjashtë muaj angazhimi gratis, në drejtim të krijimit të kushteve për kthim të gazetarëve dhe të punëtorëve në RTP, jep dorëheqje i pakënaqur me rezultatet e arritura. Për shkaqe ekzistenciale sërish i kthehet kurbetit. Aktualisht jeton e punon në Gjermani. Vepra të botuara: “Reportazhe Lufte” (dokumentar), “Jetë e furtunë (poezi për të rritur), “Jetë për jetën“ (poezi për fëmijë). Për botim ka edhe një numër të konsideruar dorëshkrimesh të rëndësishme.


SHQIPTARËVE

Gjurmëve të Rrugës së Kryqes

Vazhdë u kemi ra
Trup, mishra e kocka me helm

E vrer na kanë la
Lëkurës shtatë palë dredhë,

Dredhas na kanë heqë
Në shpirt e në zemër

Petka të zeza na kanë veshë

Gjilpërat nën thonj, në këmbë e duar
Të thyera nejtë
Të heqim dorë përgjithmonë nga e drejta
Jonë e shenjtë
Katilët me maska rreth e rrotull nesh
Me fytyrën e djallit
Hapu Tokë, hapu Qiell në paqe të dalim
Nga gropë e zjarrit

Kalavar: fëmijë, gra e pleq të Arbërisë
Masakrohen me orgji
Eshtrat ua tundën, varrosën e zhvarrosën
Nëpër Serbosllavi
Mbi gjirin e nënës së vdekur, fëmiu
Përpiqej të mbajë jetën
Heronjtë iu qepen shkrepave më dhëmbë
Një copë Dielli gjetën

O Zot, me rrugën e Jezusit profet
Gjatë na shëlbove
Lumenj gjurmësh gjaku nëpër vite
E nuk na shpagove
Kado që erdhi e keqja, futë e shemër
Të ne bëri fole
Gjergj e Adem çdo shekull, Përëndi
Pse s munden me lé

MBI ATLANTIK

I madhi Atlantik
Ku është Atlantida
Pse fshehë oqean
Kush iku atëherë
Kush po ikë tash
Sot e mot mbi Atlantik
Vragë e plagë mbi Atlantidë
Mbi Atlantik shtegtim
Atlantikasit ku janë
A takuan Ilirinë
(09. 04.04. Mbi Atlantik)

KUJTIM AMERIKË
/malësorëve/

Kujtim mbi kujtim
Me nxënësin tim
Shembull dhe mburrje
Valë kujtimesh, vuajtje
Gjolulit, Berishës
Balidemajve të Malësisë
Krenari, malësorë Malësie
Ngadhënjeni si dasmorë
(Nju Jork, 04.04)

KRENARI E TRISHTË
/ A. Shkrelit /

Shkrel e Titan
Krenari e trisht
Mbi Bjeshkët e Nemuna
Karvani i Bardhë u ndal
Muzat pushuan mbi kroje
E mbetën të etura
Në Sanxhakun e lartë
Trungjet plakur e mbete
Filizat nuk na njohin
Krra, krra, fat i shkretë
(Shrecksbah, l995)

MIK E VËLLA
/ Z. Halilit /

Kur frynte era katundisht
Ngushëllonte edhe hija e buzëqeshje
Suferina ta plogështoi zemrën
Pastaj si ndalje lotët
Diellin dëshirove për të harruarit
Për zemërvrarët rreze të ngrohta
Që ti përjetojnë si Bota

Ishte shtrëngim i madh duarsh
Përqafim vëllazëror në shkurt
Ndarja e madhe pasoi në gusht
Kurrë më së bashku në katin e gjashtë
Nga dritarja që fliste aq këndshëm
As në Pallatin e Shkronjave
Ëndrrat nuk do të na rrëshqasin
Ecejaket nuk do të ndalen
Nga pallati në pallat
Ne të dy si fëmijë bonjakë
(8.05.’94. Tren, Giessen)

LIRI

Të shoh në fytyrën e fëmijëve
Të shoh në mirësinë e nënës
Të shoh në burrërinë e babës
Të shoh në dashurinë e të dashurës
Ende nuk të shoh në vendin tim
(24.06. ’93, Schlüsselfeld)

ECJE

Ec e ec shqiptarët
Cakun nuk e gjetën
Fajet i ka Koka
Fajet si ka Bota
Sbëri gjë Evropa

Ec e ec shqiptarët
Dy hapa përpara
Një hap prapa
Merren me pasojat
Vuajnë nga lëngata
Fajet i ka Bota
Shohin ëndrra të kota

Ec e ec shqiptarët
Degën nën këmbë presin
Arritën të bëjnë “shtetin”
Dy shpata për të tjerët
Një e mbajnë për vete
Qejfe bëjnë si mëhalla
Me këngë e me bejte
(19.05.2005, Breckerfeld)

ACARI

Kur vetmia të rrethon
Robëria të behët kurorë
Kur në log thahet rrapi
Atdheu mbulohet me borë
Kur një vend e mban xhelati
Krijuesit akulli i mbulon
Atëherë Bota kthehet mbrapa
Truri i kombit nuk punon

 

DY TAKIME ME PRISHTINËN

Nga burgu i Prokupjes dhe i Nishit, dy herë më kanë dërguar për përsëritje të hetimeve për shkak të thyerjes së burgut të Prishtinës së bashku me Muhamer Shabanin, dhe disa shokë të tjerë. Muhameri arriti që të largohet, ndersa unë mbeta në kulëm të burgut për shkak të këputjes së “konopit” të improvizuar.

TAKIMI I PARË

 

Tash po shoh qytetin tim nëpër gishtërinj,
Shumë ditë e vjet u bënë, edhe një here arrij.
Nuk di kur do të takohem me rrugët tua valore,
Lumin s´do ta shoh më; po vetëm lagjet pupëlore,
Tregjet namë-mëdha dhe plepat shtatgjatë,
Me korbat e zëshëm , për rreth duke krrokatë!
Lulëkuqet në mes sheshit të endjes së madhe,
Kur do t´i shoh vallë çuna e çupa shtojzovalle?
Nuk jam me rritën, por do t´i shoh si filizë,
Më nuk do të endem në shetitoren e rinisë.
S´do t´ua ndiej aromën luleve të vërrinit,
S`di a do të pushoj më nën hije të blinit?

Ja, po arrij tashpër ta shtyrë takimin,
S´më hiqet dot nga zemra për ju përmallimi.
Pezmi ka zënë rrënjë dhe sapo trazohet,
Shpirti dhe zemra nuk më varfërohen.
Takimi mu në zemër të kujtimeve të rinisë,
Duke u përpëlitur si qepallat prej hutisë.
Shpatë e Demokleut me terezi të vjetra,
A mund të ngadhnjejë ndonjëherë e drejta?
Kështu si jemi çfarë të të them s´e di,
Do të ishte mirë të mos vije bile Ti!*
Të na takohen shikimet, zemra të na thyhet,
T`na përflaken kujtimet afria t´mos na shlyhet.
Kur krahpërkrahu kalonim pranë shtëpisë „parë“,
të ndërtuar nga djersa e popullit „vullnetarë“.

Shkallët e ngurta të kohës bien e lartësohen,
Me jetërat e njerëzve bëjnë çejf e argëtohen!
E pashë lumthin grrellë herën e kaluar,
Si shpirti i armikut tanë të përbetuar;
Po tash nuk e shoh në zemër toke të shpuar.
Nuk po shoh asgjë nëpër grila e vrima,
Vetëm dritare, balkone dhe ca degë lisash.
A do të shoh dikë si atëherë çupa çapkëne,
Me flokë kaçurrela që e njihja dikur?
Ajo s´e ka ndier që pranë saj në rrugë,
Kalon një i njohur që tash është i huaj.
Ecte pa brenga flokët i farfuriste,
Valët e moshës së bardhë i nanuriste.

Në rrugëkryqin mes Prishtinës, i vetëm,
Përpara e kisha sheshin e Universitetit.
Më përfytyrohet momenti i qëndrimit,
Në autoburg duke e pritur gjykimin!
Nëpër vrima e shikoja rrugën karshi,
Athua do t´i shihja të ndashurit e mi?
Sa herë kam kaluar përngutë aty pari,
Më kanë sjellë mu aty zemrat si acari ;
Që të mund të shoh, për të mos më parë!
Rast më të çuditshëm nuk e di a ka,
Të jem e të mos jem, njëherësh si më ra!

I njejti park me të njejtat figura,
Me drunj zbukurues dhe me ca statuja,
Si gjakimet tona kurrë të papërfunduara.
Ndërtesa e thjeshtë e Universitetit ndriste,
Tutje dukeshin sytë e mëdhenj të Bibliotekës,
Të qeleshebardhës, krenarisë së qytetit.

E shoh Pallatin, kujtimet ku më ngujohen,
Që kurrë më në jetë nuk do të harrohen.
Ëshë një dritare jete në katin e gjashtë,
Ku pata shumë ëndërra e nuk pata fat!
Armiku na gërryen si krimbi i zi,
Po, fundi do t´i vie njëherë edhe atij.

Ky rrugëkryq seç ma kujton orën,
Momentin e fundit dikur të një kohe.
Aty u ndava me një pjesë të jetës,
Mu përpara Pallatit të Universitetit.*
Sa pata dëshirë të shoh ndonjë fytyrë,
Për mua të dashur edhe të dlirë.
Jo, nuk kaloi dot askush aty pari,
Nga ata që donte të m´i shohë xhani.
Kalonin fytyra të reja e të vjetra,
Por, të njohur kund asnjë nuk e gjeta.
Athua vallë njerëzit paskan ndërruar,
Apo ndoshta fare i paskam harruar!
 

Jo s´mund të ndodhë diçka e tillë,
Por nuk kam fat këtë e di mirë.
Dëgjoja zëra pranë semaforit,
nxitonin njerëzit atë ditë të shtatorit.
E si më dukeshin të gjithë disi ndryshe,
janë ç´mësuar sytë nga ato rrugëkryqe!
Aty qëndrova gjatë me askë pa folur,
Dhe do të shikoja edhe shumë orë;
Vetem që të shihja dike kah kalon,
Mallin e të kaluarës që t`ma shkon!

Fati nuk e do, mu dasht që të iku,
Erdha si hije kujtimet që t´i ç`kyçi.
Lamtumirë rrugëkryq i qytetit tim të mirë,
Do të qëndroja ende me shumë dëshirë;
Po s´jam në duar të vetvetes sime,
Ju lë për ca çaste se më pret gjykimi!

Shoku i rinisë më shikoi, u takuam ballë për ballë,*
I hutuar së tepërmi s´më tha gjykim i mbarë!
Jo shoko, s´mundesh, s´të shkoi ndërmend,
Nuk e pritje takimin në të tillë vend!
Pse nuk kemi lindur në kohë më të mirë,
Kur lulëzojnë blinjtë me aromë të dlirë.
E shikova rrugën pak kishte ndërruar,
Disa shtëpi të reja me çatitë gufuar.
Asnjë fytyrë të njohur s´arrita ta shoh,
Sa janë ndërruar , ka kaluar shumë kohë.
Tregu gumëzhinte, njerëzit varg e vi,
Me zemër i urova, u thashë lamtumirë!

Të kisha pasë një pëllumb lajmëtar të mirë,
Dhe të m´i ftojë pranë të dashurit e mi,
Ju kalova pranë dyerve të mirënjohura,
S´u hapen për mua, dhomat s´qenë të ngrohura!
Nuk qenë mikpritëse për herë të dytë,
Atëherë kur dola dhe tash duke ikë!
Po ta dinin fëmijët do të dilnin me vrap,
Të ma bënin me dorë që të ndalem pak.
T´i marr në krah dhe t´i përqafoj,
Ato duar të vogëla t´jua ledhatoj!

Sytë e përbinë syprinën, në qytet më mbetën,
Shkolla më kujtoi Eminin e rinia Ganimeten.*
Për çka e flijuan veten në lulen e rinisë,
Që ta njomin këtë Tokë, ferra më t´mos nisë.
Dielli t´i ngrohë gjithkah lulet, trëndofilat,
Të lirë të jenë gjithnjë, të këndojnë bilbilat.
Kurorë në kodër të qytetit me emra të njohur,
Dëshmorë të papërkulur u flijuan për popull.
Hapi i tyre nuk ishte i madh sa gëzimi,
Nuk u mbulua gremina, nuk u bë kushtrimi!

(Burgu i Nishit, 25 Shtator 1988)

TAKIMI I DYTË

Prishtinë,
Erdha edhe një here të të shoh nga afër,
Qyteti im i dashur, ku kalova rininë.
Jam përmalluar për kulmet tua të çrregullta,
Për lagjen tonë të Trimave e për Prishtinkën.
Thashë, do të të shikoj sa më lënë vrima e grila.
Me padurim disa ditë kam menduar për Ty këtu
Prishtinë pak kishe ndryshuar, drita ime blu.
Do t´m´i ruajsh kujtimet, dëshirat e rinisë,
Si lulet në pranverë në degët e qershisë.
E mirë është pranvera në këtë mqytetin tim,
Mbrenda një stine na ndërrohen tre stinë,
E mirë është vera, por në vjeshtë do të vij.
Kësaj here vi të të shikoj nëpër grila e vrima
Edhe për disa kohë ta shtyej takimin e pritur.*
Vi me shpresa dhe me ca dëshira të vogëla,
Të t´i shoh përftim ato fusha e kodra.
T´i shoh ata blinjë dhe ndoj krua pranë rrugës
Këmbësorët e lodhur ku bëjnë freski;
Sa ëndërroj t´i shoh të dashurit e mi
E të çmallem pakëz me ata çilimi.

Pranë rrugës sime kalova e dyta herë sivjet,
Dhe nuk pashë askë që t´mi zgjojë kujtimet
Nga jeta e padjallëzuar e rinisë time dikur.
Lumin kishin mbuluar ta fshehin pakujdesinë,
Te kroi i dikurshëm ishte bërë rrugëkryqi,
Ku pinin ujë kalimtarët e rastit,
Çapkënët nuk kapërdiseshin si dikur.

E shterpë mbeti shpresa edhe këtë herë
Athua vetëm një herë më ka ndodhur në jetë?
Si hija e mureve të ftohta me plot lagështi,
Për mbrojtjen e të drejtës dhe të shtrenjtës Liri.
Letrat udhëtojnë gjatë që të mos arrijnë kurrë,
Si mendimet e Gjordanos po digjen në turrë,
Pika në zemër të zhuritur më mbetën gurrë…
Po mi brenë ngadalë trup e kockë një ilet
Kur do ta shohin dritën kjo tokë e këta njerëz.
Sa pritja t´ju shoh e t´ua ledhatoja duart
Bashk me qytetin tim të rinisë së ngrysur.
Nuk ju ka shkuar ndërmend se jam afër jush,
As treqind metra s´arrita t´i kaloj dot
Që të më ngrohnit në mërzinë e shogtë!

Çka ju tha postieri, ia zutë besë rrëfimin,
A ëndërr ju dukej, pse nuk ju kam shkruar.
J´ua shkrova disa fjalë: nëse doni të më shihni*
Kurrë s´më janë plotësuar dëshirat, sa di,
Edhe se nuk kam kërkuar të pamundurën.
Nuk kam dashur tjetrit t´ia marr gëzimin,
Donja vetëm pakëz ta lë anash tundimin.
N`banka askush prapa meje, me ftohtësi rrethuar,
Në Prishtinën time pa fat nën hije të huaj.

Nuk mendoja procesin, punë e kryer moti,
Po mendoja vetmevete, athua vallë pse ne,
Në kohën e sotme paskemi një fat të tillë?
Apo ndoshta dikush me kënaqësi luan pak,
Me fatin tone qëmoti të mbetur bonjak.
Sa burra dergjen burgjeve, vajza djem të ri
Guxuan të thonë të vërtetën troç për Liri.
Sa nëna mbetën me duar në gji,
Sa gra të veja duke rritur fëmijë.

Përfundoi edhe një ditë e zezë, këllirë
Nuk realizohet asnjë dëshirë e dlirë.
Smira gllabëron vitet e jetës…
Jetë e varfër rrethuar keq nga smirëzinjtë.
Ju lash lamtumirën me mendje e me shpirtë,
Nëpërmjet shikimit të vuajtur të postierit plak,
Që arriti i frikësuar, pas tre ditësh në cak.
Mbrëmja qe e ftohtë, si qeli burgu osman,*
Zemra e ngrysur, pa buzëqeshje pa ag.
Ju dua me afsh i dehur, si e dua Diellin,
Këtu, në skëterrë të Dantes, ma hapni qiellin,
Sa i kam ëndërruar dëshirat e parealizuara.
Më përfytyrohet Zukë postieri mezoburrë
Që u ndal buzë shkallëve të gjyqit si gur,
Sikur kujtohej a më ka pa ndonjëherë tjetër,
Athua ma ka dhënë mua ndonjë letër.
Fytyra ime i është kujtuar, pa dyshim, mirë
Po bileçet dhe veshja i vinin si vështirë.
Vjeshtë ishte ajo ditë, vjeshtë edhe në jetë,
Qetësi dukej jashtë e brendë furtunë e dredhë.
Dëshirat mbetën të shtypura te ju dhe te unë,
Vetëm një hap na ndante si të ishte një lum.

Vrragët e viteve në ballë të nënës plakë,
Nuk e pashë edhe këtë herë jo, vetëm pak,
Që të ma thoshte ndonjë fjalë të urtë…
S´e pashë babanë me shikim të mprehtë,
- Të huajt na ndanë për shumë e shumë vjet,
Në fëmijërinë time dhe në pleqërinë e tij.
Kurrë të rehatuar, me të papritura varg
Mjerimet na vërshuan nga pragu në prag.
Na u trazuan ditët në pritje të bëhet ag
Si gjethet në vjeshtë të strukura nën gardh.

S´kemi kah t´ia mbajmë, rrugë s`na kanë mbetë,
Të kujtojmë të ardhmen, jo kohën që ka tretë.
E tillë qenka jeta me furtunë e stihi motesh
Për ne s´pushoi kurrë që në lashtësi kohe.
Duhet të qëndrojmë pa u përkulur kurrë
Valët e jetës si duket po rrjedhkan si lumë.
Lum i madh e i gjatë na qenkan vuajtjet
Jeta për ne paska qenë njerkë sa s´thuhet.
Do të mbesin ca ditë, ndoshta edhe për ne
Sa të shohim hapë edhe pak dritë për ne.
Të tjerët mendojnë t´i arrijnë planetet larg,
Ne s´mund të qëndrojmë tok në tonin prag.
Të tjerët janë ngopur me paqe e dritë,
Ne s´mundemi t`i mbajmë n`prehër fëmijët
Të tjerët çuditen, këtu luajnë thika e topa
Gjera të tilla, nuk do t´i durojë Evropa.
Më janë tharë gjunjtë, shikimi mu ka tretur
Për ujë t`burimeve tona fyti mu ka terur.
Nuk e besojnë njerëzit se ne kemi mall
Edhe ajër të pastër jashtë për të marrë.

A i morët letrat që jua pata shkruar
Më besoni, me kohë i pata dërguar.
Nuk i shkruaj këto vargje nga asfarë mllefi,
Por , nga shpirti dalin disi prej vetveti.
Sa kohë kaloi vallë i ndarë nga jeta,
N´arkivol i gjallë në të tilla erëra.
Nuk po ankohem, vërtetë, as nuk kam mërzi
Vetëm thellë diçka më mundon në gji.

Sado i vogël jam unë në veten time
Kam ndjenja që më zgjojnë kujtime…
Ja që ika shpejt pa ju thënë lamtumirë,
Pa jua pare buzëqeshjen, dorën pa jua shtrirë.
Ju ndoshta bëni plane që t´vini te unë,
Mua furtuna me solli n´gjyq jo larg jush.

Tash rri i strukur n´çeli, shokët më bëjnë pyetje,*
S´kam çka t´ju përgjigjem, fytyrat e tyre ngrysen.
U çmalla me qytetin tim n´parakalim nëpër grila
Sa më lejuan vrimat si uji vrull nëpër currila.
Ta kaloj këtë kohë, tash që më ka mbetur,
Kur do të këthehem nuk do ta lë tjetër,
Nëse e do puna, do të ndahem me jetën.

(Burgu i Nishit, më 3 korrik 1989)

Post Scriptum:

As gjuha as Kombi Shqiptar nuk vriten. Një natë para se ta vrisnin shovenistët serb në pabesi Mësuesin Shtjefën Gjeçovin, ai i mblidhte Nxënësit e vet në fshatin Zym të Prizrenit, dhe pas mësimit i përsëriste këto fjalë: ,,Shqypnija asht vendi ku kena le, e na jena vetëm Shqiptarë. Gjuha jonë asht Shqipja. Mos i harroni kurrë fëmijë të dashur!". Dhe po atë mbrëmje, kur kthehej nga shkolla për në shtëpi, rojtari i shkollës i tha: Ruaju! Armiqtë të kanë vu në shenjë dhe nuk durojnë më këtë shkollë. ,,Ani, çka, u përgjegj At Shtjefën Gjeçovi duke qeshur. Mua mund të më vrasin, por gjuhën dhe kombin shqiptar s'mund ti vrasin kurrë!". (E postoi në Fb: Jeronim Çetta)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat