Në 28-vjetorin e LDK-së në Beneluks

Diaspora

Në 28-vjetorin e LDK-së në Beneluks

Më: 14 maj 2018 Në ora: 22:47
28-vjetori i LDK-së në Beneluks

Dje, me dt. 13/05/2018, në Bruksel, ishim të ftuar në 28-vjetorin e themelimit të degës së LDK-së për Beneluks. Ne këtë ceremoni ishin prezent nga KoNë 28-vjetorin e LDK-së në Benelukssova, nën-Kryetari i LDK-së, z. Haki Rugova, Deputeti dhe heroi i betejës së Kosharës, z. Anton Quni, dhe koordinatori për degët e LDK-së jashtë vendit, ish-deputeti, z. Salih Morina.

Me këtë rast, pata kënaqësinë dhe nderin të marr në dorëzim një “Mirënjohje për kontributin e dhënë në LDK dhe për lirinë e Kosovës”.

Falënderoj veçanërisht kryetarin e degës LDK për Beneluks, z. Bahtir Kastrati, dhe sekretarin, z. Xhavit Belaj, për respektin.

Më poshtë gjeni fjalën time përshëndetëse.

FJALIM ME RASTIN E 28-VJETORIT TË THEMELIMIT TË DEGËS LDK PËR BENELUKS

Hirësia Juaj, fort i nderuar Imam Nuhi Shaqiri,

I nderuar Kryetar i Degës LDK-së për Beneluks, z. Bahtir Kastrati,

Të nderuar z. Haki Rugova, Anton Quni dhe Salih Morina,

Të nderuar deputetë,

Të dashur miq,

Zonja dhe Zotërinj,

Kur mora ftesën nga z. Bahtir Kastrati për këtë aktivitet përkujtimor të 28-vjetorit të themelimit të degës së LDK-së për Beneluks, shoqëruar me një propozim për të mbajtur një fjalë përshëndetëse në formë kumtese të shkurtër lidhur me këtë ngjarje, më kaluan ndërmend shumë momente që kemi përjetuar bashkërisht qysh prej orëve të para të formimit të degës tuaj.

Vitet ’90 ishin pa dyshim vite të vështira dhe të pasigurta për të ardhmen e Kosovës dhe emigracioni i vjetër antikomunist, ku PLL luante një rol qëndror, i kishte tashmë përjetuar dhe ndarë, gjatë dekadës 80, të gjitha ngjarjet tragjike të popullit shqiptar në Kosovë.

Ai ishte mobilizuar disa herë në mbrojtje të të drejtave të vëllezërve dhe motrave tona duke organizuar protestat e para të fillim viteve ’80 për të ndërgjegjësuar opinionin ndërkombëtar në padrejtësitë, dhunën dhe krimet që diktatura sllavo-komuniste po ushtronte në popullin tonë në Kosovë dhe mbarë trojet etnike shqiptare.

Ishte arritur jetësimi i bashkimit të mërgatës antikomuniste në Këshillin e Përbashkët të Nacionalistëve Shqiptarë dhe ishin angazhuar shumë vullnetarë në Ushtrinë Kombëtare për Çlirimin e Shqipërisë Etnike që kishte themeluar Mbreti Leka në fund të viteve ’70.

Mërgata antikomuniste ishte e përcaktuar qartë dhe vendosmërisht për të vazhduar dhe intensifikuar përpjekjet e veta në dobi të lirisë, pavarësisë dhe demokracisë për të gjithë shqiptarët dhe për ta çliruar Kosovën nga robëria.

Në këto kushte, krijimi i LDK-së në Kosovë dhe, më pas, i degëve të saja në radhët e mërgatës shqiptare, sidomos asaj të Belgjikës, u prit me entuziazëm nga nacionalistët shqiptarë aq më tepër ngaqë po shtoheshin energji të reja dhe të vendosura për të mbrojtur bashkë me ne dhe në mënyrë institucionale pavarësinë e Kosovës.

Ishte pra e pritshme që bashkëpunimi ndërmjet nesh do të ishte i natyrshëm dhe se do të sillte rezultate të prekshme pasi ky bashkëpunim do të mobilizonte shumicën e bashkatdhetarëve tanë ashtu siç kishte ndodhur në Kosovë ku pothuajse mbarë populli shqiptar ishte rreshtuar përkrah LDK-së dhe liderit të saj historik, frymëzuesit dhe arkitektit të pavarësisë, Presidentit Ibrahim Rugova.

Edhepse atëbotë isha në moshë të re, kujtoj të gjitha iniciativat dhe aktivitetet që dega e re e LDK-së për Beneluks realizoi bashkë me degën e PLL në Belgjikë që kisha nderin të kryesoj.

Shpesh herë përmenden protestat përpara selive të BE dhe NATO-së dhe ndonëse sot protestat janë bërë në shumicën e rasteve gati bajate dhe përdoren për qëllime të tjera, në kushtet e asaj kohe, sidomos gjatë luftës, rendësia e tyre ishte thelbësore sepse përtej sensibilizimit të opinionit publik perëndimor, synimi ishte edhe për t’i dhënë me kuptu popullit tonë brenda Kosovës se ata nuk ishin të vetmuar dhe për t’i dhënë forcë e vullnet me rezistu dhe mos me u dorëzu.

Përveç protestave, arkivat tona pasqyrojnë një aktivitet të ngjeshur takimesh me zyrtarë të BE dhe NATO-së, me pothuajse mbarë kancelaritë e vendeve mike dhe aleate në Bruksel si dhe me shtypin perëndimor për t’i informuar mbi gjendjen reale në Kosovë, genocidin dhe spastrimin etnik që vuante populli shqiptar dhe për të lobuar në favor të pavarësisë për Kosovën.

Në çdo përpjekje koordinimi me degën e LDK-së në Bruksel ishte i plotë sepse përveçse ishim të ndërgjegjshëm se emëruesi ynë i përbashkët me LDK ishte kombëtarizmi dhe aspirata e kahershme e mbarë popullit shqiptar për pavarësi, nga përvoja jonë ishim të vetëdijshëm se përtej armikut dhe kundërshtarit serb, kishim edhe sfida ndër-shqiptare ku dukej qartë përballja ndërmjet majtistëve internacionalistë, kryesisht marksistë-leninistë-enveristë, dhe djathtistëve rugovistë.

Thuhet se historia përsëritet dhe në analizën post-factum kemi të drejtë të nxjerrim krahasime të habitshme ndërmjet përpjekjet e komunistëve gjatë LDB në Shqipëri, madje edhe me ndihmën perëndimore, për asgjësimin e faktorit kombëtarist dhe shtetformues dhe për marrjen e pushtetit, dhe ngjarjet korrente në Kosovë gjatë dhe pas luftës së fundit për dobësimin e LDK-së dhe të Presidentit Rugova dhe për marrjen e pushtetit...

Të edukuar me frymën atdhetare dhe kombëtariste të Zogizmit dhe duke trashëguar mësimet e Gjeneral Abaz Kupit dhe të mbarë atyre që nuk kursyen asnjë sakrificë për t’i shërbyer Atdheut dhe Kombit, pa pritë asgjë në këmbim por vetëm duke konsideru se po e kryejnë detyrën e tyre, dega e PLL në Belgjikë dhe anëtarësia jonë i kanë dhënë mbështetjen e tyre institucionale LDK-së dhe degës së saj në Beneluks sa herë që është paraqitur nevoja dhe kam bindjen se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Sepse ne dijmë të bëjmë dallimin ndërmjet të djathtëve dhe të majtëve, ndërmjet kombëtaristëve dhe internacionalistëve apo globalistëve të kohërave moderne, ndërmjet atyre që realisht kanë shkrirë të gjitha energjitë e tyre për t’i shërbyer interesit të Kosovës dhe popullit saj dhe atyre që shkrijnë energjitë e Kosovës dhe popullit saj për t’i shërbyer interesit të tyre, si dhe ndërmjet atyre që i kanë dhënë Kosovës dhe kombit tonë dhe atyre që përfitojnë prej tyre.

Në këtë ceremoni përkujtimore të 28-vjetorit të themelimit të degës së LDK-së për Beneluks dhe të aktiviteteve tuaja të pandërprera në shërbim të pavarësisë së Kosovës, të konsolidimit të shtetit te ri dhe në dobi të kombit shqiptar, gjej shkas t’ju bëj homazh me përunjësi për angazhimin e tyre kolegëve të djeshëm siç ishin i ndjeri Gani Azemi, por edhe zotërinjtë Ismail Bytyçi, Ibish Lipaj, Ramiz Zekolli, Ramadan Gashi e Hysen Demiri me shokë, dhe t’i uroj degës tuaj me në krye kryetarin, z. Bahtir Kastrati dhe sekretarin, z. Xhavit Belaj, suksese në vazhdim.

Ju falemnderit,

Sulejman Gjana

Image
Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat