Orë letrare në Knittelfeld të Austrisë

Diaspora

Orë letrare në Knittelfeld të Austrisë

Nga: Besim Xhelili Më: 28 maj 2018 Në ora: 06:06
Orë letrare në Knittelfeld të Austrisë

Vjenë/Knittelfeld, Austri

Me rastin e vizitës dhe në shenjë respekti të autorit nga Kosova, Berat Luzha, ku dhe u përurua vepra e tij voluminoze me 4 vëllime “Arkivi i luftës”, shoqata “Dardania” nga Knittelfeldi si nikoqire, në bashkëpunim me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu”, Vjenë dhe me Këshillin Koordinues të Shoqatave Shqiptare për Steiermark, bashkëorganizuan paraprakisht një orë letrare. Morën pjesë krijues të shumtë nga vise të ndryshme të Austrisë, të cilët sollën para të pranishmëve vargje të bukura dhe përplot emocione.

Në pjesën e parë të këtij aktiviteti kulturor me krijimet e tyre u paraqitën autorët Vjollca Koni, Ragip Dragusha, Mërgim Osmani, Anton Marku, Besim Xhelili, Mentor Gashi (poezi nga Berat Luzha), Hysni Helshani (poezi nga Ruzhdi Gashi, përcjellur me kavall nga Isuf Tërshani), Lora Iballi dhe Edona Zekolli (poezi nga Ragip Dragusha). Për mbarëvajtjen e programit dhe formën artistike u përkujdes moderatorja Marigona Rexhaj, kurse fëmijët lexuan me shumë zell vargje nga disa autorë, si dhe kënduan me krenari e plot entuziazëm himnin kombëtar shqiptar në hapjen e programit. 

Image                        

Pjesa e dytë i takoi përurimit të veprës së autorit Berat Luzha, për të cilën me një vështrim u paraqit Mentor Gashi. Ai së pari dha një paraqitje të shkurtër mbi të dhënat biografike të autorit, për të vazhduar pastaj me subjektin dhe ngjarjet faktografike që autori ka hedhur në brendi të librit të tij. Ndërsa autori Berat Luzha, duke u falënderuar për ftesën që të jetë mysafir nderi në këtë aktivitet, shprehi mirënjohje për mërgimtarët, të cilët përveç se jetojnë larg atdheut, ata tashmë ndajnë kohën e tyre të çmuar edhe për veprime kulturore, duke u bërë një shembull i mirë i integrimit në viset ku janë vendosur të jetojnë dhe duke qenë njëkohësisht të lidhur me vendlindjen. “Ndjehem i nderuar të jem në mesin tuaj, jam mirënjohës për praninë tuaj dhe i falënderoj organizatorët e këtij takimi. Jam munduar që në veprën që kemi përpara të dokumentoj atë kohë të vështirë të luftës, sakrificës, të rrezikut dhe të spastrimit etnik në Kosovë, u shpreh mes tjerash z. Luzha.

Image

Në fund u shtrua një koktej rasti me ushqime e pije të ndryshme tradicionale shqiptare, për të cilat duhet falënderuar të gjitha ato gra e motra që kishin përgatitur këto ushqime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat