Vlera letrare nga mërgata shqiptare

Diaspora

Vlera letrare nga mërgata shqiptare

Nga: Baki Ymeri Më: 24 qershor 2018 Në ora: 12:05
Sylë Bajrami

Sylë Bajrami është një poet i etshëm për ide, për njohje, për ta parë të bashkuar shqiptarinë, për të vërtetën dhe korektësinë. Ai është lojal, jokonformist dhe rebel në kuptimin pozitiv të fjalës, por edhe i pajisur me dhuntinë e fjalës dhe të krijimit. Poeti i ka dhuruar mërgatës sonë një vëllim impresionant me vargje mbresëlënëse („Një copë Atdhe”). Ai i freskon faqet e Facebokut me vlera të reja letrare dhe atdhetare. Fjala e tij është lajtmotivi me konotacione të shumëfishta. Nëpërmjet saj ai i transmeton lexuesit kërkimet dhe përmallimet, dramat e shoqërisë dhe shqetsimet e shpirtit, disa madje, fuqimisht të reflektuara me sintagma metaforike dhe shprehje sugjestive, sinteza që reflektohen edhe në titujt e poezive të tij, që joshin vëmendjen, zgjojnë kuriozitetin, por edhe interesimin për të depërtuar në universin e përjetimeve të brendshme që e trazojnë shpirtin e poetit. Autori manipulon me ironinë duke ia dhënë vendin e përshtatshëm në poezi: „Ç'është ky djali, sikur zog sorre/ herë në një degë e herë në një rrem. A e din kush ku e ka hallin, a e din kush ku po i dhemb? Sa për kombin e sa për shtetin/ sa për popull sa për parti. A ka mbetë pa post pushteti, a tarquku pa taxhi. A i ka ra truni nër shputa/ apo gjaku ujë i është ba./ Herë thot turk e herë gabel/ herë thot rus herë thot jam shka. Veç shqiptarë thot s'kam qenë kurrë/ As ky vend s'është kanë Shqypni!! (Për ty që nuk e din kush je!)

Sylë Bajrami është njëri nga poetët më të inspiruar të mërgatës shqiptare. Në vargjet e autorit ballafaqohemi me revolta përfytyrimesh poetike, disa madje të rënda e të ashpërta, por jo vulgare. Të gjitha këto në adresë të një bote ku e mbajmë në shpinë ekzistencën, një botë që ka nevojë për harmoni, mirësi e lumturi. Autori është gjithmonë në kërkimin e një horizonti të ri. Herë pas here e fshikullon gënjeshtrën dhe zhgënjimin, duke kërkuar një rrugë korekte të pjesëmarrjes harmonike në kuadrin evolutiv të vlerave të atdheut dhe cikleve të planetit: „Secili prej nesh/ Atdheun e sheh në një përceptim të veçantë. Dhe e ndjen në një kolorit ndjenjash? Që dallojnë, veç e veç, tek secili. Dikush Atdheun e sheh si Djep! Dikush e sheh si Sofër!/ Dikush e sheh si Arë!/ Një tjetër e sheh si Bankomat! Ka të tjërë që e shohin si Varr! Ka edhe të atillë Që Atdheun e shohin si Sallë Kinemaje!” (Me shkas – ne dhe Atdheu).

Sylë Bajrami është një njeriu vështron, ëndërron, analizon dhe sheh ide. Satisfaksioni i vetëdijes së tij është fakti se ke bërë diçka të mirë për të cilën meriton të jetosh! Poeti gjithmonë e kërkon vetëveten dhe të vërtetën. Në horizontin e vizioneve të tij gjendet njeriu që e vlerëson të mirën dhe demaskon ligësinë: „Vetëvetes i thua, pasha këtë Tokë!/ I vetëm, shekujsh mbetun Jetim, Pa vëllezër, pa miqë e pa shokë/ Hija jote, si orë e Diellit, Prekte qoshet e Shqipërisë/ Herë majë bjeshkëve e herë në det, Thurrej si Kurorë e Lavdise, Balli yt, si kreshtë mali, nuk shembej. Rrallë takohej me gëzimet, As kur e gjuanin, tinëzisht, nuk trembej As nga lakejtë, nuk i besonte premtimet!” (Balli yt).

Shpërngulja, mërgimi apo ekzili, është pjesë e destinit shqiptar. Mërgimi fizik dhe shpirtëror është një fenomen që ndërlidhet me destinin letërsisë dhe të kulturës shqiptare. Me fjalë të tjera, ai është shenja fenomenologjike e përjetshme, jo vetëm te shqiptarët, duke u konsideruar si një mallkim dhe mëkat që ndërlidhet me pushtimin e huaj apo varfërinë. Motivet e braktisjes së atdheut janë absolutisht të qarta. Mërgimi vjen si pasojë e feudalizmit shqiptar dikurë, dhe e katastrofës komuniste më vonë, sidomos e shkretërimit ekonomik dhe social të Kosovës nga diktatura serbe. Por, kjo nuk don të thotë se shqiptarët kanë shpëtuar nga kjo plagë sociale pas çrobërimit të atdheut nga pushtuesit e huaj. Shpërngulja shqiptare vazhdon sot e kësaj dite si pasojë e papjekurisë politike dhe patriotike të „kungujve” tanë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, Maqedoni dhe gjetiu.

Këtë blasfemi e kanë përjetuar edhe vetë krijuesit e kësaj gjinie lirike. Rikuperimi i mërgatës kulturore shqiptare duhet të bëhet një nga preokupimet urgjente dhe konstante sa i përket konfigurimit të një përfytyrimi kompleks dhe komplet të spiritualitetit tonë. Kontributi i shkrimtarëve të ekzislit është i vlerësuar pozitivisht nga kritika letrare. Veprat e tyre na janë të nevojshme, siç është e nevojshme edhe eksperienca e tyre. Për mërgatën shqiptare ende nuk ekziston ndonjë përfytyrim i përgjithshëm në formë sinteze të tipit ideologjik, historik apo sociologjik, ndonjë enciklopedi specifike, apo ndonjë revistë adekuate. Ekzistojnë disa shoqata të drejtuara nga do individë të talentuar, apo do tjerë të dështuar në këtë teren letrar dhe kombëtar.

Sylë Bajrami jeton dhe krijon në botën e pasur gjermane ku ka kulturë dhe identitet. Ai vjen para nesh me poezinë „Malli i gurbetqarit”, e shkruar „në një qoshe të një rruge të huaj/ në një bankë të një parku të vjetër”. Poeti rri i vetmuar dhe mediton „për një vend dhe për një kohë tjetër.” Ai flet me vetëveten „si në odë të burrave”: „Një gulçim që më del nga shpirti/ më trazon s'më lën rehat.” Dhe më tej: „Fluturojmë më shpejtë se era për me shku në ato troje ku i kam mbushë njëzetë pranvera.” Jo vetëm ai, në gurbet shkoi prej hallit: „Shkon një mbret e vjen një tjetër deri sot jan ndërru disa vetëm unë ai lisi i vjetër kam vendos këtu me u tha.” Poezi e gjatë kushtuar atdheut, me një përfundim interesant dhe impresionues: „Është ky mall që zbret me lotin që e bart unë në këtë tretëdhe rrugëve të huaja tuj e shkue motin tuj andërru një copë Atdhe.” (Bukuresht, 25 Qershor 2018)

BIOBIBLIOGRAFI

Selman Bajram Sylaj (Sylë Bajrami) u lind më 10 Qershor 1959 në Kishnarekë të Drenicës (Republika e Kosovës). Shkollimin fillestar e kreu në fshatin e lindjes dhe në Nekovc, kurse gjimanzin në Gllogovc (Drenas). Ka mbaruar studimet për Filozofi-Sociologji në Universitetin e Prishtinës. Me shkrime ka filluar të merret që nga koha e studimeve, por poezinë e parë e ka botuar në revistën „Alternativa” që delte në Lubjanë të Sllovenisë. Ka qenë prezent me botime edhe në „Bota Sot” etj. Që nga viti 1987 jeton, punon dhe krijon në Gjermani. Libri i tij i parë mban titullin „Një copë atdhe” (Rugova Art, Prishtinë 2013). Në vitin 2018, Sylë Bajrami prezantohet për herë të parë në faqet e revistës „Shqiptari” me 50 faqe në kolor, me poezi, fotografi dhe vlerësime kritike. (Baki Ymeri)

LOTI PËR TË GJALLËT

Të vdekurit i qani kot
Ata, as nuk dëgjojnë,
As nuk shohin lotë.

Po i patët mall,
Qani për të gjallë!

PORTRET FILLIMSHEKULLI

Në tërthoret e ngjitjes, u bëre litar.
Në të dy skajet, nga një qafore thurrë.
Njerën e kishe për miqë, sot e nesër.
Tjetrën e ruaje për veten, dikurë.

PËR ÇKA LUFTUAM?

 

A mos luftuam që mandej

gjithëçka ta shndërrojmë në Lojë!?
Lojë me Zgjedhje
Lojë me Qeveri
Lojë me Shtet
Lojë me vetëvetën

Përderisa të tjerët

Bëjnë LUFTË me ne.
Apo, ndoshta ishim

Dhe mbetëm Objekt për Lojë!?

MALLI I GURBETQARIT!

Në një qoshe të një rruge të huaj
në një bankë të një parku të vjetër
rri i vetëm e mendohem
për një vend për një kohë tjetër.

Flas me veten si në odë të burrave
por e dij - jam fillekatë
një gulçim që më del nga shpirti
më trazon s'më lën rehat.

Nisë një këngë por nuk kam zë
asnjë fjalë prej goje s'del
veç një lot që zbret në mjekërr
më prëkë në zemër, më prekë në tel.

Hiç pa më pyetë më merr me vete
fluturojmë më shpejtë se era
për me shku në ato troje
ku i kam mbushë njëzetë pranvera.

Ulem në guri përmbi krua
e i flas lisit që më bënë hije
-a e sheh se të dola në fjalë
të pata thënë unë prap do të vijë.

Ai nuk flet se gojë nuk ka
por e dijë ç'thot lisi i vjetër
-ti u ktheve por s'je ai
tash ti je krejt dikush tjetër.

Plakë e kërrusur deri në tokë
bardhë si mali që mban borë
e kam dijtë se ke me u kthye
shpirtin tënd unë e kam në dorë.

Në gurbet shkove veç prej hallit
dole i ri me i ikë robërisë
këtu u ktheve veç prej mallit
për Atëdhe për Tokë T'Shqipnisë.

Përveç meje nuk të njeh kush
se veç unë këtu të kam pritë
janë njerëz tjerë, janë halle tjera
gjithëçka ndërron këtu ditë për ditë.

Shkon një mbret e vjen një tjetër
deri sot jan ndërru disa
vetëm unë ai lisi i vjetër
kam vendos këtu me u tha.

Erdhe ti të thahemi së bashku
por më ke borxh se vetë më ke lanë
Nuk rrijë gjatë - unë kthehem shpejt
kur u nise më pate thanë.

Kaluen vite s'dijë se sa
prita, prita e ti s'u ktheve
unë s'jam plakë se jam në truell temin
kurse ti në gurbet u theve.

Ece ngadalë mbi trotuare
kisha mbërri gjer në mes të qytetit
-për ku kështu axha Guri?
një zë fëmijë më sjell në vete.

I fshijë sytë të shoh se ç'bëhej
çka po ndodhë kështu me mua
për rreth meje njerëz e mure
s'pash kund lis nuk kish kund krua.

Më ka marrë malli me u ulë në sofër
ku përrreth e kam tanë fisin
pran të kem Nënë shamizezën
e në ballë të sofrës të shoh ulë Plisin.

Më ka marrë malli me u ulë në sofër
një bukë misri copë me e nda
në njërin krah të kem ulë motrën
në tjetrin krah të kem një vëlla.

Më ka marrë malli të jem me Ju
lotë e gëzim s'bashku me i nda
veç një rrugë drejt Atdheut tim
lotët e mi mundet me i tha.

Është ky mall që zbret me lotin
që e bart unë në këtë tretëdhe
rrugëve të huaja tuj e shkue motin
tuj andërru një copë Atdhe...

PËR TY QË NUK E DIN KUSH JE

Ç'është ky djali, sikur zog sorre
herë në një degë e herë në një rrem.
A e din kush ku e ka hallin
a e din kush ku po i dhem

Sa për kombin e sa për shtetin
sa për popull sa për parti.
A ka mbetë pa post pushteti,
a tarquku pa taxhi.

A i ka ra truni nër shputa
apo gjaku ujë i është ba.
Herë thot turk e herë gabel
herë thot rus herë thot jam shka.

Veç shqiptarë thot s'kam ken kurrë
As ky vend s'është kanë Shqypni!
Mjera Toka që e rriti
mjera nana që i dha gji.

Sa hërë nëna ju ul te djepi
shqip i këndoj e shqip i foli.
A din kush për me i dhanë hakun
Ky zog S...orrë kah na doli!?

NË KËTË PËRVJETOR

E KAM HAPË NJË TOKË TË RE!

 

E kam hapë një Tokë të Re,
për farë plot me lapidarë
është ky vend lavdie
me emrin Kosharë.

I kam mbjellë do lisa
që në majë mbajn plisa.
Ata nuk priten,
çdo ditë më të mdhenjë rriten.
Bëjnë hije
në këtë Tokë Lavdie.

Këtu kishte gurë
që bënin mur
m'a ndanin sofrën
dasmën m'a ndanin,
m'a ndanin Shqipen në Flamur.

Farën që këtu e hodha
nëpër të gjitha
Trojet Etnike e mblodha.
E solla këtu në Kosharë
jo për grada e për kapuç
as për pare.
E solla për Kosovën-
për Shqipërinë
për të gjitha
Trojet tona Kombëtare

Luajtën me ne edhe atëherë

Kur mendonim se po bëjmë luftë!

ME SHKAS - NE DHE ATDHEU

Secili prej nesh

Atdheun e sheh në një përceptim të veçantë

Dhe e ndjen në një kolorit ndjenjash

Që dallojnë, veç e veç, tek secili.
Dikush Atdheun e sheh si Djep!


Dikush e sheh si Sofër!
Dikush e sheh si Arë!
Një tjetër e sheh si Bankomat!
Ka të tjërë që e shohin si Varr!
Ka edhe të atillë

Që Atdheun e shohin si Sallë Kinemaje!
Ka edhe më keq. Ka të tillë

Që Atdheun e shohin si Nevojtore!

Dhe kjo nuk është e tëra.
Kjo është vetëm njëra faqe e Medaljes.
Faqja tjetër është si Atdheu na sheh neve!?
Dhe, shumë domethënëse është

Si Atdheu e sheh këtë kategorinë e fundit.

Pra!
Kujdes me Atdheun!
Atdheu është sikur Prindi.

Nuk ka zavëndësim për të!

BALLI YT

Pikë akull si strehë në dimër
Balli yt, kallkan shekujsh, i thyer
Me shaminë lidhur rreth plisit, e fshijë,
Shëndriste, kurr i përlyer

Vetulla, bardh si borë bjeshke,
mbi ata sy si krojet
Me njërën dorë mban atë, në brez ,
me tjetrën ua tregon Trojet

I matë, pash më pash, brenda muranave
Këmba jote pushon në Çamëri
Gryka e martinës tek Molla e Kuqe
E hija e plisit, dikund thellë, në Mal të Zi

Kur betohesh, pëllëmbën e vën mbi Kosovë.
Vetëvetes i thua, pasha këtë Tokë!
I vetëm, shekujsh mbetun Jetim,
Pa vëllezër, pa miqë e pa shokë

Hija jote, si orë e Diellit,
Prekte qoshet e Shqipërisë
Herë majë bjeshkëve e herë në det,
Thurrej si Kurorë e Lavdisë

Balli yt, si kreshtë mali, nuk shembej.
Rrallë takohej me gëzimet
As kur e gjuanin, tinëzisht, nuk trembej
As nga lakejtë, nuk i besonte premtimet!

DËSHIRA E FUNDIT

Nuk deshta të qeshë
pa të pa ty, aty
As të qajë,
pa dorën tënde mbi supe

Dashurinë nuk e kam për gjë tjetër
veçse ta ndajë me ty, si sot,
edhe në ndonjë ditë tjetër.

Nuk deshta as të flasë me të tjerë
Heshtjen, pa ty e zgjodha vetë
Kur ti nuk je ajo më ka hije
kur jemi bashkë, heshtja më vret.

Agimeve, më ngushllon pritja
Mbrëmjeve, më mbytë vetmia

Kalvarët nuk kanë të sosur,
për dashurinë e madhe,
që në mes i rrin një gur malli

Hilet po të shtyjnë të më harrosh
e unë po të lus për një grusht dhe
Aty të mbjellë një lule,
që do ta thërrasin: Shqipëri e Re!

THËRRET PRIZRENI MORI SHKODËR

Thërret Prizreni mori Shkodër
hajde rrimë se të kam motër.
Merre Durrësin e Tiranën
se ne kështu e gëzojm nanën.
Unë i thërras Pejë e Gjakovë
Drenicë, Llap edhe Rugovë.
Vjen Deçani e Mitrovica
Kaçaniku e Kamenica
vjen Gjilani e vjen Prishtina
Ferizaji vjen dhe Klina
në këtë Kala së bashku të rrina.
Kur të vini mos harroni
edhe Krujën këtu t'a ftoni.
Çoni lajm edhe në Gjirokastër
në Tepelenë e në Mallakastër,
Mat, Mirditë, Kukësin më e thirrë
thirrë Korçën me rrëthinë.
E thërrasTetovën e Gostivarin
thërras Ulqinin e Tivarin.
Kam thirrë Plavën me Gucinë
Hotin, Grudën e gjithë Malsinë.
E thërras Dibrën, Ohrin, Strugën
merrë Matin e merrë Pukën.
Manastiri më ka çue fjalë
gjithësësi unë kam me dalë
se për Korçë malli më ka marrë.
Shkupi një haber ma qet
se a vjen s’e din as vet,
veç një besë më ka thënë e ki
herëdo kur tek ju do të vij.
Bujanofcin e Preshevën
i kam thirrë bashk me Çamërinë
fjalë e besë m’i kan dhënë
se atë ditë këtu do të vijnë.
Kah të vini dorë për dorë
mos harroni e ktheni në Vlorë.
Vlorës çomja një porosi
njat flamur do t'a merr në gji.
Të gjithë vëllezër edhe motra
eni këtu po n'a thërret Votra:
Një kurorë bashk t'a qëndisim,
njat Flamur këtu t'a ngrisim,
të ndëgjojnë mbret e krajli
së u bë bashk - një Shqipëri.

TË PRITNIM ME DIELLIN

Për Ty mbarsëm ëndrrat
edhe atëhërë kur ishim pa gjumë.
Kur shtëgtarët
nuk ktheheshin më Akropolis!
Edhe atëhërë kur ëndrrën
e mundte vdekja.
Për Ty dolëm andej e këndej
gardhit të arës e të farës.
Dielli vinte vëç sa për një pamje.
Në të pritnim edhe Ty.
Pas çdo pikë gjaku,
pas çdo loti nanë.
Pas çdo krismë pushkë,
pranë çdo muranë.
E, Ti! Erdhe!
Erdhë e gjymtë.
E verbër!
E çalë!
Erdhe me paterica,
në karrigë invalidësh,
që të shtyjnë e të ngrehin:
harbut, mynafik e të përdalë.
Arë, thurrë e ç’thurrë gardhiqesh!
Megja të vjëtra e të reja, mbi plagët tua.
Rënkimi yt e gjëma jonë -
të mbajnë në shtratin që ndanë botërat.
Tash, faji është i yni!
T'i mbushim me këngë gëzimi
apo t’i lëmë, përplot, vajë votrat!

NË PRAG TË NJË PËRVJETORI TË ZI KA RA DIELLI MBI TIVAR

Ka ra dielli mbi Tivar,
deti bregun e lazdron
Ç'është ky gjak që vjen me valë,
shpirt e zëmër m’i trazon.

Ç'jan këta njerëz që po i qet vala,
apo mëndja sot më ka lanë!?
Ç'jan këta tirqi me gajtana,
a din kush xhevapë me më dhanë.

Ç'jan këta plisa nëpër zallë,
ç'jan këto shokë porsi gjarpnore!?
A ka mbetë ndoja i gjallë,
apo tanë m'i vranë mbas dore.

Të tanë jan këta, djemë Kosovë,
që në bësë m’i preu shkinia
Së për Trieshtë i patën nisë,
a thua dinë ndoj gja Shqipnia.

Eu Shqiponjë mos të kjofsha falë,
qysh nuk dite me m’i rue!?
Më u zanë udhën e më i ndalë,
në ato anë kur kan kalue.

Kur të kthehem si të të tregoj,
për këtë mordë për këtë hata
Shpi për shpi më duhet të shkoj,
me i lajmru së çka është ba.

Dikund gjejë vëtëm nënë shkretën,
dikund tjetër fëmijë jetima
E dikund veç motër zeza,
që në qiell i ndihet britma.

Ku jan djemtë e ditevë të para,
që n'a folshin për lirinë!?
A e din ku i kanë vllaznit,
a e din çka e gjet Shqipninë!?

A e dinë se u prenë në besë ,
se u vranë në mes të Tivarit!?
Pllamë për pllamë, tokë dhe det,
i kan skuq me gjak të shqiptarit.

Ah Kosovë, Kosovë martire,
kah të shkelësh hap e varr
Bëhu gati, moj Nanë Madhe,
këta bijë në gji me i marr!

KËNGË PËR ATA QË NUK KAN SY

Herë urë mbi lum,
herë vig mbi prru
Deri këtu më kan pru

Ata që i merrja për të ditur,
shumë më dolën të shitur.

Do tjerë, tepër të mjerë.

Do pak, që m’a falën gjakun.
as dje e as sot nuk ua dhash hakun.

Këta që më mbetën gjallë,
u bënë përrallë.

Keq i kan mashtru
Në odën e vet shitën për luaj,
kur dalin në rrugë jan langu.

E ndytë më doli kjo pjellë,
vrapon pas legjenit me gjellë

Më kanë lënë, as gjallë e as mbytë
kjo farë e ndytë.

Vafshin në saraj të Dreqit
kjo pjellë e të keqit

Nëpër shekuj, në histori,
ju mbetë emri për të Zi.

NË SHENJË PËRSHNDETJEJE

Asnjëherë nuk deshta ta rëndoj madhështinë tande,
me bisedën time që edhe mund të ishte e pa peshë
Më mjaftonte të jem pranë teje dhe të marr pak diçka,
nga ajo shumë e vlerë që t’ju tregoj të tjerëve

Shkrihesha në fjalët tua për ngjyrën Blu të qiellit
Për gurgullimën e Cemit e peshën e gurëve
Për lidhshmërinë dhe kuptimin e tyre të magjishëm,
në tabllot e Maestros, që në majë brushe,i mbante më vete

Asnjëherë nuk guxova të të marr ngryk si vëllai vëllanë
Më mjaftonte një shtrëngim dorë e një cakrrim gote
Edhe atëhërë kur heshtje, arësyet i din vetëm ti
Unë dëgjoja kumbimin e shpirtit të mbushur plot mall.

VËLLA E MOTËR, DRENICË E SHKODËR!

(Një shkrim nga Motërmira Bukurie Bushati)

Isha në mëdyshje. Të shkoja apo të mos shkoja. Sigurisht kisha dëshirë të merrja pjesë në Festivalin Poetik që do të zhvillohej në Ahr Weiler, këtu në Gjermani, por rrugën me makinë e vetme, e kisha të vështirë. Nuk e njihja këtë qytet dhe do të më duhej të kthehesha mbas mesit të natës. Nisja me tren, më detyronte fjetjen atje... Befas bie zilja e celularit. Ishte Hasani. Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Gjermani. "E keni për t'u mbledhur të premten." i thashë mbasi ishim përshëndetur. "Si, e keni për t'u mbledhur të premten? Nuk e kemi për tu mbledhur të premten, apo ti e përjashton veten?"

"E kam të vështirë të vi me makinë, me tren gjithashtu. Nuk di çfarë të them.", i fola me gjysëm zëri. "Eja me Syle Bajramin." Më tha dhe shtoi: "Është njeri i mirë. Eja se të presim. Flit edhe me Sevemen dhe ejani të dyja me të. A vjen nga Mynihu dhe pasi ju merr ju të dyjave, vini së bashku." I thashë mirë do ta bisedoj dhe pasi i urova një ditë të mirë në vazhdim, mbylla celularin. Nuk e njihja Sylën dhe më vinte zor t'ia kërkoja këtë të mirë. Do t'i duhej atij, të dilte nga autostrada 3 dhe pasi të na merrte të hynte përsëri. Do t'i merrnim kohë dhe benzinë gjithashtu. Pasdite i shkruajta në Fb. në Inbox. M'u përgjigj menjëherë, duke më thënë se punonte dhe se më pas do të më shkruante, por sigurisht që do të vinte e të na merrte.

Nga mbrëmja, nuk di pse ndihesha keq, më vinte zor dhe i shkruajta se mbase mund të vazhdonte autostradën, se herë tjetër do të merrja pjesë. Nuk kishte kaluar as një minutë, kur më kthen përgjigje: "Në më ke mik, do të vish me ne. Më ke si vëllanë tënd." Më gëzoi shkrimi i tij dhe i ktheva përgjigje: "Të kam mik, vëlla dhe do të vij." Kisha vendosur. Do të nisesha të nesërmen me ta. Të nesërmen, nga dreka, më ra zilja e telefonit dhe më thonin se brënda rreth 10 min. do të ishin para shtëpisë sime. U bëra gati dhe kur zilja e celularit ra përsëri, dola, duke i parë se kishin parkuar makinën, pikërisht para derës së shtëpisë. "Faleminderit dhe më fal!" i thashë duke hyrë në makinë dhe u zgjatur për të takuar Sevemen dhe dhënë dorën atij. "Vëlla dhe motër, Drenicë e Shkodër." dëgjova dhe u ndjeva mirë . Qëllon që disa njerëz të thonë mirseardhjen thjeshte dhe me ciltërsi shpirti dhe ti ndjen se i ke njohur me kohë, janë miqtë që ti i ke përfytytuar me zemërsinë e tyre, me mirësinë që u buron nga shpirti.

Rrugës bisedonim lirshëm, rreth krijimeve tona, pjestarëve të familjeve, mundësive në Gjermani etj. U befasova, kur Seveme, më tha, se Syle ishte autori i tekstit të këngës, "Thrret Prizreni mori Shkodër". Këngë që nuk ka shqiptar, që nuk e ka ndjekur disa herë dhe me vëmëndje. U emocionova dhe nuk dija çfarë t'i thoshja përveçse një urimi dhe pashë buzëqeshjen e lehtë që ia përshkoi fytyrën, me atë thjeshtësinë e saj. Krijuesit e mirë, nuk dinë të lëvdohen. Ato buzëqeshin, kur dikush gjen veten në krijimtarinë e tyre (dhe aty, kishim gjetur veten të gjithë shqipëtarët, nga të gjitha trojet tona). Në Ahr Weiler, arritëm rreth dy orë para festivalit. U ulëm në tryezën e një lokali tek sheshi i vjetër i qytetit dhe filluan të flasim rreth miqve që prisnim t'i takonim, apo edhe atyre që na kishin njoftuar se nuk mundet të vinin. Mua më mungonte Valdetja dhe Faketja, por pashë se u mungonin edhe atyre. Janë dy miket tona me zemër të madhe dhe me shpirt të bukur. Janë dy buzëqeshjet e Lidhjes.

Pas pak mintash, pashë Sylen që u ngrit duke thirrur Nikollën që vinte i shoqëruar nga tre poetë të tjerë. Bashkuam dy tryezat dhe biseda vazhdoi akoma më e gjallë. Dukej sikur në atë shesh kishim zbritur një pjesë të atmosferës shqiptare, të asaj atmosfere të mirë, ku ndjehemi mes të afërmve e miqve që na i don shpirti. Në orën 15.00 u futëm në sallë, ku filluan të vijnë njëri pas tjetrit krijuesit shqiptar të diasporës. "Hajt mirseerdhe, motërmira Bukurije!" Dëgjova Hasanin, tek më zgjaste dorën. "Me kë erdhe?" "Me Sulen." i thashë dhe një e qeshur, mbushi sallën. Pashë e habitur. "Hajde Sule.", foli dikush nga miqtë dhe kuptova se kisha gabuar në emër, Sule me Syle. Dhe kjo mbeti gjithë atë takim dhe madje dikush edhe më provokoi më pas, se me kë kisha ardhur, por nuk e bëra më atë gabim, sigurisht qesha me to.

U ula me Sylen, pranë, dhe shihja herë pas here plisin, që kishte vendosur mbi kokë. "Këtë nuk mundem ta ndrroj me asgjë, sa të jem në këtë jetë!" më tha, duke e ngjeshur atë akomë më shumë. Buzëqesha. Ia rrëmbeva dhe e vendosa mbi kokë. Dëshiroja të bëja edhe unë një fotografi me plis në kokë, me atë plis që ua shton burrërinë shqiptarëve dhe që herë herë më kujton atë borën që rrin e pashkrirë majave të Jezercës, si në verë edhe në dimër. Pastaj i mora plisin që kishte marrë me vete Mentor Thaçi dhe e vendosa duke bërë fotografi në sallën e mbushur me miqtë. Ndjeja diçka fisnike brënda vetes, diçka që më sillte pranë grugullimën e Valbonës, eposin e kreshnikëve, erën e mirë të lulemaleve tona, magjen ku nënat piqnin flijën...ndjeja bjeshkën e bukur. Hodha vështrimin nga fleta që kishte në dorë Syle. Ishte poezia e tij, me të cilën do të konkuronte. Ia kërkova ta lexoja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat