Dieta mediterane me fuqi mbrojtëse tek pacientët e zemrës

Dieta

Dieta mediterane me fuqi mbrojtëse tek pacientët e zemrës

Më: 24 mars 2017 Në ora: 08:56
Ilustrim

“Aplikimi i dietës mediterane e redukton rrezikun e vdekshmërisë së përgjithshme, jo vetëm në popullsinë e përgjithshme – gjë që dihet tashmë – por edhe te pacientët të cilët tashmë kanë pësuar sulm në zemër”, tha studiuesi dr. Giovanni de Gaetano. Ai është kreu i Departamentit të epidemiologjisë dhe parandalimit në I.R.C.C.S. Neuromed Institute në Pozzilli të Italisë.

“Vdekjet e përgjithshme ishin reduktuar ndjeshëm te pacientët pas dietës mediterane të nivelit të mesëm, por sidomos tek ata që e ndoqën besnikërisht dietën mediterane”, shtoi de Gaetano. “Reduktimi i këtij grupi ishte rreth 37 për qind”.

Studimi i përfshiu rreth 1.200 pacientë në Itali. Gjatë një ekzaminimi pasues prej pak më shumë se shtatë vjetësh, 208 pacientë vdiqën.

Hulumtimi i mëtejshëm tregoi se rreziku më i ulët i vdekjes ishte i lidhur kryesisht me konsumin më të lartë të ushqimeve të caktuara në dietën mediterane: perimet, peshku, frutat, arroret dhe vaji i ullirit.

“Këto rezultate na nxisin ta hulumtojmë mekanizmin[at] përmes të cilit dieta mesdhetare mund të mbrojë nga vdekja. Ky ishte një studim vëzhgimor, kështu që nuk mund të themi se efekti është shkakor”, tha de Gaetano në një njoftim për shtyp të Shoqatës Evropiane për Kardiologji.

Hulumtimi është prezantuar fundjavën e kaluar në takimin vjetor të Shoqatës Evropiane për Kardiologji në Romë. Studimi i prezantuar në mbledhje është konsideruar preliminar deri sa të publikohet në një revistë shkencore.

Por de Gaetano ndërkohë i kishte disa këshilla për mjekët.

“Mjekët duhet të hulumtojnë në lidhje me shprehitë dietale të pacientëve”, tha ai gjatë një konference për media në takim. “Sigurisht, ata do të vazhdojnë të përshkruajnë barna kardiovaskulare – statina, aspirina, çfarëdo që duan – por nuk mund t’i shikojnë ilaçet si mënyra e vetme [për ta trajtuar sëmundjen e zemrës]. Sugjerimet për ta ndjekur një shprehi të shëndetshme ushqyese janë po aq të rëndësishme sa edhe përshkrimi i ilaçeve”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat