Çfarë ka ndodhur më 23 shtator

Dokumentare

Çfarë ka ndodhur më 23 shtator

Më: 23 shtator 2016 Në ora: 08:29
Harvard

1642 – Në Kembrixh të kolonisë Masaçusetsit përurohet universiteti “Harvard”, një nga shkollat e larta më me ndikim në histori dhe pasuri.

Universiteti u quajt “Harvard” për nder të klerikut John Harvard, një anglez që kishte emigruar në Amerikë dhe kur vdiq, pasurinë ia la kolonisë Masaçusets me porosinë që të përdorej për nxitjen e arsimit. “Harvard” është institucioni më i vjetër i arsimit të lartë në Amerikë. Universiteti “Harvard” ka Bibliotekën më e madhe akademike në Shtetet e Bashkuara, dhe një nga më të mëdhatë në botë. Tetë presidentë amerikanë janë diplomuar nga ky universitet dhe 144 laureatë të çmimit “Nobel” kanë qenë studentë ose profesorë të kësaj shkolle. Nga “Harvard” gjithashtu kanë dalë rreth 62 miliarderë, shumica amerikanë. I vendosur rreth 5 km në veriperëndim të Bostonit, unversiteti  filloi të tërheqë edhe vëmendjen e shqiptarëve emigrantë të përqendruar me shumicë në atë zonë.

Fan Noli mbërriti ne Boston në viti 1906. Më 1908 filloi studimet në “Harvard” dhe në vitin 1912 u diplomua (grada baçelor).

Rreth atyre viteve, studime në universitetin e Harvardit ndoqën edhe Faik Koncia, Kosta Çekrezi, Kristo Dako, Koço Tashko etj. Në atë kohë, shqiptarët në universitetet amerikane e veçanërisht në “Harvard” ishin të rrallë.

1806 – Përfundon ekspedita “Lewis dhe Klark”. Dy eksploruesit u kthyen triumfalisht në Saint Luis pas një udhëtimi trevjeçar në territorin që shtrihej midis lumit Mizuri dhe Oqeanit Paqësor – një sipërfaqe prej 1 milion e 300 mijë km2 e territorit të Luizianës, që Shtetet e Bashkuara kishin blerë prej Francës më 1803.

1846 – Planeti Neptun u vëzhgua për herë të parë nga astronomi gjerman Johann Gottfried Galle. Edhe pse planeti është rreth 30 herë më larg nga Dielli sesa Toka, Galle arriti ta dallojë atë. Më parë, Galle kishte studiuar unazat e Saturnit dhe sugjeroi një metodë të re për të matur shkallën e sistemit diellor duke respektuar ndryshimin e drejtimit të asteroideve. Planeti i ri, një gjigand prej gazi, u quajt Neptun, sipas emrit të perëndisë romake të detit. Neptuni është planeti i tetë dhe më i largëti i sistemit tonë diellor

1862- Shkrimtari rus, konti Leo Tolstoi, 34 vjeç, martohet me 17-vjeçaren Sofie Andrejevna Behr. Gjatë 17 viteve të ardhshme, ata patën 13 fëmijë. Tolstoi vdiq në vitin 1910, duke lënë pas më shumë se 100 vepra letrare e filozofike. Familja Tolstoi la Rusinë në periudhën e Revolucionit Rus, 1918, dhe pasardhësit e shkrimtarit të madh sot jetojnë në Suedi, Gjermani, Britani, Francë dhe Shtetet e Bashkuara – përfshi këngëtaren e njohur suedeze të muzikës xhaz, Viktoria Tolstoi.

1869 – Vdiq në Jena të Gjermanisë diplomati Johann Georg von Hahn, ekspert i gjuhës, kulturës dhe historisë shqiptare. Hahn lindi në Frankfurt mbi Main. Në vitin 1847, ai u emërua konsulli austriak në Janinë dhe pastaj konsull i përgjithshëm në Athinë. Hahn konsiderohet si themelues i studimeve shqiptare. Me të dhënat gjuhësore e kulturore me burim shqiptar të grumbulluara prej tij, ky filolog i huaj demonstroi se shqipja i përket familjes indo-evropiane të gjuhëve.

1913 – Shqiptarët në Maqedoninë perëndimore kundërshtojnë me armë vendimin e komisionit të posaçëm ndërkombëtar të kufijve që i la ata jashtë shtetit shqiptar. Në këtë kundërshtim bashkohen edhe forca nën udhëheqjen e Isa Boletinit, ministër i luftës në qeverinë e Ismail Qemalit. Kryengritësit marrin kontrollin e qyteteve Gostivar, Strugë e Ohër, krahas Kërçovës, Gjakovës dhe Peshkopisë, duke zmbrapsur trupat serbe. Gjithashtu Prizreni u sulmua, ndërsa luftime kishin shpërthyer për rreth Tuzit dhe Gucisë. Si rrjedhim, ushtria serbe, e përqendruar në Dibrën e madhe, u mobilizua, dhe nën pretekstin e ndjekjes së kryengritësve fillon marshimin drejt bregdetit Adriatik për në Durrës, duke i shtyrë shqiptarët shumë brenda përtej kufijve të 1913-s.

1939 – Sigmund Freud, themeluesi i psikoanalizës, vdiq në Londër. Ai kishte ikur nga Vjena pak pasi trupat naziste hynë në Austri më 1938, ndërsa katër motrat e tij qëndruan në Vjenë. Ato vdiqën a u vranë në kampet naziste të përqendrimit. Ana Frojd, më e vogla nga gjashtë fëmijët e tij, u bë një psikoanaliste e njohur. Frojdi doli i pari me idenë se mendja është e ndarë në tri pjesë: id, ego dhe superego. Sipas Frojdit, uni ose egoja është vija e parë e mbrojtjes së vetes nga tjetri, duke u përpjekur të balancojë dy ekstremet, id dhe superego.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat