Çfarë ka ndodhur më 28 shtator?

Dokumentare

Çfarë ka ndodhur më 28 shtator?

Më: 28 shtator 2016 Në ora: 09:27
Foto arkiv

1538 – Flota detare e Perandorisë Osmane korr fitore vendimtare ndaj flotës së Lidhjes së Shenjtë të Krishterë në Betejën e Prevezës. Pas kësaj – deri më 1571 kur humbi në Betejën e Lepantos – flota osmane do te ishte mbizotëruesja e vetme e Mesdheut duke detyruar Venedikun të dorëzonte kontrollin e ishujve dhe rajoneve detare nga Gjiri i Artës deri në brigjet dalmate. Në betejën e Prevezës, por edhe më pas, flota osmane komandohej nga admirali Hajredin Baba-Oruç (Barbarossa – shqiptuar nga italianët – sepse ai ishte edhe mjekërkuq). Burime të ndryshme thonë se gjenerali i madh ishte shqiptar. Nëna e tij, Katerina, ishte greke nga ishulli Mytilene. Jakupi, babai i tij, ishte shqiptar që kishte marrë pjesë si jeniçer në pushtimin osman të ishullit Lesbos më 1462 dhe mbeti atje. Në librin “Victory of the West” Da Capo Press, 2007, autori Niccolo Capponi thote se “lindur në Mytilene në një familje shqiptare rreth vitit 1466, Hajredini atëherë quhej Hizir.”

1791 – Franca bëhet vendi i parë evropian që shpall emancipimin e popullsisë së saj hebreje. Para emancipimit, shumica e hebrenjve jetonte e izoluar nga pjesa tjetër e shoqërisë. Emancipimi ishte objektiv kryesor i hebrenjve të Europës të asaj kohe. Shumë prej tyre u bënë tepër aktivë politikisht dhe kulturalisht brenda shoqërisë civile që hebrenjtë të fitonin edhe te drejtën e shtetësisë. Pas kësaj ata filluan të emigrojnë në vende me mundësi më të mira ekonomike dhe sociale, si Britania dhe Amerika. Më vonë, kur u ballafaquan me regjime shtypëse, të tilla si Rusia Cariste ose me anti-semitizem të vazhdueshëm, disa hebrenj evropiane u kthyen në revolucionarë socialistë dhe zionistë, majtas ose djathtas.

1892 – Zhvillohet loja e parë natën për futbollin amerikan. Dy skuadra universitare në shtetin Wyoming dolën në fushë, por sistemi i ndriçimit u provua të ishte i pamjaftueshëm për të ndriçuar stadiumin. Loja, që filloi me perëndimin e diellit, zgjati vetëm 20 minuta; dy skuadrat merren vesh të ndeshen herë tjetër, ditën.

1918- Në Luftën e Parë Botërore, në një incident që do të pranohej në analet e historisë së Luftës së Parë Botërore – megjithëse detajet e ngjarjes ende mbeten të paqarta – Henry Tandey, një ushtar britanik, që ishte në shërbim pranë fshatit francez Marcoing, takoi një ushtar gjerman të plagosur dhe nuk qëlloi atë, duke i shpëtuar jetën, 29-vjeçarit, tetarit Adolf Hitler.

Megjithëse nuk ka të dhëna, për të vërtetuar vendndodhjen ekzakte të Adolf Hitlerit, atë ditë të vitit 1918, një episod intrigues u përdor, për të argumentuar që në fakt ai ishte ushtari që Tandey shpëtoi.

Një fotografi, që u shfaq në gazetat e Londrës, ku Tandey ishte duke mbajtur një ushtar të plagosur, në Ypres, në vitin 1914, u portretizua në një pikturë, nga artisti italian Fortunito Matania, duke glorifikuar përpjekjen e luftës së Aleatëve. Kur Kryeministri Britanik, Neville Chamberlain, shkoi në Gjermani, në vitin 1938, për të biseduar me Hitlerin në një përpjekje të fundit për të shmangur një luftë tjetër në Europë, ai u dërgua nga Führeri në strehën e tij të re në Bavari. Atje Hitleri i tregoi Chamberlain-it kopjen e tij të pikturës së Matanias, duke komentuar, “Ky është njeriu që gati më qëlloi mua.”

1939 – Gjermania naziste dhe Bashkimi Sovjetik bien dakord për ndarjen e Polonisë, pasi ta pushtonin atë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndërkohë, Hitleri sapo kishte dhënë pëlqimin e tij për Operacionin Barbarosa kundër BRSS-së.

1960 – Kryeministri i Shqipërisë Mehmet Shehu mban fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Mes të tjerash ai shpreh dëshirën e Shqipërisë për marrëdhënie diplomatike me Britaninë dhe SHBA-në. Këto fjalë duket se u morën pak seriozisht, pasi asgjë nuk kishte ndryshuar në qëndrimin e Shqipërisë që nga viti 1945 kur lidhjet ishin ndërprerë. Pak ditë para fjalimit, ndërsa kryeministri Shehu ndiqte punimet e Asamblesë, një grup emigrantësh politikë shqiptarë kishin dalë para selisë së OKB-së në Manhatan për të protestuar kundër shtypjes që Shqipëria komuniste ushtronte ndaj popullit te vet. Shumë prej protestuesve kishin në Shqipëri të afërm në burgje, kampe pune ose internim. Pak më tej protestës së tyre, një grup vorio-epirotësh gjithashtu po protestonte ndaj pranisë së kryeministrit Shehu në OKB dhe kundër keqtrajtimit të pakicës greke në Shqipëri. Shumë shpejt thirrje të ashpra filluan të shkëmbeheshin midis dy grupeve; pastaj fyerje, sharje, hedhje sendesh; shishe, kanoçe; përleshje me çadra, pankarta e grushte. Një skuadër policësh me kuaj u desh të ndërhynte; mes protestuesve pati lëndime të lehta dhe disa arrestime; ndërsa policia e Nju Jorkut paralajmëroi kryeministrin Shehu se nuk mund të siguronte mbrojtjen e tij nëse dilte jashtë lagjes Manhatan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat