30 shtatori në histori

Dokumentare

30 shtatori në histori

Më: 30 shtator 2016 Në ora: 07:59
James Dean

420 – Vdes Shën Jeronimi, prift, rrëfyes, teolog, autor, historian, përkthyes. Ai ishte ilir nga një qytet në kufi të Dalmacisë me Pannonian. Hyeronim është mbiemri i tij që do të thotë “emër hyjnor”. Lindur më 347, Hyeronimi u bë i famshëm për përkthimin e Biblës në latinishten e kohës në mënyrë që të mund të lexohej e kuptohej lehtë nga të gjithë – ndërsa komentet e tij rreth Biblës Hebraike, dallohen për mendim dhe interpretim të veçantë – dhe lista e shkrimeve që ai la është shumë e gjatë. Hyeronimi njihet si Shenjtor nga Kisha Katolike, Kisha Ortodokse, Kisha Luterane dhe Kisha Anglikane. Si student në Romë, ky ilir i sapoardhur nga provinca, u dha pas jetës sipërfaqësore, si shumë të rinj që priren natyrshëm drejt saj. Për Hyeronimin, episodet e një jete të tillë – deri të shthurur – u pasuan nga kriza të tmerrshme pendimi. Për të qetësuar ndërgjegjen, ai filloi të vizitonte çdo të diel varret e martirëve dhe apostujve të krishterë në katakombet e Romës. Kjo përvojë, thotë ai, do ta bënte të kuptonte tmerret e ferrit: “Shpesh e gjeja veten duke hyrë në këto labirinte e duke gërmuar thellë në tokë, me varre hapur e kufoma rreshtuar në të dy anët; çdo gjë dukej e zymtë, e errët , si për të përmbushur fjalët e Psalmit: ‘Le të zbresin të gjallët në ferr’…Dhe aty m’u kujtua vargu i Virgjilit; ‘Tmerr kudo në shpirt, dhe heshtje e vetë-trembur'”. Për nder të Shën Hyeronimit, 30 shtatori është shpallur si Dita Ndërkombëtare e Përkthimit edhe për vlerat krijuese që mbart.


1659 – Mbytet anija për të cilën shkrimtari Daniel Defoe thotë se u frymëzua për krijimin e personazhit imagjinar Robinson Krusoe. Ashtu si anija, edhe Defoe ishte i mbytur, në borxhe – i burgosur për mospagimin e tyre – dhe suksesi i romanit “Robinson Kruzo” e ndihmoi të dilte nga varfëria.

1791 – Shfaqet në Vjenë të Austrisë “Fyelli Magjik”, opera e parë e Volfang Amadeo Mozartit. Ai solli edhe një formë të re operistike ku përfshihet kënga dhe dialogu. Mozarti e kompozoi operën duke mbajtur parasysh aftësitë e këngëtarëve të destinuar për premierën, e cila përfshinte këngëtarë virtuozë dhe amatorë. Në shfaqen e parë të “Flautit” ose “Fyellit Magjik”, Mozarti dirigjoi orkestrën, ndërkohë që roli i Mbretëreshës së Natës interpretohej nga kunata e tij, Josepha Hofer. Opera festoi shfaqjen e saj të 100-të në nëntor 1792. Mozarti nuk pati kënaqësinë ta përjetonte këtë moment historik – ai kishte vdekur thuajse 1 vit më parë. “Fyelli Magjik” ka qenë gjithmonë një nga veprat më të dashura në repertorin e operës, dhe është aktualisht opera e katërt më e shfaqur në botë. “Fyelli Magjik”, thonë kritikët, është ndikuar nga filozofia e iluminizmit; dhe mund të konsiderohet si histori e edukimit të njerëzimit, i cili del nga kaosi, kalon nëpër besëtytni për të arritur tek arsyeja me anë të gjykimit; dhe se mëkati a gabimi ndodh për ta bërë njeriun të vdekshëm, ndërsa Zoti pret.

1791 – Në Paris, shpërbëhet Asambleja Kombëtare Kushtetuese dhe parisienët e shpallin Makimilien Robespierin si atdhetarin francez më të pastër, ose “të pakorruptueshmin”. Robespieri mbetet një figurë e diskutueshme edhe sot. Ai nxiti terrorin dhe vdekjen e shokëve të tij të revolucionit, si masë për të krijuar një republikë virtyti. Por me idealet e tij, thonë historianët, ai shkoi përtej nevojave dhe dëshirave të popullit, pasi duke u preokupuar së tepërmi në mposhtjen borgjezisë, ai u bë kërcënim për atë që vetë kishte kërkuar të siguronte dhe rezultati ishte shkatërrimi i tij. Më 28 korrik 1794, Robespieri u ekzekutua pa gjyq në gijotinën që vetë e kishte miratuar – dhe para publikut në Paris në Sheshin e Revolucionit të tij.

1882 – Në lumin Fox në Appleton, Wisconsin, përurohet hidrocentrali i parë në botë, i projektuar nga Thomas Edisoni.

1924 – Këshilli i Lidhjes së Kombeve i kërkon Greqisë të përmbahet në veprimet e saj për dëbimin e popullsisë çame, pasi mund të ndikonin në fatin e pakicës greke në Shqipëri. Vendimi i Lidhjes së Kombeve erdhi pas kërcënimeve nga ana e Shqipërisë për të dëbuar pakicën e saj greke si kundërpërgjigje ndaj dëbimit të çamëve nga Greqia.

1955 – Ylli i kinematografisë James Dean vdes në një aksident rrugor ne moshës 24-vjeçare.

Dean, aktor amerikan, karriera e të cilit zgjati vetëm 4 vjet, është një ikonë kulturore e adoleshentëve të zhgënjyer, siç shpreh edhe titulli i filmit të tij më të njohur, “Rebel pa shkak”.

1986 – Mordechai Vanunu, i cili zbuloi hollësitë e programit të fshehtë bërthamor të Izraelit rrëmbehet në Romë të Italisë nga agjentë të sigurimit izraelit Mossad, pasi e droguan atë. Mordechai Vanunu, i njohur edhe si John Crossman, u lirua me kusht më 2004, pas 18 vjetësh në burgjet izraelite. Në intervistat e tij, ai tha se dënimi do të kishte qenë më i butë nëse nuk do të ishte konvertuar nga judaizmi në të krishterë. Për shkelje të kushteve të lirimit, Vanunu u dënua përsëri, me disa muaj burgim më 2007 dhe 2010. Në botë, ai njihet si nxjerrës i të fshehtave të qeverisë, ndërsa në Izraeli si tradhtar. Daniel Ellsberg, i njohur për publikimin e “Letrave sekrete të Pentagonit” më 1971 lidhur me luftën në Vietnam, e ka quajtur Vanunun si heroin e shquar të epokës bërthamore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat