Çfarë ka ndodhur më 11 tetor?

Dokumentare

Çfarë ka ndodhur më 11 tetor?

Më: 11 tetor 2016 Në ora: 08:00
Foto ilustrim

1687 - Hungaria pranon sovranitetin e perandorisë habsburge të Austrisë. Më pak se dy shekuj më vonë, ndërsa perandoria ndodhej përballë rrezikut nga Prusia, Hungaria përfitoi nga rasti dhe kërkoi ndarje të plotë nga Austria. Por Perandori Franz Joseph I i Austrisë doli me propozimin për një monarki të dyfishtë. Mbretëria e Hungarisë pranoi dhe më

1867- lindi Perandoria Austro-Hungareze, e cila u shpërbë vjeshtën e vitit 1918, në përfundim të Luftës së parë Botërore.

1906 - Këshilli i Arsimit i San Franciskos shkakton një krizë diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë me vendimin që fëmijët me prejardhje japoneze të mësohen në shkolla të ndara racore.

1910 - Theodore Roosevelt bëhet presidenti i parë amerikan që fluturon me aeroplan.

1912 - Lufta e Parë Ballkanike; ushtria greke merr kontrollin e Kozanit, qytet në veri të vendit, deri atëherë nën perandorinë osmane. Ndërkohë, shqiptarët shpejtojnë përpjekjet për pavarësi, për të dalë sa më pak të humbur nga shpërbërja e Perandorisë.

1939 - Albert Ajnshtajn informon presidentin Franklin Delano Roosevelt se krijimi i bombës atomike është i mundshëm. Kjo ishte shkëndija që nxiti fillimin e garës së armëve bërthamore – frika se rusët janë pranë ndërtimit të një bombe të tillë, ndarja e kësaj informate dhe vdekjet katastrofike që pasuan u bënë pendimi më i madh i jetës së Ajnshtajnit.

1943 - Fotografia Giants at Play, që tregon legjendarët amerikanë të muzikës xhaz, mbulon kopertinën e revistës “LIFE”. Autori i fotografisë është shqiptari Gjon Mili, i cili një vit më vonë, 1944 do të drejtonte filmin klasik me metrazh të shkurtër, |Jammin the Blues|, kandidat për çmimin “Oskar”.

1945 - Pas largimit të rrezikut nga jashtë, me kapitullimin e Japonisë – Lufta civile kineze rifillon, Chiang Kai-Shek vs Mao Tse-Tung. Ndeshja përfundon në tetor 1949, me fitoren e Maos. Chiang vdiq në vitin 1975, ndërsa Mao një vit më vonë. Chiang Kai-Shek ishte 6 vjet më madh në moshë sesa Mao Tse-Tung.

1960 - Shqipëria njofton se kryeinxhinieri sovjetik i punimeve të Pallatit të Kulturës në Tiranë – që Khrushovi e kishte quajtur “dhuratë nga populli sovjetik” – ishte larguar papritur, duke marrë me vete të gjitha planet e ndërtimit. Ai nuk u kthye më. Sipas variantit të Moskës, Shqipëria kishte shtuar kërkesat për madhësinë e projektit duke mbi-dyfishuar koston e ndërtimit. Pa ndihmat sovjetike, ndërtimi i Pallatit të Madh të Kulturës në qendër të Tiranës do të përfundonte pas 6 vjetësh, më 1966.

1976 - Xhorxh Uashingtonit i jepet, pas vdekjes, grada e gjeneralit të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara – në bazë të një rezolute miratuar nga Kongresi dhe nënshkruar në ligj nga presidenti Gerald Ford.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat