Çfarë ka ndodhur më 22 tetor?

Dokumentare

Çfarë ka ndodhur më 22 tetor?

Më: 22 tetor 2016 Në ora: 07:42
Jean-Paul Sartre

1922 - Lindi në Shkodër, Marije Shllaku. Studioi filozofi në universitetin e Romës, dhe zotëronte shumë gjuhë të huaja si italisht, latinisht, frëngjisht, gjermanisht dhe greqishten e vjetër. Për një kohë, në vitet 1940 ajo punoi si sekretare e Xhafer Devës. Më 24 nëntor 1946, në moshën 23-vjeçare, Marije Shllaku u pushkatua me vendim të një gjykate në Prizren nën akuzat për bashkëpunim me legjendarin Shaban Polluzha në përpjekjet me armë për një Shqipëri me shqiptarët të gjithë bashkë. Studiuesi shqiptaro-amerikan Tom Mrijaj ka shkruar një monografi për Marije Shllakun, emrin e së cilës mbajnë sot disa rrugë e shkolla në Kosovë e Shqipëri.


1946 - Katër anije luftarake britanike dalin nga porti i Korfuzit, kalojnë nëpër kanal dhe ndeshin në mina; 44 marinarë britanikë u vranë, mbi 40 të tjerë u plagosën dhe dy anije u dëmtuan. Britania e çoi çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, duke e akuzuar Tiranën zyrtare se minat në ujërat e Kanalit të Korfuzit ishin vendosur nga Shqipëria; ose Shqipëria kishte dijeni se kush i vendosi dhe nuk tregoi; apo rojet bregdetare shqiptare duhet t’i kenë parë anijet që kishin vendosur minat dhe për mos-ndërhyrje për t’i ndalur mbajnë përgjegjësi penale. Pas shqyrtimit të çështjes, Gjykata e Hagës arriti në përfundimin se Shqipëria ishte fajtore për incidentin dhe duhej t'i paguante Britanisë dëmet e shkaktuara.

1964 - Jean-Paul Sartre nderohet me Çmimin “Nobel” në letërsi, për punën e tij plot ide të mbushur me frymën e lirisë në kërkim të së vërtetës, duke ushtruar ndikim shumë të gjerë në epokën tonë. Shumë njerëz u çuditën, kur Sartri e refuzoi çmimin, duke thënë se ai gjithmonë i ka mohuar nderimet zyrtare dhe se "një shkrimtar nuk duhet ta lejojë veten që të shndërrohet në institucion".

1972 - Lufta e Vietnamit: Në Saigon, Henry Kissinger dhe presidenti i Vietnamit të Jugut, Nguyen Van Thieu takohen për të diskutuar një propozim për armëpushim që ishte hartuar midis amerikanëve dhe vietnamezo-veriorëve gjatë bisedimeve në Paris. Në fakt, projekt-marrëveshja ishte përgatitur nga vetë Henry Kissinger, këshilltari kryesor për politikë të jashtme të presidentit Richard Nixon, në bisedime sekrete në Paris me homologun vietnamezo-verior Le Duc Tho. Edhe pse veprimtaritë e shumta diplomatike krijuan spekulime rreth një fundi të mundshëm të Luftës së Vietnamit, luftimet në terren vazhdonin me ashpërsi.

1997 - Vdiq arqipeshkvi i Shkodrës, Frano Ilia. Lindi në Juban, pranë Shkodrës më 1918; u shugurua meshtar më 1943; shërbeu në Tiranë, Shkodër, Milot e rrethina. Kur Shqipëria komuniste u shpall ateiste më 1967, Frano Ilia u arrestua; më 1968 u dënua me vdekje; dënimi iu kthye në burgim të përjetshëm. 25 vjet pas këtij dënimi, do të shugurohej ipeshkëv nga vetë Papa Gjon Pali II.

2002 - Nëna mbretëreshë e shqiptarëve, Geraldina vdiq në Tiranë nga një sëmundje në mushkëri dhe pas 3 goditjeve në zemër. Ajo ishte konteshë hungareze, para se të bëhej princeshë më 1937, kur u fejua me mbretin Zog; dhe mbretëreshë nga prilli 1938, kur ata u martuan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat