Çfarë ka ndodhur më 23 tetor?

Dokumentare

Çfarë ka ndodhur më 23 tetor?

Më: 23 tetor 2016 Në ora: 08:20
Ilustrim

42 pes – Lufta civile romake: Trupat e Mark Antonit dhe Oktavianit mposhtin ushtrinë e Brutit. Bruti kryen vetëvrasje. Por cili ishte shkaku i luftës? Dy vjet më parë (44 pes), Cezari ishte vrarë pabesisht nga një grup senatorësh ku bënte pjesë edhe miku i tij, Markus Brutus. Oktaviani, djali i birësuar i Cezarit, i cili ndodhej për studime në Apolloni të Ilirisë, sapo mori vesh lajmin u nis për në Romë dhe u vu në ndjekje të vrasësve. Sipas historisë, Cezari fillimisht u rezistoi sulmuesve, por kur pa Brutin mes tyre, iu dorëzua fatit, duke thënë “Et tu, Brute?” – “Edhe ti, Brut?”; fjalë që vazhdojnë të jenë subjekt debatesh mes dijetarëve dhe historianëve. “Et tu, Brute?” është frazë latine që arriti në kohët tona ndoshta falë Uilliam Shekspirit i cili e përdori atë në tragjedinë Jul Cezari (1599). Shprehja pason traditën e historianit romak Suetoni, i cili thotë se “Et tu, Brute?” është kalk e një greqishteje “Kai su, teknon?”- “Edhe ti, biri im?” dhe merret si tregues se Bruti ishte djal jashtë-martese i Qezarit. Ndërsa, Plutarku thotë se Cezari nuk foli fare por kur pa Brutin mes komplotistëve, mbuloi kokën me pelerinën e vet dhe e la t’a godiste. Kohët e fundit janë shtuar argumentet se “Et tu, Brute?”, mund të interpretohet si mallkim apo kërcënim; atëherë mallkimet në greqisht mes romakëve ishin bërë proverbiale, dhe Cezari mund të ketë thënë: “Edhe ti, biri im, do ta provosh shijen e fuqisë” ose “Edhe ti Brut? Në ferr shkofsh!”.

1812 – Gjenerali francez Claude François de Malet, arratiset nga burgu dhe organizon një komplot për të përmbysur perandorin Napoleon Bonaparti, duke përhapur lajmin se perandori vdiq gjatë fushatës në Rusi dhe e shpalli veten komandant të garnizonit të Parisit. Lajmi u besua nga të gjithë, por kur një polic e pa Maletin duke bërë betimin para Senatit, ai e njohu dhe bërtit “është Malet, i arratisuri!”. Pas kësaj, ai u kap, u çarmatos dhe u dërgua përsëri në burg.

1821 – Demetrio Camarda (Dhimitër Kamarda) lindi në Horën e Arbëreshëve (Piana degli Albanesi) – Si gjuhëtar, poet dhe mbledhës e botues i folklorit shqiptar, Kamarda eci në udhën e hapur nga dijetari i madh arbërësh para tij, Jeronim De Rada. Kamarda kishte njohuri shkencore edhe në fushën e gjuhësisë indo-evropiane dhe doli me idenë se shqipja lidhej me greqishten e vjetër, duke iu kundërvënë tezës së vërtetuar nga Franz Bopp se shqipja ishte degë e veçantë në familjen Indoevropiane. Vepra kryesore e Kamadrës, Provë e Gramatikës Krahasuese mbi Shqipen, vlerësohet si i pari punim shkencor në fushën e studimit krahasues historik të shqipes. Kamarda njihet edhe për kontributin në përhapjen e alfabetit të përgjithshëm shqip në vitin 1869. Ai vdiq ne Livorno të Italisë me 1882.

 1871 – Lindi në Fishtë, Dajç, Lezhë, Shqipëri (në atë kohë Perandori Osmane), Gjergj Fishta; studioi për filozofi e teologji; prift i shuguruar katolik edhe poet i madh; në vitin 1902, merr drejtimin e gjimnazit françeskan në Shkodër; vepra i tij madhore (1937) Lahuta e Malcis prej 17-mijë vargjesh – quajtur ndryshe edhe Iliada Shqiptare.At Gjergj Fishta ishte kryetar i komisionit në Kongresin e Manastirit më 1908, që miratoi alfabetin. Ishte përkthyes i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, pastaj, sekretar i delegacionit. Në fund të vitit 1920, Shkodra e zgjodhi deputet të saj në parlamentin shqiptar. Pas vendosjes së regjimit të Zogut, Fishta u vetë-mërgua në Itali në vitin 1925 /1926, para se se të rifillonte punën si mësues, poet dhe shkrimtar në Shkodër; vdiq më 30 dhjetor 1940. Fishta ishte redaktor i revistës “Hylli i Dritës” (1913 ) dhe gazetës “Posta e Shypnisë” gazetë (1916-1917). At Gjergj Fisha ishte gjithashtu shqiptari i parë kandidat për çmimin Nobel për letërsi. I mohuar e përçudnuar zyrtarisht për 45 vjet nga regjimi komunist, emri iu harrua, ndërsa vargjet e tij qarkullonin në popull, fshehurazi, gojë-më-gojë.

1874 – Lind në Janjevë afër Prizrenit etnografi, folkloristi, shkrimtari, ndoshta arkeologu i pare shqiptar, Mëhill Kostandin Gjeçi-Kryeziu, i njohur si Shtjefën Gjeçovi. Ai u arsimua nga françeskanët në Bosnjë (nën kontrollin e Austro-Hungarisë ) shërbeu në vitet 1905 – 1920 mes fiseve malësore (kryesisht Mirditë) si famullitar, mësues dhe mbledhës folklori. Gazeta Albania e Faik Konices u bë platforma e shkrimeve te tij. Gjeçovi u vra nga serbet në vitin 1929, në fshatin Zym afër Gjakovës, ndërsa shërbente si prift dhe mësues i shqipes në atë famulli. Shtatore sot ai ka në Zym dhe një shtëpi muze në fshatin e lindjes. Më 1929, mbreti Zog protestoi ashpër pranë qeverisë së Beogradit kundër vrasjes se tij. Gjeçovi mblodhi dhe shkroi Kanunin e Lekë Dukagjinit, një sërë ligjesh zakonore shqiptare të trasheguara gojarisht ndër shekuj. Ato u botuan pas vdekjes, në vitin 1933. Një botim shqip – anglisht nga Shtëpia Botuese Gjonlekaj, Nju Jork ne vitet 1980, tërhoqi vëmendjen e studiuesve të huaj të cilëve për herë të parë u binte në dorë një botim anglisht i këtij kanuni.

1892 – Vdiq Abdyl Frashëri, 53 vjeç, një prej ideologëve te parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ai ishte me i madhi në moshë mes 3 vëllezërve Frashëri, Naimit e Samiut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat