Çfarë ka ndodhur më 4 nëntor? - Bota Sot
Çfarë ka ndodhur më 4 nëntor?

Dokumentare

E mërkurë, 13 dhjetor 2017

Çfarë ka ndodhur më 4 nëntor?

Më: 4 nëntor 2016 Në ora: 07:41
Ilustrim

1770 – Lindi François Charles Hugues Laurent Pouqueville – diplomat francez, shkrimtar, eksplorues, mjek dhe historian. Aristokrat, monarkist, që ndihmoi revolucionin, pastaj u nda prej tij; për dy vjet rob i sulltanit, pastaj konsull i përgjithshëm i Bonapartit në Janinë, pranë Ali Pashë Tepelenës; udhëtoi gjerësisht në të gjithë Shqipërinë jugore dhe në Greqinë e pushtuar Osmane. Me diplomacinë dhe shkrimet e tij, ai u bë arkitekt i filo-helenizmit në të gjithë Evropën; kontribuoi jashtëzakonisht për rilindjen dhe çlirimin e kombit grek. Dëshmitë në lidhje me masakrat e kryera nga Ali Pasha ndaj suljotëve më 1804, Pouqueville i botoi në një kapitull të veçantë në librin e tij Historia e Rilindjes së Greqisë (1824), që frymëzoi dramaturgun francez Népomucene Lemercier për të shkruar tragjedinë në 5 akte: “Martiret e Sulit” (Paris , 1825), dhe piktorin romantik Ary Scheffer për të pikturuar “Gratë Souliote”.

1918 – Lufta e Parë Botërore: Austro- Hungaria dorëzohet. Armëpushimi i nënshkruar në vilën Giusti përfundoi luftën midis Italisë dhe Austro – Hungarisë në frontin italian. Armëpushimi hyri në efekt 24 orë më vonë.

1948 – T.S. Eliot merr Çmimin Nobel në Letërsi “për kontributin e shquar dhe si pionier i poezisë moderne” Thomas Stearns Eliot (1888 – 1965) ishte eseist, publicist, dramaturg, kritik letrar dhe “një nga poetët më të mëdhenj të shekullit XX”. Lindur në Saint Louis, Misuri në Shtetet e Bashkuara, ai emigroi në Britani në vitin 1914 dhe më 1927 u bë nënshtetas britanik. Fillimisht, T.S. Eliot tërhoqi vëmendjen për poemën e tij “Këngë dashurie e J. Alfred Prufrock (1915), e cila shihet si kryevepër e lëvizjes moderniste. Në vitin 1915, Ezra Pound, botues i revistës Poems , rekomandon botimin e “The Love Song of J. Alfred Prufrock”. Poema është një udhëtim në përvojën e vetëdijes së një njeriu, Prufrock. Kritikët thonë se struktura e poemës është ndikuar thellësisht nga Dante dhe Shekspiri, që ishin poetët më të preferuar të T. S. Eliotit.

1952 -Qeveria e Shteteve të Bashkuara themelon Agjencinë Kombëtare të Sigurimit, apo NSA – prodhuese kryesore dhe administruese e të dhënave të zbulimit – që vepron nën juridiksionin e Departamentit të Mbrojtjes dhe i raporton Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare . NSA është e ngarkuar me mbledhjen, monitorimin global, deshifrim, përkthimin dhe analizimin e informacioneve dhe për qëllime kundër-zbulimi, përfshirë mbikëqyrjen e individëve në shënjestër në tokën amerikane. NSA është e autorizuar për të përmbushur misionin e saj nëpërmjet mënyrave dhe mjeteve të fshehta, ndër të cilat është sistemi elektronik i përgjimit. Drejtori i NSA-së shërben njëkohësisht si Komandant i Qendrës Kibernetike të Shteteve të Bashkuara dhe si Shef i Shërbimit Qendror të Sigurimit.

1956 – Trupat sovjetike hynë në Hungari për të shtypur Revolucionin antikomunist hungarez, që kishte filluar më 23 tetor . Si pasojë, mijëra vetë u vranë, shumë të tjerë u plagosën, dhe gati 250-mijë hungarezë ikën nga vendi.

1979 – Në Iran, 3-mijë militantë pushtuan ambasadën amerikane në Teheran. Ata kapen 54 anëtarë të personelit të ambasadës. Militantët kërkuan që Shahu i Iranit, i cili kishte sunduar për dekada të tëra dhe tani ishte duke kërkuar trajtim mjekësor në Perëndim, t’u dorëzohej atyre për gjykim; Shtetet e Bashkuara të kërkonin falje për krimet kundër popullit iranian; dhe pasuritë e Shahut të depozituara jashtë t’u jepeshin atyre. Kjo ngjarje, e njohur si Kriza e Pengjeve Iraniane, zgjati 444 ditë, duke marë fund në ditën e përurimit të presidentit Ronald Regan, më 20 janar 1981.

1995 – Kryeministri Yitzhak Rabin, 73 vjeç, u qëllua për vdekje pas një mitingu pro- paqes në Tel Aviv, nga studenti i drejtësisë, Yigal Amir, i cili ishte kundër përpjekjeve të Rabinit për të arritur një marrëveshje për paqe me palestinezët.

2008 – Barack Obama bëhet i pari afrikano-amerikan i zgjedhur President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Barack Hussein Obama II; lindur 4 gusht 1961, është presidenti i 44 dhe aktual i Shteteve të Bashkuara. I lindur në Honolulu, Hawai, Obama është një i diplomuar i Universitetit Kolumbia dhe Shkolla Harvard e Drejtësisë. Ai punoi si avokat i drejtave civile; shërbeu tre mandate në Senatin e Illinois 1997-2004, pa sukses kandidon për Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara në vitin 2000; në vitin 2004 zgjidhet në Senatin amerikan. Obama filloi fushatën presidenciale në vitin 2007; në vitin 2008, pas një gare të ngushtë me Hillary Clinton, Obama fiton numrin e mjaftueshëm të delegatëve të kuvendit të Partisë Demokrate për emërimin presidencial. Ai pastaj mundi kandidatin republikan John McCain në zgjedhjet e përgjithshme, dhe u përurua president më 20 janar, 2009. Nëntë muaj më vonë, në tetor, Barak Obama u nderua me Çmimin Nobel për Paqe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test