Histori, çfarë ka ndodhur më 31 janar?

Dokumentare

Histori, çfarë ka ndodhur më 31 janar?

Më: 31 janar 2017 Në ora: 07:57
Ilustrim

1606 - Në Londër ekzekutohet Guy Fawkes; disa muaj më parë, më 5 nëntor, ai ishte përpjekur për të hedhur në erë parlamentin anglez, ndërsa mbreti Xhejms po bëhej gati të hapte punimet e sesionit. Komploti kishte për qëllim fillimin e një kryengritje të madhe të katolikëve anglezë, të cilët ishin lodhur me masat e ashpra ndaj tyre. Edhe pse komploti ishte organizuar nga një grup i vogël katolikësh, zbulimi i tij nxiti armiqësi ndaj të gjithë katolikëve anglezë dhe çoi në ligje më të rrepta. Anglia e feston zbulimin e Komplotit të Barotit më 5 nëntor me zjarre, fishekzjarre dhe djegie efigjish të konspiratorit.

1865 - Lufta Civile amerikane: Robert E. Lee emërohet komandant i përgjithshëm i forcave të Konfederatës. Vite më parë ai kishte refuzuar një ofertë nga presidenti Abraham Linkoln për t’ u bërë komandant i ushtrisë së Bashkimit. Ndjenjat e tij ishin me jugun. Gjeneral Lee ishte i martuar me vajzën e birësuar të Xhorxh Uashingtonit. Pas luftës, presidenti Linkoln e fali gjeneralin e mundur, i cili qëndroi në hije a larg zhvillimeve politike të kohës, duke u bërë president i një kolegji të vogël në Virginian perëndimore. Robert E. Lee jetoi i respektuar nga të dyja palët e konfliktit, dhe nga populli. Vdiq më 1870 në moshën 68 vjeçare. Një autostradë që zgjatet nga kryeqyteti Uashington deri në Los Angeles, Kaliforni, mban emrin e tij, “Lee Highway”.

1929 - Erich Maria Remarque, lindur Erich Paul Remark, publikon në Berlin librin "Im Westen nichts Neues" (Asgjë të re nga fronti i perëndimit). Në një periudhë mbushur me re të një lufte të dytë, libri i Remarku kritikonte Luftën e Parë. Nazistëve nuk u pëlqeu. Më 10 maj 1933, qeveria gjermane, me nismën e ministrit të propagandës, Joseph Goebbels, i shpalli të ndaluara dhe i dogji publikisht librat e Remarkut, i cili ikën nga Gjermania për të jetuar në Zvicër; gjatë kësaj periudhe mërgimi, Remark shkruan edhe romanin e njohur “Tre shokët”. Nazistët i vazhduan sulmet ndaj librave dhe karakterit të tij, duke thënë se ai ishte pasardhës i hebrenjve francezë dhe se mbiemri Remark, po të lexohet nga e majta në të djathtë jep Kramer (mbiemër i përhapur mes hebrenjve). Historianët thonë se çështja e mbiemrit vazhdon ende të citohet nga disa biografë të tij, përkundër mungesës së plotë të provave. Në vitin 1938, Remarkut iu hoq shtetësia gjermane; pas një viti ai emigroi në Shtetet e Bashkuara dhe më 1947 u bë shtetas amerikan. Remark vdiq me 1970, 72 vjeç, në një klinikë në Locarno, Zvicër

1929 - Leon Trotsky dëbohet nga Rusia. Ai u prit nga qeveria e Turqisë dhe u vendos në ishullin e Prinkipo, ku punoi për të përfunduar autobiografinë e tij dhe historinë e Revolucionit Rus. Pas katër vjetësh në Turqi, Trocki shkoi në Francë, më pas në Norvegji dhe në vitin 1936 iu dha strehim politik në Meksikë. Ai u vendos familjarisht në një shtëpi në periferi të kryeqytetit Meksiko, ndërsa në mungesë u shpall fajtor për tradhti gjatë spastrimeve që Stalini ndërmori ndaj armiqve të tij politikë. Trocki mbijetoi një sulm me armë automatike në shtëpinë e tij, por më 20 gusht 1940, u bë viktimë e një komunisti spanjoll, Ramon Mercader, i cili e plagosi rëndë me sëpatë. Trotski vdiq të nesërmen në spital. Nga shqiptarët, Leon Trocki duhet të kujtohet, pasi në vitin 1917, si komisar për çështje të jashtme, gjeti në arkivat e Rusise cariste dokumentin e Traktatit të Fshehtë të Londrës nënshkruar në prill 1915, midis Italisë, Anglisë, Francës dhe Rusisë për copëtimin e Shqipërisë. Dokumenti u bë publik, madje Austria e përktheu edhe në shqip, që çdo shqiptar të mund njihej me të.

1950 - Presidenti Harry Truman shpall publikisht zhvillimin e bombës me Hidrogjen. Para se të merrte një vendim, presidenti u takua me një grup shkencëtarësh për t’i pyetur se çfarë mendonin rreth një bombe të tillë. Shkencëtarët ishin ata që kishin punuar për ndërtimin e bombës atomike dhe shprehën rezerva, pasi nuk donin të bëheshin pjesë e ndërtimit të një bombe edhe më shkatërruese. Truman, nga që nuk po merrte një përgjigje të qartë, e humbi durimin; "A janë rusët në gjendje të zhvillojnë një bombë me hidrogjen? pyeti ai, dhe përgjigja ishte - "Po!" - "Atëherë çfarë dreqin presim, të na vijë bomba këtu?", dhe dha urdhër për fillimin e projektit. Pas 4-vjetësh, më 2 shkurt 1954 - presidenti Eisenhower raportoi se prova e parë e Bombës me Hidrogjen ishte kryer në vitin 1952 nën administratën Truman.

1995 - Presidenti Bill Klinton autorizon një kredi 20 miliardë dollarë për Meksikën për të stabilizuar ekonominë e saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat