Çfarë ka ndodhur më 8 shkurt?

Dokumentare

Çfarë ka ndodhur më 8 shkurt?

Më: 8 shkurt 2017 Në ora: 07:40
Kostandin Palaeologus

1404 – Në Kostandinopojë lindi Kostandin Palaeologus. Më 1449, ai do të bëhej Perandor i Bizantit dhe mori emrin Kostandini XI; u kurorëzuar në Mistra të Moresë, pasi aty e gjeti vdekja e të atit dhe nuk deshi ta shtynte marrjen e fronit derisa të arrinte në Kostandinopojë. Nëna e tij, ishte me prejardhje nga Dragashi (Sharri) pranë Prizrenit, Kosova jugore. Kostandini donte që si perandor të mbante mbiemrin e familjes së nënës së tij, Dragashi. Gjithashtu përpjekjet kishin filluar për një martesë të mundshme të Kostandinit me Mara Brankoviçin, bijën e despotit serb Gjorgj Brankoviç; Mara kishte mbetur e ve pas vdekjes së burrit të saj, Sulltan Muratit; ajo ishte edhe njerka e sultanit të ri, Mehmet II, prandaj një krushqi mund të zbuste rrezikun Osman. Por këto mbetën vetëm plane; Perandori ishte destinuar të vdiste pa grua dhe pa trashëgimtar; më 9 maj 1453 Kostandinopoja ra në duart e osmanëve dhe Kostandini XI u vra në betejë. Edhe pse sulltan Mehmeti II i kishte ofruar paqe dhe një territor në More për të sunduar, Konstandini ndjeu se duhej të qëndronte dhe të vdiste me perandorinë. Më 29 maj 1453, trupi i Kostandinit, mes të vrarëve, u njoh nga këpucët e tij të kuqe, me shqiponjat me dy koka të qëndisura mbi to. Vdekja e tij shënoi fundin e Perandorisë Romake, e cila kishte vazhduar në Lindje për 977 vjet pas rënies në Perëndim; Perandoria e Romake e Lindjes (Bizanti) që filloi me ilirin Kostandin I nga Naissus (Nishi) mori fund me Kostandinin XI nga Dragashi (Sharri) më shumë se 1-mijë vjet më vonë.

1612 – Në Angli lindi Samuel Butler, poet e shkrimtar satirik (vdiq 1680). Ai kujtohet kryesisht për një poemë të gjatë me titull Hudibras ku satirozon sektarizmin fetar. Poema ishte shumë popullore në kohën e tij. Hudibras merr disa karaktere nga Don Kishoti, por ka edhe shumë referenca nga personalitete dhe ngjarje të asaj kohe. Butler u ndikua edhe nga satiristë të letërsisë klasike, veçanërisht Virgjili. Thuhet se mbreti Charles II e vlerësonte lartë poemën Hudibras, madje i lidhi poetit një pension vjetor.

1735 – Opera e parë në SHBA, “Flora”, shfaqet në Charleston, Karolina e Jugut. Një shekull më vonë, opera nuk do të pëlqehej shumë në Shtetet e Bashkuara, por në vitet 1700, kur çdo i rritur në trembëdhjetë kolonitë amerikane kishte emigruar nga Evropa, opera ishte po aq popullore sa edhe në kontinentin e vjetër. Flora u shfaq në një teatër të improvizuar, por suksesi i saj frymëzoi zyrtarët në Charleston për të ndërtuar një hapësirë të caktuar për opera, që u bë në fakt, Teatri i parë i Operas në territorin amerikan.

1740 – Lorenzo Corsini ose Papa i verbër, vdes në moshën 87-vjeçare, pas 10 vjetësh në detyrë. Papa quhej Klementi XII, për nder të Papa Klement Albanit ose Klementi XI, që e kishte shuguruar prift dhe kardinal Korsinin që në vitin 1706. Papa Klementi XI, emri i lindjes Giovanni Francesco Albani (nga familja Albani e vendosur në Itali nga Shqipëria veriore në shekullin e 15-të) ishte kreu i Kishës Katolike nga viti 1700 deri në vdekjen e tij më 1721. Papa pasardhës, Klement XII, ishte edhe përkahës dhe ruajtës i veprave të artit. Ai njihet për blerjen e koleksionit të madh të piktuarave dhe skulpturave klasike të kardinalit Alessandro Albani, nipi i Papa Klement Albanit. Busti i Demostenit nga koleksioni i Alessandro Albanit ndodhet sot në muzeun e Louvrit në Paris.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat