Çfarë ka ndodhur më 9 shkurt?

Dokumentare

Çfarë ka ndodhur më 9 shkurt?

Më: 9 shkurt 2017 Në ora: 07:41
Henry Harrison

1773 – Lindi William Henry Harrison, president IX i Shteteve të Bashkuara (vetëm për një muaj). Maksima e tij ishte “nil desperandum” (mos u dëshpëro). Dhe optimizmi i duhej. Si ushtarak, nuk pati sukses; përpjekjet për t’u zgjedhur senator dështuan; kriza ekonomike e viteve 1830 e la thuajse pa asnjë fond dhe familja e tij (ai kishte 9 fëmijë) u ndodh në prag të varfërisë. Biografët thonë se jeta e William Harrisonit është mësim se nëse qëndron mjaft gjatë në politikë njeriu mund të bëhet president (pavarësisht se çfarë ndodh më pas). Harrison vinte nga familje e shquar e Virginias; i ati i tij kishte qenë nënshkrues i deklaratës amerikane të pavarësisë; dhe dukej se Harrison sikur kishte lindur për t’u bërë president, dhe u bë. Fushata e zgjedhjeve presidenciale (1840) ishte e lodhshme për Harrisonin 68-vjeçar. Por gëzimi i fitores zbehu lodhjen, dhe dimrin; më 9 shkurt 1841, ditë me borë, presidenti i sapozgjedhur duke refuzuar ombrellën, eci nëpër rrugët e kryeqytetit Uashington mes turmës që e përshëndeste. Ditën e përurimit, 4 mars, (ftohtë) ai nuk pranoi një karrocë të mbuluar, por parakaloi në bulevardin Pensilvania hipur në kalin e tij; Në tribunë, Harrison qëndroi pa pallto, pa kapelë, pa dorashka, në të ftohtë, ndërsa foli për 1 orë e 40 minuta. Një muaj më vonë, më 4 prill, presidenti Harrison vdiq në Shtëpinë e Bardhë, nga pasojat e të ftohtit.

1885 – Japonezët e parë mbërrijnë në Hawaii për të plotësuar nevojat e punës në plantacionet e sheqerit. Pas Aktit amerikan për moslejimin e emigrantëve nga Kina (1882), kultivuesit u kthyen nga Japonia për fuqi punëtore. Ata ishin kryesisht nga Hiroshima Yamaguchi, dhe Kumamoto.

1885 – Në Vjenë lindi Alban Berg kompozitor austriak anëtar i Shkollës së dytë vjeneze të muzikës. Berg kujtohet si një nga kompozitorët më të rëndësishme të shekullit të 20-të. Ai njihet për aplikimin e sistemit të dymbëdhjetë – tonacioneve (teknikë muzikore që përdoret si mjet për të siguruar përdorimin e 12 notave të shkallës muzikore duke parandaluar theksimin e një note të veçantë. Aban Berg vdiq më 1935 i helmuar nga një pickim insekti, la pas një vajzë me emrin Albina.

1886 – Presidenti amerikan Grover Kleveland shpall gjendjen e jashtëzakonshme në Seattle të shtetit Uashington për shkak të shpërthimit të dhunës kundër emigrantëve kinezë.

1893 – Opera e Verdit “Falstaff shfaqet për herë të parë në teatrin La Scala të Milanos. Libreti bazohet në incidentet komike nga Henry V I prej Shekspirit. Verdi e kompozoi Falstaff kur ishte 80 vjeç dhe kjo ishte opera e tij e fundit. Verdi kompozoi gjithsej 28 opera. Falstaff ishte gjithashtu e treta me libret bazuar në veprat e Shekspirit (pas Makbethit dhe Otellos). Si çdo oper e Verdi, edhe Falstaff u prit me interes në Itali, por gjetkë në Evropë e SHBA, ajo nuk u popullarizua deri në dekadat e para të shekullit XX kur dirigjenti Arturo Toscanini këmbënguli në rivënien e saj në skenë në La Scala dhe Metropolitan në Nju Jork. Falstaff është tani pjesë e rregullt e repertorit të operave botërore

1895 – Shpiket Volejbolli nga William Morgan në Massachusetts. Emri “Volejboll” erdhi pas një demonstrimi, kur një spektator komentoi se loja përfshinte shumë “volleying” (goditje (topi) në ajër) dhe kështu lojës i mbeti emri “Volleyboll”.

1933 – Ftohje globale – Temperaturat zbresin minus 53 gradë Celsius në Moran, Wyoming. Një vit më vonë, 1934, po këtë ditë temperatura shënon minus 25.7 gradë C , dita e më i ftohtë në qytetin New York; dhe minus 46 gradë C në Vanderbilt, Michigan.

1934 – Formohet aleanca e Ballkanit (Jugosllavi, Greqi, Turqi dhe Rumani) për të ruajtur integritetin e tyre territorial ndaj synimeve bullgare për zgjerim. Kjo aleancë ishte e ngjashme me Aleancën e formuar nga Jugosllavia, Rumania, dhe Çekosllovakia për të ndalur zgjerimin hungarez. Ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore sollën shpërbërjen e këtyre aleancave.

1960 – Tetë pllakat e para të yjeve prej bronzi vendosen në Bulevardin e Famës në Hollivud, ku sot ndodhen më shumë se 2,500 yje të ngulitur në trotuare përgjatë Bulevardit prej 3 kilometrash, që vizitohet çdo vit nga mbi 10 milionë njerëz. Këta Yje janë monumente të përhershme publike për arritjet në industrinë argëtuese, duke mbajtur një përzierje emrash; aktorë, muzikantë, regjisorë producentë, grupe muzikore, teatrale, karaktere imagjinarë, dhe të tjerët. Aktori John Belushi është i vetmi shqiptar në këtë Bulevard. Belushi vdiq më 5 mars 1982 në Hollywood, pasi kishte marrë në sasi të mëdha një përzierje drogash kokainë dhe heroinë; Ai ishte 33 vjeç, i ri, por la gjurmë si komedian; 22 vjet pas vdekjes, Ylli me emrin “John Belushi” u vendos në Bulevardin e Famës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat