‘Kokainë drejt Durrësit’: Ja pse u fut mes pulave të ngrira

Durrësi

‘Kokainë drejt Durrësit’: Ja pse u fut mes pulave të ngrira

Më: 25 tetor 2016 Në ora: 10:28
Pulat

Policia italiane kap 19 kilogramë kokainë brenda kamionit të mbushur me pula që vinin nga Brazili me destinacion Portin e Durrësit. Droga me vlerë rreth 4 milionë euro ishte e destinuar për grupet e trafikantëve që veprojnë në Shqipëri.

Agjentët e policisë italiane kapin 19 kilogramë kokainë të pastër brenda një kamioni frigoriferik që kishin për destinacion Portin e Durrësit.

Droga ishte ndarë në 17 pako dhe qe fshehur mes pulave të ngrira që vinin nga Brazili.

Nëse kjo drogë do kalonte në duart e trafikantëve shqiptarë, vlera e saj në treg do kapte shifrën e rreth 4 milionë eurove.

Sasia e kokainës ishte futur brenda kontejnerit, vinte nga Paranagua e Brazilit dhe do të shkarkohej në Durrës.

Zbulimi ka ardhur paraditen e djeshme nga oficerët e komandës provinciale të “Guardia di Finanza”-s së Reggio Calabrias, së bashku me funksionarë të zyrës kundër mashtrimit tregtar të Agjencisë së Doganave të Gioia Tauros, në koordinim me Drejtorisë lokale të Antimafias.

Fillimisht është verifikuar dokumentacioni që dispononte drejtuesi i automjetit, por agjentët dyshuan për rrugën që kishte zgjedhur për të mbërritur në portin e Gioia Tauros dhe më pas destinacioni përfundimtar do të ishte Porti i Durrësit.

Nëpërmjet skanerëve modernë është zbuluar se mes pulave të ngrira braziliane kishte drogë. Kontrolli i imtësishëm çoi në gjetjen e lëndës narkotike e cila ishte futur në arkat që mbanin pula të ngrira.

Kjo formë ka rezultuar e suksesshme pasi shmang edhe kontrollin nga qentë antidrogë, të cilët e kanë të pamundur të nuhasin lëndën narkotike nëse ajo është brenda kontejnerëve me mish.

Aktiviteti i “Guardia di Finanza”-s së Reggio Calabrias është pjesë e intensifikimit të kontrolleve në lidhje me trafikun e drogës në rajonet kalabreze, teksa që prej fillimit të vitit kanë kapur thuajse 1.100 kg kokainë të pastër.

Kjo forcë përdor mjete moderne për zbulimin e drogës dhe njëkohësisht ka edhe bashkëpunim me prokurorinë e Antimafias, e cila ka të dhëna për trafikun e drogës nga grupe të ndryshme.

Skanerët e përdorur në këtë rast arritën të evidentonin drogën dhe më pas menjëherë është kryer arrestimi i drejtuesit të kamionit.

Ai është dërguar nga ambientet policore dhe pritet që të merret në pyetje në lidhje me trafikun e narkotikëve.

Hetimet janë në fazën paraprake por duke marrë parasysh që për tregun shqiptar 19 kilogramë kokainë e pastër është sasi që “menaxhohet” nga grupe të fuqishme, hetuesit italianë po verifikojnë edhe kompaninë që kishte porositur pulat që mbërrinin nga Brazili.

Gjithsesi kjo nuk do të thotë që droga mund të përfundonte në duart e porositësit të mallit të deklaruar. Shpesh individë apo edhe kompani që kanë kamionë frigoriferikë dhe merren me transportin ndërkombëtar të mallrave, fusin lëndë narkotike për llogari të tyre dhe jo për porositësin e mallit.

Në vendet e Amerikës Latine kokaina është më lehtë për t’u gjetur dhe çmimi i saj është edhe më i lirë.

Nga burime të policisë sonë mësohet se linja kryesore që mbërrin kokaina në Shqipëri është Holanda. Grupe të ndryshme kriminale trafikojnë kokainë të pastër dhe pasi bëhet përzierja në vendin tonë, duke e shtuar disa herë sasinë e drogës, kalon në treg.

Numri i përdoruesve të kokainës është rritur nga viti në vit dhe vendet ku ajo tregtohet janë kryesisht lokalet e natës.

Ndërsa sasia e djeshme e kapur në Itali vinte nga Brazili me destinacion përfundimtar Portin e Durrësit dhe më pas droga do përfundonte në duart e trafikantëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat