Linja hekurudhore Durrës-Mali i Zi, një kompani çeke dorëzon studimin e fizibilitetit

Durrësi

Linja hekurudhore Durrës-Mali i Zi, një kompani çeke dorëzon studimin e fizibilitetit

Më: 12 dhjetor 2016 Në ora: 13:46
Pamje nga takimi

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj priti të hënën në një takim ambasadoren e Çekisë në vendin tonë, Branislava Tamasova dhe përfaqësuesin e kompanisë hekurudhore çeke “AZD PRAHA”, Peter Liska.

Gjatë takimit përfaqësuesi i kompanisë “AZD PRAHA” dhe ambasadorja Tamasova, i dorëzuan ministrit Dervishaj studimin e fizibilitetit për modernizimin e linjës hekurudhore Durrës- kufiri me Malin e Zi.

Për Ministrin ky është hapi i parë për të vijuar më tej me fillimin e një projekti konkret, për të modernizuar këtë linjë hekurudhore.
Ministri Dervishaj tha se pala shqiptare është shumë e interesuar në zhvillimin e transportit hekurudhor, për t’i dhënë një ndihmesë të madhe jo vetëm pasagjerëve, por edhe biznesit.

Dervishaj theksoi se lidhja Durrës-Hani i Hotit dhe më tej me Malin e Zi, e fut Hekurudhën Shqiptare në rrjetin europian të hekurudhave, duke i dhënë një mundësi të madhe shkëmbimeve tregtare.

Sipas tij, rivitalizimi i transportit hekurudhor sjell zhvillimin e porteve shqiptare, që mund të shërbejnë si porta hyrëse për kompanitë e mëdha. Më tej, Dervishaj bëri të ditur se ministria synon rivitalizimin e këtij transporti, ku një nga zhvillimet konkrete pritet pranverën e 2017-s, ku do të fillojnë punimet për ndërtimin e linjës hekurudhore Tiranë-Rinas-Durrës.

Ambasadorja Tamasova tha se Çekia po mbështet prej vitesh Shqipërinë në zhvillimin e transportit hekurudhor, që ka një potencial të madh për vendin dhe rajonin.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat