Fotot e viktimave/ Tmerri në Durrës, djali sherr me prindërit para se t’i vriste me çifte

Durrësi

Fotot e viktimave/ Tmerri në Durrës, djali sherr me prindërit para se t’i vriste me çifte

Më: 30 qershor 2017 Në ora: 08:30
Ngjarja është regjistruar mëngjesin e djeshëm në orën 07:55, ndërsa policia bëri të mundur arrestimin e autorit disa momente më vonë.

Krimi brenda familjes tronditi dje Durrësin. Djali i sapokthyer nga Italia qëlloi me armë zjarri prindërit e tij të moshuar, duke i lënë të vdekur në vend, shkruan “Panorama”.

Sipas Policisë së Durrësit, krimi i rëndë ndodhi në familjen Nika, ku autor është djali, Leonard Nika, 29 vjeç.

Image
Ali Nika, 70 vjeç, dhe Junije Nika, 66 vjeçe

Mendohet se pas një sherri familjar, i riu qëlloi për vdekje babanë Ali Nika, 70 vjeç, dhe nënën Junije Nika, 66 vjeçe, që jetonin në Xhafzotaj. Ngjarja është regjistruar mëngjesin e djeshëm në orën 07:55, ndërsa policia bëri të mundur arrestimin e autorit disa momente më vonë.

“Shkak për krimin dyshohet të ketë qenë një debat mes dy prindërve dhe djalit të tyre. Ai është i tronditur dhe nuk ka dhënë asnjë version për ngjarjen, qëndron i heshtur dhe është mjaft i ngarkuar psikologjikisht”, bënë të ditur burime të Policisë së Durrësit

KRIMI

Burime nga grupi hetimor i ngritur për të zbardhur ngjarjen e rëndë thanë se autori, i cili dyshohet se së fundi ka shfaqur probleme psikologjike, pasi kishte qëlluar nga një herë me çifte secilin prej prindërve, kishte dalë në rrugë me armën e zjarrit në dorë.

Komshinjtë dhe të afërmit që jetonin vetëm pak metra më tej kanë rendur drejt shtëpisë së familjes Nika për të kuptuar se çfarë po ndodhte, ndërsa kanë gjetur të shtrirë brenda në ambientet e banesës çiftin e moshuar të vdekur dhe të mbuluar nga gjaku.

Çifti kishte gjashtë fëmijë, katër vajza dhe dy djem, ndërkohë që të gjithë jetojnë jashtë vendit. Pas sinjalizimit të dhënë nga banorët, në vendin e ngjarjes mbërritën uniformat blu. Policia arrestoi vetëm pak minuta pas ngjarjes autorin e krimit, i cili në momentin që mbërritën blutë ishte vetëm 100 metra larg viktimave.

Ai kishte dalë në rrugë me armën e krimit në dorë, duke përhapur panik te banorët e zonës që njihnin temperamentin e tij.

AUTORI

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes, ndërsa mundësia e vetme për të mësuar të vërtetën është versioni i 29- vjeçarit, i cili veçse autor, mbetet edhe si i vetmi dëshmitar i asaj çfarë ka ndodhur në familjen Nika.

“Motivi i ngjarjes për momentin mbetet mister, pasi autori, i cili është alternativa e vetme për të mësuar se cili ishte shkaku i konfliktit me prindërit është në gjendje të rënduar psikologjike dhe e ka të pamundur për të treguar se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Ai qëndron i heshtur. Ka probleme psikologjike dhe do të gjejmë një moment tjetër për ta marrë në pyetje, pasi nuk është në gjendje të tregojë se çfarë ka ndodhur. Kemi mësuar se ai vuan nga depresioni dhe mjekohej prej disa kohësh nga kjo sëmundje”, thanë burime nga grupi hetimor.

Sipas të dhënave, pasi është kthyer nga Italia, ai e ka çuar bashkëshorten dhe fëmijën te prindërit e saj që të rrinin disa ditë. Ndërsa vetë kishte qëndruar me prindërit. I riu vinte shpesh për t’i vizituar dy prindërit me të cilët figuron ende në trungun familjar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat