E reja hidhet nga kati i tetë, nëna e dy fëmijëve pi fostoksinë

Durrësi

E reja hidhet nga kati i tetë, nëna e dy fëmijëve pi fostoksinë

Më: 8 korrik 2017 Në ora: 13:34
Një vajzë 19-vjeçare ka gjetur vdekjen, pasi është hedhur nga kati i tetë i një pallati shumëkatësh në lagjen “Apollonia”, në Fier.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:10, të ditës së premte. Pllanga gjaku në asfalt të përziera me ujë, dy çorape të bardha po të gjakosura,uniforma policore në hyrje të pallatit shumëkatësh,të lyer me ngjyrë portokalli, specialist antikrim që hynin dhe dilnin nëpër godinë dhe njerëz që kalonin, ndaleshin pyesnin se çfarë kishte ndodhur e më pas largoheshin duke marrë misterin e ngjarjes së rëndë, e duke përhapur lajmin e kobshëm. Ishte hedhur nga kati i tetë i pallatit një shtetase, e cila banonte aty, por që për shumicën e banorëve të shumëkatëshit, nuk ishte e njohur. Kjo ishte panorama e orëve të para të mëngjesit, në njërin prej blloqeve të banimit të lagjes “Apollonia” Fier, i cili përjetoi viktimën e radhës të të vetsakrifikuarve, që këtë radhë kishin zgjedhur lartësinë dhe jo mënyra të tjera klasike të dhënies fund të jetës.

Në fakt, askush prej banorëve nuk ka dëgjuar zhurmën që shkaktoi rënia e trupit të 19-vjeçares, Safete Bega, nga kati i tetë, në shtresën me asflat të varfër, përpara hyrjes së pallatit shumëkatësh. Të paktën këtë e kanë shprehur shumica e banorëve të pyetur lidhur me ngjarjen e rëndë.  Disa prej tyre, që nxitonin të shkonin në punë, ose nisnin ritualin e përhershëm të ditës, nuk kanë dhënë detaje. Për disa prej tyre, vajza ishte e panjohur. Për disa të tjerë, e reja jo vetëm nuk njihej por nuk rezultonte të ishte parë në pallat si banore. Ndërsa vetëm dy të moshuar pohuan se vajza jetonte në atë pallat me qera së bashku me një burrë, të cilin e njihnin si bashkëshort të saj.

Dëshmitë

“Dimë që jetojnë në katin e tetë, me qira dhe shumë herë i kemi parë duke debatuar dhe grindur”, tha një i moshuar. Ndërsa shtoi se burri ishte me origjinë nga fshati Topojë, i Njësisë administrative Seman nga Fieri dhe vajza po sipas tij ishte nga rrethinat e Kuçovës. Vetëm kaq thanë dëshmitarët e pyetur ndërsa, pas çdo pyetjeje tjetër lidhur me ngjarjen, shkaqet dhe mënyrën se si ishte hedhur vajza nga lartësia, ata ngrinin supet, duke mos dashur të përgjigjeshin. Policia nga ana e saj kishte vendosur shërbim postobllok në hyrje të pallatit, ndërsa ekspertët merreshin me detaje dhe grumbullime provash dhe faktesh në banesën që bashkëjetonte çifti si dhe përgjatë shkallës e më gjerë në godinën e shumëkatëshit. Që pas mesnate, menjëherë pas ndodhisë, policia shoqëroi dhe më pas arrestoi bashkëjetuesin e viktimës, që sipas saj rezulton të jetë 38-vjeçari, Artur Çala. Ky i fundit është marrë në pyetje nga specialistët antikrim dhe gjatë shoqërimit në polici ka qenë në një gjendje të rënduar psikologjike. Burime të pakonfirmuara nga policia kanë thënë se ai ka përjashtuar pistën e grindjes mes tyre dhe ka deklaruar se në momentin e ngjarjes nuk ka qenë në banesë.

Ai ka pohuar se Safetja, e dashura e tij ishte e vetme në banesë dhe në gjendje të rëndë psikologjike. “Ajo këto kohë ka qenë e shqetësuar dhe vetëm qante”, ka deklaruar ai. Fqinjë të viktimës dhe bashkëjetuesit të saj, kanë deklaruar se çifti kishte precedent penalë, por kjo nuk është konfirmuar nga policia.

Rrëfimi i bashkëjetuesit

Ndërsa nga rrëfimi i 38-vjeçarit Artur Çala, që bashkëjetonte me Safeten, del se e dashura e tij ndodhej në një gjendje të vështirë psikologjike. Por, ai nuk ka saktësuar dhe dhënë detaje se çfarë e mundonte viktimën. Pavarësisht deklaratës së dhënë në polici për vethedhje nga lartësia, policia është duke punuar për zbulimin e së vërtetës duke hetuar në disa pista përfshirë edhe atë të shtyrjes së saj nga persona të tjerë. Ky është rasti i dytë i hedhjes nga lartësia e femrave fierake. Disa muaj më parë një nënë e dy fëmijëve u hodh nga bashkëshorti i saj nga kati i pestë i një pallati në lagjen “Kryengritja”, Fier duke lënë pas dy fëmijë të mitur. “Një 19-vjeçare nga Kuçova i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga kati i tetë i një pallati. Ngjarja e rëndë u regjistrua në orën 02:10 pas mesnate, në lagjen “Apollonia” të Fierit. Viktimë e ngjarjes ka mbetur shtetasja me inicialet S. B., e cila ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Kjo shtetase bashkëjetonte me shtetasin A. Ç., 38 vjeç, banues në lagjen “Apollonia”, i cili u shoqërua në Komisariatin e Policisë Fier”, ka njoftuar zyrtarisht Policia e Fierit. A.Velo

Durrës/ Nëna e dy fëmijëve pi fostoksinë

Një ngjarje tjetër e rëndë familjare është shënuar në fshatin Xhafzotaj në Durrës ku një grua nënë e dy fëmijëve të mitur i ka dhënë fund jetës së saj duke u vetëhelmuar me fostoksinë. E mbyllur në dhomën e saj, gruaja S.C., 24 vjeç, ka marrë një gotë ujë, e ka mbushur me kokrra fostoksine dhe më pas e ka pirë atë. Të afërmit e kanë gjetur gruan në një gjendje të rëndë shëndetësore, pasi kishte pirë një sasi të madhe helmi. Burime nga Policia, bënë të ditur se ajo është dërguar me urgjencë në Spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë, ku ndonëse mjekët kanë bërë të pamundurën, gruaja ka gjetur vdekjen duke lënë 2 fëmijët e mitur jetimë. Sipas burimeve policore, gruaja e ka kryer aktin fatal në një gjendje të rënduar shëndetësore depresive. Ajo kishte shfaqur prej kohësh shenja depresive, por kishte refuzuar që të merrte ilaçe. Në një moment të rëndë depresioni, duke shfrytëzuar dhe kohën që gjendej e vetme në shtëpi, gruaja i ka dhënë fund jetës së saj të re duke pirë fostoksinë. Duke ju referuar shkaqeve që e kanë çuar gruan në një gjendje të rënduar depresioni, sipas policisë dyshohet se mund të kenë qenë dhe kushtet e rënda ekonomike që kanë çuar në këtë akt fatal. E papunë dhe me dy fëmijë të mitur gruaja mendohet se është tronditur psikologjikisht, gjë që më pas është reflektuar dhe në thellimin e depresionit. Është për t’u evidentuar fakti se kohët e fundit po shtohen rastet e vetëvrasjeve në shkallë vendi. Një pjesë e tyre kanë në bazë problem ekonomik që ndikojnë direkt te njerëzit me çrregullim emocional.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat