Fillojnë negociatat për të liruar trafikun në Bari e Durrës - Bota Sot
Fillojnë negociatat për të liruar trafikun në Bari e Durrës

Durrësi

E martë, 12 dhjetor 2017

Fillojnë negociatat për të liruar trafikun në Bari e Durrës

Më: 24 shtator 2017 Në ora: 08:42
Porti Detar

Janë me mijëra shqiptarët, që kanë hasur me vonesa të pajustifikueshme, të pasuara me kontrolle të përcipta, në hyrje të Italisë në portin e Barit.

Duke iu bashkuar shqetësimit të tyre, Shqiptarja.com e ka ngritur më se një herë këtë çështje.

Dje këto shqetësime i ka ndarë edhe gazeta e njohur e Jugut italian “La gazzetta del Mezzogiorno”.

Shpresojmë që sa më shpejt autoritetet e shtetit fqinjë të reagojnë për përmirësimin e situatës, në të mirë të interesave të dy vendeve tona.     
 
 Shuplaka e fundit polemike erdhi në ora gjashtë pasdite nga zyra e zëvendësministres së Brendshme Rovena Voda, 41 vjeç, avokate, ish-pedagoge e Universitetit, pjesëtare e dikurshme e stafit të kryeministrit socialist Edi Rama, para se të fillonte detyrë në Ekzekutiv, ku 50% e ministrave janë gra dhe ku paga bruto është 1.200 euro në muaj (1.000 për deputetët):

“Në dhjetor do të përfundojmë fazën përgatitore për të nisur negociatat e hyrjes në BE. Po bëjmë reformat e kërkuara: drejtësia-magjistratura, masat kundër krimit me luftën ndaj kanabisit, të drejtat e njeriut, administrata publike, anti-korrupsioni. Nuk jemi më vendi i prodhimit të kanabisit, kemi ngritur të gjitha nivelet e kontrollit edhe ndaj terrorizmit. Dhe kjo ka rritur flukset me Italinë. Por jemi të shqetësuar për atë që ndodh në portin e Barit, sidomos kur është kulmi i hyrjeve dhe daljeve, me 8-10 mijë vetë. Natyrisht që nuk themi se tek ne funksionon çdo gjë mirë, por diçka nuk funksionon as tek ju”.

Që porti i Barit është bërë pengesë, kjo u kuptua edhe kur pakënaqësia iu shpreh ministrit të Brendshëm Marco Minniti, gjatë vizitës që kryeministri Rama bëri në Romë më 17 maj të këtij viti.           

Ndërkohë, e bën edhe më të qartë një gjë të tillë Artur Beu, oficer 40-vjeçar policie i karrierës dhe ndërlidhës me forcat italiane të rendit: “Në muajt e verës, si dhe në Krishtlindje, porti i Barit nuk arrin të menaxhojë me efikasitet hyrjet nga Shqipëria. Ka probleme me trajtimin e tranziteve dhe verifikimin e dokumentave, që krijojnë orë të tëra pritjeje dhe probleme pa fund për pasagjerët dhe shoferët, me të cilët nuk merret njeri dhe që mund të pësojnë gjithshka”.

E përforcon këtë edhe Edon Qesari, këshilltar për çështjet ndërkombëtare. Ai ka pasaportë italiane, siç e kanë tanimë shumë shqiptarë. Ai në gusht ka qendruar 4 orë e 30 minuta para se të dilte nga porti i Barit dhe të shkonte drejt Salentos për pushime. Dhe tani, ulur në tryezë me Vodën dhe Beun, shton: “Ne prodhojmë turizëm, jo vetëm emigracion. Nga vitet 2003-2004 e kemi mbyllur çështjen e klandestinëve dhe nuk kemi lejuar që kjo kartë të peshonte politikisht”. Pas një çasti, flet sërish edhe Beu:

“Përtej portit të Barit siguria është e lartë. Nuk ka më vjedhje, grabitje dhe sulme si dikur”.
Por zhgënjimi mbetet. Dhe është një bezdi edhe për Taulant Ballën, kryetar i grupit parlamentar të PS, partia socialiste e Ramës, që fitoi më 25 qershor shumicën absolute të vendeve në Kuvend:

“Kanë kaluar më shumë se 25 vjet nga ai çast kur mijëra shqiptarë mbërritën për të parën herë në Bari si refugjatë dhe prej atëhere ka filluar një marrëdhënie përmes detit e të dy brigjeve, por që nuk ka sjellë ndryshime në portin e Barit, ndërkohë që porti ynë i Durrësit është porta e Evropës së Juglindjes, ku kalojnë miliona njerëz në vit”.

Nuk do të kalohet në heshtje. Ministri Minniti do të kthejë vizitën ndoshta në tetor dhe me atë rast, siguron zv.ministrja Voda, do të preket sërish çështja.

Deri tani porti “si prej Botës së Tretë” vetëm sa ka vështirësuar dialogun mes dy brigjeve të Adriatikut, por ai rrezikon të kthehet edhe në një problem diplomatik. Lënë të kuptohet një gjë të tillë deri edhe Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës dhe kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj.

Arsyet e një rritjeje të shkëmbimit të ndërsjelltë Itali-Shqipëri, që kanë arritur në një vlerë prej 2.2 miliardë eurosh në vit, nuk janë vetëm me natyrë tregtare. Shqipëria po përjeton një pranverë kulturore, që bazon mbi rimëkëmbjen e kujtesës kolektive dhe objektivizimin e së kaluarës perspektivën e shlyerjes së borxhit të ndërgjegjes të brezave të rinj dhe aktivizimin e marsheve të turizmit.

Në rast se “piramida” e diktatorit Enver Hoxha (1908-1985) do të kthehet në muze, tre qendrat e mbrojtura nga UNESCO (Butrint, Berat dhe Gjirokastër) gjithnjë e më të pranishme në itineraret e Rrugës Egnatia (Shqipëria do të jetë në Sallonin e Turizmit në Rimini më 12-14 tetor dhe më 26-29 në panairin e turizmit arkeologjik në Salerno) dhe nëse pjesa më e madhe e bunkerëve të regjimit do të jenë bunk-art dhe selia qendrore e shërbimeve të fshehta “Sigurimi” transformohet nga arkitektja Elisabetta Terragni në “Shtëpinë me Gjethe” (udhëtim i shkëlqyer në kujtesën e shtypur), Tirana po projektohet në të ardhmen me një dozë të fortë italianësh në rritje. Me pensionistët në krye.

Veliaj, një 37-vjeçar i përzemërt që nuk i ka përfunduar studimet në Amerikë, që luan me një farë niveli futboll dhe basketboll, që nuk ve kurrë kravatë dhe mban atlete të përdorura na këmbë, ish-ministër i Punës në qeverinë Rama 1 dhe me një të kaluar prej aktivisti opozitar (Grupi 99 dhe Mjaft!) të paraqet menjëherë një horizont tejet dinamik:

“Populizmi luftohet duke bërë nga një gjë çdo ditë. Jam kryebashkiaku i planit B të shqiptarëve. Plani A është të emigrojnë në Itali, plani B të kthehen në Shqipëri. Në Tiranë regjistrojmë 32.000 të dhëna të reja të gjendjes civile. Kopjojmë dhe përdorim legjislacionet më të mira në botë në fushën e pakësimit të kostove të burokracisë. Brenda tri orëve mund të hapësh një aktivitet me TVSH dhe maksimumi i taksave është 15 për qind.

Po mendojmë për një ‘city break’, një qytet për turizmin e shpejtë dhe që rritet vertikalisht, por me një pyll orbital si gardh, ku për 13 vite do të mbjellim nga 2 mijë pemë në vit. Kinema, muzikë, art, por edhe cilësi e jetës, pasi, edhe pse mosha mesatare është 29 vjeç, po shtohen pensionistët nga Italia, Polonia dhe Australia që duan të qendrojnë. Natyrisht që lidhjet me portin e Barit nuk mund të shkatërrohen nga burokracia”.            

Kështu është, nuk mund të shkatërrohen. Dhe pikërisht për këtë, kur del nga trageti Righel I i shoqërisë Ventouris Ferries, nisur nga Durrësi në ora 23 dhe mbërritur në molin San Vito në ora 8, Adrian Haskaj shtyp sërish tastin të cilin ka një ditë e gjysmë që e rishtyp pa pushim:

“Në Durrës skanohet gjithshka, ndërsa këtu kontrollet bëhen rastësisht. Dogana nuk hapet para orës 8, thonë që është kështu për shkak të problemeve me organizimin e personelit dhe të rrezikut të protestave nga sindikatat. Për të pakual nga dogana, shoferët e mauneve humbasin një ditë të tërë pune dhe ndonjëherë humbasin katër orë në pritje edhe pse nuk kanë ngarkesë.

Po nuk shkon më mirë puna edhe për pasagjerët. Tashmë ka një klasë të mesme shqiptare, të pasur, që do të dëshironte me kënaqësi të vinte për të blerë në Bari dhe të bënte turizëm të nivelit të lartë. Por nuk mund të rrijë e bllokuar në pritje në port për gjysmën e ditës”.

Ai është inxhinier elektronik, por ka parapëlqyer import-eksportin ushqimor ndaj teknologjisë dhe ka ngritur nga hiçi një perandori kafeje (30 ton çdo javë nga Bari në Durrës). Haskaj ishte më parë konsull tregtar dhe tani është diplomat karriere, duke drejtuar që prej tetë muajsh Konsullatën e Shqipërisë në Bari.

Ai është një prej atyre që kanë bërë të përfundojë në faqet e gazetave problemi i bllokimit të portit. “Më 19 korrik çështja ishte në qendër të një takimi të nivelit të lartë. Vetëm premtine”, shton. Dhe, duke zgjatur gisht në largim e sipër, në dalje të molit San Vito, thotë: “Këtu ka gjashtë pika kalimi kufitar, në Durrës 28”. Kush është Bota e Tretë e Ballkanit?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test