“Rruga e vdekjes”, mungon mbikalimi - Bota Sot
“Rruga e vdekjes”, mungon mbikalimi

Durrësi

E premte, 15 dhjetor 2017

“Rruga e vdekjes”, mungon mbikalimi

Më: 18 nëntor 2017 Në ora: 12:37
Durrës

Rreziku me të cilin përballen çdo ditë dhjetëra fëmijë, nxënës të shkollës së Re në Durrës, është i madh, për shkak se nuk ka një mbikalim për të kaluar rrugën kryesore.

“Kemi pasur shumë raste aksidentesh. Makinat kalojnë shumë shpejt dhe shumica e fëmijëve kalojnë këtu dhe rreziku është i lartë”, thotë një fëmijë.

“E mira është që të bëhet një mbikalim që të kalojmë ne sepse fëmijë jemi dhe këtu çdo ditë mund të humbet një jetë”, thotë një tjetër.

Lënia hapur e barrierës anësore për izolimin e zhurmave është një element që ul ndjeshëm sigurinë në rrugë. Por banorët dhe nxënësit janë të detyruar të shfrytëzojnë këtë hapësirë dhe shkallët e drurit të improvizuara mbi trafikndarëse për të shkurtuar kohën e lëvizjes. Në të kundërt duhet të dalin deri te rrethrrotullimi, ku gjithashtu nuk ka një mbikalim, dhe të futen në rrugën dytësore.

“Çdo ditë këtu kalojnë rreth 500 fëmijë. Këtu kalojnë makina dhe me 150 km/h dhe do t’i bëja thirrje të gjithë pushtetarëve që të shpëtojnë jetë duke i bërë dhuratë fëmijëve dhe komunitetit një mbikalim. Është krim i dytë që kanë lënë një hapësirë këtu ata të firmës dhe më pas janë bërë shkallët. Janë 20 mijë banorë që nuk dalin të protestojnë për këtë cdo dite”, thotë një banor i zonës.

Problematika e krijuar nga mungesa e mbikalimit është ngritur shpesh nga banorë të zonës edhe përmes Top Media, por situata që kanos jetët e fëmijëve në rrugën që përshkon mespërmes ish-Kënetën dhe lidh autostradën Durrës-Tiranë me kampusin universitar dhe zonën industriale të Durrësit, mbetet e njëjtë. Ministria e Transportit, autoriteti rrugor, po dhe Bashkia e Durrësit që deklaron se aksi është kombëtar e jo në kompetencë të saj heshtin. Deri kur?!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test