Gjykata e Durrësit nuk merr përsipër dosjen e Orest Sotës, ia delegon Krimeve të Rënda

Durrësi

Gjykata e Durrësit nuk merr përsipër dosjen e Orest Sotës, ia delegon Krimeve të Rënda

Më: 21 nëntor 2017 Në ora: 15:39
Orest Sota

Gjykata e Apelit në Durrës nuk ka pranuar ankesën e paraqitur nga avokati mbrojtës i Orest Sotës, për rivlerësim të masës së sigurisë. Kjo ka bërë që çështja t’i delegohet Gjykatës së Krimeve të Rënda, pas kërkesës së paraqitur nga prokurori i çështjes.

Kërkesa e prokurorit nuk u kundërshtua nga mbrojtja, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda e ka marrë nën shqyrtim një ditë më parë pjesërisht këtë çështje. Pasi u njoh më kërkesën, trupi gjykues me relator Petraq Dhimitrin, nuk pranoi ankimimin e bërë nga pala mbrojtëse më herët, për ndryshim masë sigurie.

Pas kësaj mbrojtja pritet t’i drejtohet Apelit të Gjykatës së Krimeve të Rënda për ndryshim e masës së sigurisë. I pandehuri Orest Sota nuk ishte i pranishëm gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar sot në gjykatën e Apelit të Durrësit, duke kërkuar të përfaqësohej nga avokati Juljan Mertiri.

Biznesmeni Sota akuzohet për tri vepra penale: “Drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur apo pa dëshmi”; “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Në datë 1 nëntor në automjetin e drejtuar prej tij policia gjeti gjatë një kontrolli 863 mijë euro si dhe dy patenta lundrimi në emër të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat