Studentët helmohen nga plehrat në Durrës, bashkia heshtje varri

Durrësi

Studentët helmohen nga plehrat në Durrës, bashkia heshtje varri

Më: 4 maj 2018 Në ora: 21:22
Durrës

Retë e tymit toksik, të çliruara nga djegia e mbetjeve urbane në vendgrumbullimin e mbetjeve në Spitallë të Durrësit, vazhdojnë të enden mbi të gjithë zonën e banuar dhe kampusin universitar që ndodhet vetëm pak metra më tutje. 

Reja toksike përhapet edhe në lagjet e tjera të qytetit bregdetar.

Sheshi i mbetjeve të qytetit të Durrësit është kthyer në shqetësim serioz për shumë familje durrsake, të cilët fëmijët e tyre i çojnë që të studiojnë në universitetin “Aleksandër Moisiu”.

Ndërtesa e re e këtij universiteti është fare pranë landfillit të Porto Romanos dhe çdo ditë, për të paktën 6 orë, studentët thithin ajrin e ndotur nga tymi toksik i plehrave që digjen. Në këtë universitet janë me mijëra studentë jo vetëm nga Durrësi dhe ata thonë se e ndjejnë çdo orë ajrin e helmuar, por nuk i shpëtojnë dot sepse në të kundër do humbnin shkollën.

“Ndotja është problem goxha i madh. Është zonë shumë e ndotur dhe e ndjejmë edhe brenda në auditor. E kemi shprehur shqetësimin tonë te pedagogët, por ende nuk ka zgjidhje. Nuk është normale”, thonë studentët.

Situata nuk po gjen zgjidhje. Më parë, studentët dhe pedagogët kanë organizuar edhe protesta kundër ndotjes. Ata kërkuan zgjidhje, të revoltuar nga fakti që çdo ditë u duhet të thithin tymin toksik që del nga djegia e plastikës.

Prej disa ditësh, Top Channel ka raportuar pasojat katastrofike të ndotjes në këtë zonë. Nga Bashkia e Durrësit, e cila është përgjegjëse për landfillin, nuk ka asnjë shpjegim, si për keqmenaxhimin, por edhe për ndonjë projekt për ta zgjidhur këtë problem. Të vetmit që flasin janë banorët e zonës, të cilët thonë se po helmohen dhe mjekët që raportojnë shifra alarmante të personave që preken nga sëmundje tumorale për shkak të ndotjes së ajrit dhe tokës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat