Formohen grupe punuese për të hyrat vetanake komunale

Ekonomi

Formohen grupe punuese për të hyrat vetanake komunale

Më: 26 gusht 2016 Në ora: 13:34
Pamje nga takimi

Ministria e Financave në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës, gjatë kësaj jave, nga data 22 gusht deri më 26 gusht, ka mbajtur forumet me autoritetet komunale mbi zhvillimin e procesit buxhetor komunal 2017-2019 me Regjionin e Prishtinës, Regjionin e Mitrovicës, Regjionin e Pejës, Regjionin e Prizrenit, si dhe Regjionin e Gjilanit.

Zyrtarët e Ministrisë së Financave  gjatë këtyre forumeve bënë të ditur se sa i përket të hyrave vetanake komunale para disa muajsh është nënshkruar një vendim, ku është formuar një grup punues për hartimin e kritereve për projeksionin e të hyrave vetanake komunale, si dhe është  diskutuar edhe me kolegjiumin e Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe  kolegjiumin për çështje të financave të pushtetit lokal.

Në një njoftim për media thuhet se ata gjithashtu ju sqaruan zyrtarëve komunal supozimet dhe parimet mbi të cilat janë bazuar projeksionet buxhetore 2017-2019 si dhe kërkuan nga komunat që të bashkëpunojnë në zhvillimin e konceptit për një zhvillim ekonomik lokal të qëndrueshëm në dritën e ndryshimeve të pritura sa i përket ligjit të financave të pushtetit lokal.

Ministria e Financave thotë se ka një komunikim dhe bashkëpunim të rregullt me komunat, andaj pjesë e këtij komunikimi të rregullt janë edhe këto forume, të cilat bëhen më qëllim të zhvillimit të procesit buxhetor komunal.

“Departamenti i Buxhetit në Ministrinë e Financave në mbështetje të asistencës teknike- financiare nga Misioni i OSBE-së në Kosovë ka organizuar forume me autoritetet komunale që nga periudha 2006 – 2016. Në forumet e mbajtura fokus kryesor kanë qenë zhvillimi i procesit buxhetor komunal. Reformat mbi buxhetimin programor, avancimin e konceptit të planifikimit të projekteve shumëvjeçare, si dhe ngritjen e kapaciteteve për menaxhimin efikas financiar në nivel lokal”, thuhet në njoftim e Ministrisë së Financave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat