Kosova do ta miratojë shumë shpejt tregtinë e lirë me Turqinë

Ekonomi

Kosova do ta miratojë shumë shpejt tregtinë e lirë me Turqinë

Më: 23 shtator 2016 Në ora: 13:40
Foto nga Forumi i Biznesit në Prizren

Në ditën e dytë të Forumit të Biznesit në Prizren, është mbajtur konferenca ku zyrtarët vendor kanë prezantuar para investitorëve potencialë, mundësitë për investime në Kosovë dhe Prizren.

Zëvendës-ministri i Tregtisë e Industrisë Avni Kastrati, me këtë rast ka thënë se Kosova është një shtet që ka afërsi me portet e rëndësishme rajonale, siç janë Porti I Durrësit, Selanikut apo Tivatit, e që të gjithë janë larg vetëm rreth 250 km.

“Posaçërisht në Portin e Durrësit arrihet lehtë e shpejtë për shkak të autostradës”, potencoi Kastrati.

Ai përmendi marrëveshjet e Cefta-s që i ka Kosova me vendet rajonale për Tregti pa doganë, si dhe nënshkrimin e MSA-së.

“Njëherit nga Kosova mund të eksportohet pa doganë në SHBA, Japoni e Norvegji për shkak të marrëveshjeve me shtetet përkatëse që i ka Kosova”, njoftoi zv. ministri Kastrati.

Kastrati tha se pret që shumë shpejt të hyjë në fuqi marrëveshja për tregti të lirë mes Kosovës e Turqisë, pasi që Parlamenti i Turqisë e ka miratuar këtë, kurse pritet tani ta bëjë të njëjtën gjë edhe Parlamenti i Kosovës.

“Dokumenti ndodhet në kabinetin e Presidentit Thaçi dhe shpresoj se do të miratohet shumë shpejtë për të bërë tregti të lirë pa doganë”, u shpreh Kastrati.

Kurse nënkryetari i Komunës Lulzim Kabashi, njoftoi investitorët se Prizreni është një qytet I kulturës, ku njihet veç tjerash me festivalin ndër 20 më të rëndësishmit në botë, Dokufest.

Prandaj, ai tha se për qytetin nevojitet ndërtimi I sa më shumë kapaciteteve hoteliere, për shkak se qyteti ka nevojë pas rritjes së numrit të turistëve.

Nga ana e tij Mensur Bektic, kryetari i Odës së Ndërmarrësisë së Bosnjë e Hercegovinës (BeH), potencoi vizat si pengesë për zhvillimin e biznesit në mes të BeH dhe Kosovës.

Prandaj ai kërkoi nga qeveria e Kosovës heqjen e vizave për qytetarët nga Bosnja.

Gjatë ditës së dytë të Forumit të Biznesit në Prizren, përves që po vazhdon panairi i prodhimeve, po mbahen edhe takime B2B (biznes për biznes) ku afaristët vendorë takohen ballë për ballë me investitorët potencialë nga rajoni e më gjerë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat