Deklaratat e Safet Gërxhaliut konsiderohen të pamatura dhe jorealiste

Ekonomi

Deklaratat e Safet Gërxhaliut konsiderohen të pamatura dhe jorealiste

Më: 11 tetor 2016 Në ora: 12:32
Safet Gërxhaliu

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) duhet të reflektoj dhe pasqyroj realitetin ekonomik në Kosovë dhe së fundi dalin të jenë të pamatura deklaratat e kreut të OEK-ut, Safet Gërxhaliu, për relacionet ekonomike me Serbinë, se kinse janë 100 herë më përpara se relacionet politike.

Kështu kanë deklaruar njohës të ekonomisë dhe përfaqësues të partive politike në Kosovë. Ata thonë se me Kosova në raport me Serbinë duhet të marrë masa reciprociteti dhe është Serbia ajo që po e dëmton shumë ekonominë e Kosovës. Serbisë i konvenon kjo marrëdhënie, sepse eksporton në Kosovë me qindra milionë euro mallra pa asnjë pengës nga Qeveria e Kosovës, e Qeveria e Serbisë na e pengon çdo iniciativë qoftë ekonomike, madje edhe mërgimtarët të cilët kalojnë transit nga Serbia në Kosovë na i pengon në kufi, thonë njohësit ekonomik dhe politik të këtyre çështjeve.

Deklaratat e Safet Gërxhaliut se ‘bashkëpunimi ekonomik me Serbinë është 100 hapa më përpara se politika’, ka ngjallur reagime të ashpra si nga pozita ashtu edhe nga opozita .

Nëse shikoni tendencën e shkëmbimeve të mallrave, nëse shikoni që çdo ditë ka gjithnjë e më pak pengesa, dhe mund të thuhet se bashkëpunimi Kosovë-Serbi është në nivelin më të mirë... Është fakt që biznesi dhe bashkëpunimi ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë janë 100 hapa përpara politikës, ka deklaruar ditë më parë drejtuesi i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, i cili mban pozitën e kryetarit që gjashtë vjet, në një intervistë për Deutsche Welle së bashku me kryetarin e Odes Ekonomike të Serbisë, Marko Cadezh, (http://www.dw.com/sq/kosova-dhe-serbia-biznesi-%C3%ABsht%C3%AB-100-hapa-para-politik%C3%ABs/a-35909307 ).

Derisa, bizneset kosovare përballen me shumë vështirësi për eksportimin e mallrave në Serbi, mallrat e Serbisë futen në Kosovë për çdo vjet në vlerë prej mbi 400 milionë euro, pa i llogaritur hyrjet ilegale nga veriu i Kosovës që sipas të dhënave kapin shifra edhe të qindra milionave të tjera.

Ish ministri i Ekonomisë dhe i Financave, Haki Shatri, thotë për Kp se bashkëpunimi ekonomik Kosovë-Serbi është relativisht i lartë, por jo në interesa të Kosovës.

Ai mendon se deklarata e Gërxhaliut për relacionet ekonomike dhe politike është e ngutshme dhe jo e qëndrueshme.

Shatri: Nuk është deklaratë që i përgjigjet realitetit

“Duke u nisë prej gjendjes faktike, çfarë është në relacionet ekonomike dhe në relacionet politike, mendojë se është deklaratë e lëshuar me ngutë. Nuk është deklaratë që i përgjigjet realitetit. Në fakt komunikimi ose qarkullimi i mallrave ose bashkëpunimi ekonomik Kosovë-Serbi është në një nivel relativisht të lartë, por jo në interesa të Kosovës... dhe Serbia eksporton mallra të llojeve dhe të cilësive të ndryshme prej më të ulëtat deri më të mira. Por, eksportojnë çdo gjë në Kosovë, kurse Kosova shumë pak që formalisht i bie mbulesa është me një përqind. Ose 400 milionë euro blejmë nga Serbia, kur me 3-4 milionë eksportojmë...që është një bashkëpunim, por jo reciprok”, tha Shatri.

Ai tutje thotë se nuk janë relacionet ekonomike 100 herë më përpara se marrëdhëniet politike me Serbinë, për faktin se, sipas tij, nuk po arrihet marrëveshja për kodin telefonik, ndërhyrje po ashtu ka edhe në procesin e privatizimit të Brezovicës, Trepçës, e deri tek çështja e targave dhe vështirësitë e bizneseve për qarkullim me automjete në Serbi.

Shatri: Serbia i pengon Kosovës të gjitha mundësitë për ekonomi

“Mendojë se nuk janë relacionet ekonomike 100 herë më përpara se relacionet politike. Ne pos në ekonomi, edhe në politikë jemi duke i bërë favore Serbisë 1 me 99. Andaj, duhet pasur parasysh, ne vazhdojmë me mbajte kontakte me dialogun...derisa ata na pengojnë neve në të gjitha mundësitë. Kodi telefonik tashmë si ngjarje aktuale, por e dimë kur ka pasur ndërhyrë edhe në kohën për Brezovicën dhe me pjesën e Trepçës që është çështja e Mitrovicës së veriut. I dimë problemet me Ujmanin, e dimë çështjen e targave , po ashtu dimë se çfarë vështirësish kanë bizneset tona kur dalin me automjete andej”, tha Shatri.

Shatri duke i komentuar deklaratat e dy krerëve të Odave Ekonomike, thotë se për kryetarin e OEK-ut të Serbisë, Marko Çadezh, është e drejtë plotësisht, ngase Serbia është e favorizuar dhe ‘zgjat Zot kësi moti’ për interesat e tyre.

Shatri mendon se është dashur Gërxhaliu me dhënë një vlerësim në mënyrë më kritike, ngase bashkëpunimi është në interesat të një anshme. Si çështje tjetër problemore ai ngriti edhe qarkullimin e paligjshëm të mallrave dhe evazionit fiskal që ndodhë në pikë kalimet me Serbinë. Ndaj, sipas tij, ky është bashkëpunim në krimin ekonomik.

Ndonëse, Oda Ekonomike e Kosovës është e themeluar nga Kuvendi i Kosovës, kryetari i Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik dhe deputetë i LDK-së, Muhamet Mustafa, tha se deklaratat e kreut të OEK-ut janë të ekzagjeruara për atë se kinse ka raporte të mira ekonomike Kosovë-Serbi. Përkundrazi, ai mendon se marrëdhëniet ekonomike me Serbinë janë ndër më të rëndat.

Mustafa: Me Serbinë, problemet ekonomike janë të mëdha

“Do t’i quaja të ekzagjeruar vlerësimet se ekonomia është 100 hapa përpara, pikërisht konsideroi se me Serbinë problemet ekonomike janë problemet më të rënda. Dhe shpesh herë problemet politike të cilat Serbia i cekë vetëm dëshiron që t’i kamuflojë interesat ekonomike. Prandaj, ilustrim për problemet që i kemi janë kodi telefonik, kodi postarë, dhe kodi telekomunikimeve, targat, problemet me barriera jo tarifore që iu bëhen prodhuesve tanë për eksporte. Ndaj, këto janë shumë serioze dhe mendoj se krahas këtyre takimeve me bizneset ne duhet t’i përgjigjemi Serbisë edhe ekonomikisht, sepse në qoftë se Serbia e dëmton Kosovën në aspektin ekonomik për segmentet të cilat unë fola, ne mendoj se duhet të bëjmë masa reciprociteti”, thotë Mustafa. 

Ai thotë se nuk është kundër për t’u mbajtur kontaktet mes bizneseve, por, sipas tij, Kosova nuk duhet të dërgojë vetëm tregtarë në Serbi, duhet sipas Mustafës të dërgohen edhe prodhues në Serbi, me qëllim që prodhimet e Kosovës të shiten më shumë në atë shtet.

Mustafa: Serbia nuk i trajton drejt prodhuesit sikur tregtarët

“Natyrisht se Serbia ka gjithmonë interes që tregtarët tanë me shkua me ble mall në Serbi, dhe ajo i pret ata mirë, i bënë muhabet, i pret si mbretër tregtarët tanë, por nuk pretë në të njëjtën mënyrë prodhuesit, nuk i pret në të njëjtën mënyrë KOSTI-n dhe nuk i pret në të njëjtën mënyrë telekomunikimin. Prandaj, ne duhet ta shohim tërësinë e raporteve ekonomike me Serbinë”, tha ai.

Ekonomisti nga Lëvizja Vetëvendosje , Nol Nushi, thotë se nuk është hera e parë që kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës jep këso deklarata të pa matura, sepse, sipas tij, marrëdhëniet tona politike me Serbinë janë në pikën më të keqe, ndoshta që nga pas lufta. Ai tha për çdo ditë ka akte subversive nga Qeveria e Serbisë.

Nushi: Nuk është aspak e vërtet se ne kemi marrëdhënie të mira me Serbinë

“Një shtet kur marrëdhëniet politike i ka të këqija me një shtet tjetër nuk mund t’i ketë marrëdhëniet ekonomike të mira. Mirëpo, sigurisht që Safet Gërxhaliu në këtë rast është një marionetë e Qeverisë , sikurse institucionet tjera të pavarura që janë të kapura... Nuk është aspak e vërtet se ne kemi marrëdhënie të mira me Serbinë. Serbisë i konvenon kjo marrëdhënie, sepse eksporton në Kosovë me qindra milionë euro mallra pa asnjë pengës nga Qeveria e Kosovës, e Qeveria e Serbisë na e pengon çdo iniciativë qoftë ekonomike, madje edhe mërgimtarët të cilët kalojnë transit nga Serbia në Kosovë na i pengon në kufi. Ndaj, politika e jonë totalisht është e nënshtruar ndaj kësaj çështje të dhunshme të Serbisë”, thotë Nushi.

Ai tha se nuk mund të rregullohen marrëdhëniet ekonomike me Serbinë, derisa Serbia të mos e njeh Kosovën dhe të vazhdoi të bëjë pengesa në secilin institucion ndërkombëtar për anëtarësim.

Nushi: Ndaj Serbisë duhet masa reciprociteti

“Mënyra më e mirë, që kjo Qeveri do të duhej ta bënte, por nuk e bënë, janë masat e reciprocitetit, pastaj forcimi i prodhuesve vendor, vendosja e drejtësisë mbi raportet ekonomike. Pra, ato çka na i lejon Serbia neve, t’ia lejojmë edhe ne Serbisë. Dhe kjo mënyrë e reciprocitetit, e cila do ta detyronte Serbinë që pastaj të rregullonte edhe marrëdhëniet ekonomike”, tha ai.

Nushi ka kujtuar edhe një deklaratë të Safet Gërxhaliut, ku kishte thënë se Kosova në Evropë do të shkojë shumë më shpejt përmes Serbisë, dhe kjo, sipas tij, i ka dështuar. Ai tha se Kosova duhet të sheh rrugën e BE-së sikur që kanë ndjekur rrugën të gjitha shtetet tjera serioze.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës nuk kanë dashur t’i komentojnë deklaratat e dy drejtuesve të komunitetit të biznesit nga Serbia dhe atij të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat