FMN jep dritën jeshile/ Ja bizneset që do të përfitojnë nga amnistia

Ekonomi

FMN jep dritën jeshile/ Ja bizneset që do të përfitojnë nga amnistia

Më: 16 tetor 2016 Në ora: 09:24
Ahmetaj

Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Qeveria kanë arritur në parim dakordësinë për faljen e madhe të detyrimeve të papaguara nga biznesi dhe pronarët e makinave.

Debatet mes Qeverisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar për amnistinë janë për përmirësimin e ligjit mbi detyrimet që mund të jenë ende të mbledhshme nga biznese që nuk janë mbyllur apo që kanë ende aftësi paguese.

Nga FMN është kërkuar edhe saktësimi i procedurave për detyrimet e vjetra që nuk mund të mblidhen dhe do të fshihen. Burime nga Qeveria thanë për gazetën se FMN-ja, për përmirësimet e ligjet ka rekomanduar modelin e amnistisë që ka aplikuar Kosova.

Amnistia e zbatuar në Kosovë solli faljen e 680 milionë eurove detyrimeve, ku u përfshi falja pa kushte e detyrimeve para 31 dhjetorit 2008, në rast se kryhet pagesa e plotë e detyrimit për periudhën nga 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014.

Përveç faljes së menjëhershme të borxhit për periudhën deri më 31 dhjetor 2008, përfitohej edhe falja e gjobave dhe kamatëvonesave të borxhit për periudhën nga 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014. Në draftin e hartuar nga Ministria e Financave përfshihet falja pa kushte për 400 milionë dollarë detyrime, gjoba dhe kamatëvonesa.

Zbatimi i amnistisë sipas draftit do të shtrihet në dy periudha, falja pa kushte për detyrimet e krijuara para 2011-s. Falja me kushte përfshin detyrimet pas 1 janarit 2012, duke paguar 70 për qind të detyrimit dhe kamatëvonesës, për t’u falur 30 për qind e detyrimit dhe gjobat.

BIZNESI

Të gjithë tatimpaguesit që kanë detyrime tatimore dhe doganore, që u përkasin periudhave 31 dhjetor 2011, pra detyrime që kanë mbi 5 vjet, falen pa kusht. Sipas draftit të amnistisë, detyrimet që ekzistojnë si të tilla në regjistrat e administratës tatimore dhe doganore para datës 31.12.2011 do të fshihen.

Pjesa e dytë e ligjit parashikon faljen me kusht, ku përfshihen detyrimet tatimore që u përkasin periudhave nga 1.01.2012 deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit.

Për këto detyrime ligji parashikon se, nëse tatimpaguesi paguan 70 për qind të tatimit dhe 70 për qind të kamatëvonesës që është pjesë e pandarë e detyrimit, atëherë biznesit i falet gjoba që është pjesë e detyrimit tatimor dhe 30 për qind e detyrimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat