“Grandi”, do të trajtohet me ligjin për Investimet Strategjike

Ekonomi

“Grandi”, do të trajtohet me ligjin për Investimet Strategjike

Më: 9 janar 2017 Në ora: 12:11
Drejtori menaxhues i AKP-së, Ekrem Hajdari

Asetet e rëndësishme të cilat menaxhohen aktualisht nga Agjencia Kosovare e Privatizimit duke përfshirë edhe Hotelin Grand, do të mund të shiten edhe pa tenderë publik. Këtë mundësi e ka paralajmëruar drejtori menaxhues i AKP-së, Ekrem Hajdari, në një intervistë për Kp.

Hajdari, ka bërë të ditur se shitja e aseteve të tjera që nuk janë me interes të veçantë pritet të privatizohen me metoda të shitjes së rregullt përmes ofertave .

Sipas tij “Grand” si dhe ndërmarrje të tjera strategjike, tokat bujqësore me rëndësi të veçantë pritet të trajtohen me Ligjin e ri për Investime Strategjike. Çdo muaj do të ketë nga një valë të privatizimit.

Hajdari: Asetet strategjike trajtohen me ligjin për investime strategjike

“Krejt ato ndërmarrje janë në likuidim, kështu që nuk ka pengesë për privatizimin e tyre. Por ne jemi në konsultim të vazhdueshme me Qeverinë në mënyrë që këto asete të cilat i konsiderojmë si asete strategjike t’i trajtojmë , ndoshta edhe përmes Ligjit për Investime Strategjike . Andaj në këtë fazën e parë të shitjeve të 2017-tës nuk besoj që do t’i përfshijmë këto asete. Në 2017 me këtë dinamikën e re , presim të shesim kryesisht , asetet që janë me volum më të vogël, aty nuk do të përfshimë as tokat bujqësore , parcelat e mëdha kryesisht që mund të konsiderohen të ardhmen edhe ato si investimet strategjike, lokale të ndryshme asete edhe parcela të tjera ato do të ofrohen në shitje në 2017”, tha Hajdari.

Ndërsa sa i përket mjeteve që Qeveria i ka paraparë në buxhetin e vitit 2017, Hajdari thotë se mjetet janë,  por që duhet një ndryshim ligjor në mënyrë që ato mjete të barten në buxhet.

Hajdari: Duhet një ndryshim ligjor që mjetet të transferohen në buxhet

“Ne thuajse i kemi siguruara ato mjete . Ato mjete janë në buxhetin e AKP-së. Po ekziston një pengesë e vogël ligjore për të bërë transferimin e këtyre mjeteve . Ne po shpresojmë që Qeveria  dhe Parlamenti është në proces të ndryshimeve të duhura ligjore për të mundësuar edhe këtë transfer të këtyre mjeteve.”, tha Hajdari.

Po ashtu Hajdari ka thënë se AKP bashkë me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe atë të Drejtësisë, do të trajtojnë edhe pronat jashtë Kosovës. Këto prona sipas tij duhet të trajtohen përmes kanaleve diplomatike. Ndërsa sa i përket Trepçës, AKP sipas tij është në fazën e tranzicionit të saj.

Hajdari: Jemi në proces të shndërrimit të Trepçës në ndërmarrje publike

“Ne jemi në proces të një dorëzim pranimi të Trepçës të aseteve të cilat parashihen që në bazë të ligjit të ri që të kalojnë tek ndërmarrja publike. Andaj së bashku me Qeverinë dhe Komisionin parlamentar jemi duke u konsultuar për një alternativë e cila në mënyrë më efektive do të mundësonte këtë tranzicion të Trepçës nga Ndërmarrja Shoqërore në Ndërmarrje Publike”, tha Hajdari.

Se a do të realizohet ajo përmes një memorandumi për bashkëpunim në mes të ministrisë së Zhvillim Ekonomik dhe AKP, në mënyrë që AKP të vazhdoj të administroj  dhe të mbikëqyr Trepçën deri në konsolidimin e bordit gjegjësisht menaxhmentit të Trepçës si ndërmarrja publike, apo ndoshta edhe Qeveria do të emëroj një bord të përkohshëm së bashku me menaxhmentin kjo ende nuk është definuar por besoj që shumë shpejtë edhe kjo çështje do të merr drejtim. “, tha Hajdari.

Sipas Hajdarit, puna më e madhe që është bërë në vitin që lamë pasur është lirimi i aseteve të uzurpuara. Po ashtu sipas tij edhe vitin 2017 do të vazhdoj aksioni i lirimit të aseteve . Ai ka paralajmëruar se në vitin 2017 do të ketë lirim të uzurpimeve edhe të objekteve  ku janë të vendosura  institucionet shtetërore.

Hajdari: I kemi edhe 60 uzurpime

“Prej 217 rasteve të cilat kanë qenë të evidentuara në dhjetor të vitit 2015, sot ballafaqohemi diku vetëm përafërsisht 60 raste . Por edhe ato janë në proces e sipër për lirim. Prej tyre shumica janë në fakt institucione të ndryshme qeveritare dhe institucione të tjera. Ka  edhe  organizata të ndryshme jo qeveritare të sektorit privat mbesin 6 raste “, tha Hajdari.

AKP, do të angazhohet për lirimin e aseteve edhe në pjesën veriore të Mitrovicës. Hajdari thotë se është arritur një marrëveshje mes kryetarëve të komunave për lirimin e këtyre aseteve. 

Hajdari: Edhe në veri , do të fillojë aksioni për lirim të aseteve të uzurpuara

“Kemi arritur tani rishtas një marrëveshje përmes kryetarëve të komunave . Që të gjithë këta shfrytëzues deri tani uzurpatorë do të hyjnë në kontratë qira. Kuptohet do të jenë të obliguar të paguajnë edhe një shumë ekuivalente për shfrytëzimin e tri viteve të fundit po ashtu do të nënshkruajnë kontrata për qira”, tha Hajdari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat