Komuna heq dorë nga tregu te AKP-ja

Ekonomi

Komuna heq dorë nga tregu te AKP-ja

Më: 4 mars 2017 Në ora: 19:58
Ilustrim

Komuna e Prishtinës disa herë deklaroi se Tregun e Gjelbër do ta zhvendosë në hapësirat ku aktualisht gjendet Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Por, ende pa e realizuar këtë, Komuna e ka ndërruar destinimin për këtë hapësirë.

Tash në këtë vend planifikon ta realizojë projektin “Çarshia e Vjetër”, ku do të vendosen rreth 100 biznese dhe një park.

Në komunë thonë se brenda “Çarshisë së Vjetër” do të ketë hapësirë edhe për tregtarët e Tregut të Gjelbër.

Agjencia Kosovare e Privatizimit, nën menaxhimin e së cilës është ndërmarrja “Tregu”, nuk ka dhënë një përgjigje konkrete se çfarë do të ndodhë me tregjet.

“Agjencia do të bashkëpunojë me institucionet komunale dhe qendrore në gjetjen e modalitetit më të përshtatshëm ligjor apo transformimin e Ndërmarrjes shoqërore ‘Tregu’ në ndërmarrje publike, për çka do të informoheni me kohë”, kanë thënë zyrtarë të AKP-së nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim.

Ndërkohë, Komuna ka thënë se planifikon ta themelojë një ndërmarrje komunale “Tregjet e Prishtinës”.

Ndërmarrja shoqërore “Tregu”, që nga muaji korrik i vitit 2014 është përfshirë në procesin e likuidimit me vendim të Bordit të Drejtorëve të AKP-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat