Eksportet sërish në rritje – zgjerohen edhe për shkurtin

Ekonomi

Eksportet sërish në rritje – zgjerohen edhe për shkurtin

Më: 17 mars 2017 Në ora: 15:54
Ilustrim

Eksportet shfaqën një ecuri pozitive edhe për muajin shkurt. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, për eksportet arritën në afro 20 miliardë lekë, në rritje me 14.2% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

Për dymujorin e parë të vitit 2017, eksportet prekën vlerën e 39 miliardë lekëve, 15% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Eksportet po ndjekin tendencën pozitive të tremujorit të fundit të vitit 2016, të udhëhequra gjithnjë nga sektori fason, por, edhe të ndihmuara nga shenja përmirësimi në grupin e mineraleve. Sipas INSTAT, eksportet e grupit “tekstile dhe këpucë” për dy muajt e parë të këtij viti u rritën me afërsisht 5% me bazë vjetore dhe dominuan në strukturën e eksporteve, me afro 46% të totalit.

Grupi “minerale, lëndë djegëse, energji” edhe për këtë fillim vitit po vazhdon rritjen, në gjurmët e rimëkëmbjes të nisur në fundin e vitit të kaluar. Eksportet e këtij grupi për dy muajt e parë të vitit arritën në 7.6 miliardë, në rritje me 72% krahasuar me një vit më parë. Në rritje për muajin e parë të këtij viti rezultuan edhe eksportet e grupit “materiale ndërtimi dhe metale”.

Edhe importet u rritën gjatë shkurtit, pas një fillimi të vakët të vitit në muajin janar. Për shkurtin, importet u rritën me 4.8%, ndërsa për dymujorin e parë vlera totale arriti në 79 miliardë lekë, 3% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja e kënaqshme e eksporteve për momentin e mban deficitin tregtar në vlera lehtësisht më të ulëta krahasuar me një vit më parë. Për dymujorin deficiti ishte rreth 40 miliardë lekë, 3 miliardë lekë më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat