Mustafa: Do t’i aktivizojmë të gjitha potencialet për zhvillim ekonomik

Ekonomi

Mustafa: Do t’i aktivizojmë të gjitha potencialet për zhvillim ekonomik

Më: 7 prill 2017 Në ora: 17:31
Mustafa vizit në AKP

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka vizituar Agjencinë Kosovare të Privatizimit, ku u prit nga drejtuesit e Bordit të Drejtorëve dhe të Menaxhmetit të kësaj agjencie.

Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, u bisedua për identifikimin e pasurive me të cilat qeverisë AKP-ja, për mundësitë e orientimit të tyre si pasuri potenciale për investitorët strategjikë si dhe për mundësitë e aktivizimit të të gjitha potencialeve ekonomike në funksion të prodhimit vendor dhe zhvillimit ekonomik.

Kryeministri Mustafa fillimisht vlerësoi punën dhe proceset të cilat po zhvillohen në AKP.

“Ka filluar tani një punë shumë e rregullt e Agjencisë Kosovare të Privatizimit në procedimin e valëve të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore. Ajo që na gëzon është se ka filluar po ashtu edhe përmbushja e detyrimeve ndaj punëtorëve, të cilat patën ngecur për një periudhë të gjatë kohore. Ka filluar lirimi i pronave të uzurpuara që është po ashtu një aktivitet tepër i rëndësishëm i AKP-së, me suksese të shënuara në vitin e kaluar dhe me procedim edhe në këtë vit”, tha kryeministri, duke theksuar rolin e rëndësishëm që ka vlera e aseteve të liruara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit për Buxhetin e Kosovës.

Image

Kryeministri Mustafa tha se duhet të punohet shumë më tepër në aktivizimin e Dhomës së Veçantë në trajtimin e lëndëve të cilat kanë mbetur, duke shprehur përkushtimin që në këtë drejtim të punohet së bashku me Gjykatën Supreme, me Kuvendin e Kosovës dhe me të gjitha institucionet.

“Qëllimi i ardhjes sot këtu, është që ne të identifikojmë pasuritë me të cilat qeverisë AKP-ja, të cilat ne mund t’i orientojmë si pasuri potenciale për investitorët strategjikë. Ne morëm një propozim shumë të dobishëm dhe të vlefshëm, me një punë që kishte bërë Agjencia e Privatizimit me identifikimin e këtyre pasurive, si pasuri minerare dhe pasurive të tjera tokësore dhe hoteliere, të cilat mendoj se janë shumë të qëlluara në këtë fazë”, tha kryeministri.

Me këtë rast, kryeministri Mustafa tha se do të organizohet një takim edhe me asociacionet e bizneseve të brendshme dhe të jashtme, me përfaqësuesit ekonomik dhe diplomatik në Kosovë dhe nga vendet tjera, si dhe me të gjitha kanalet e bizneseve në mënyrë që të bëhet një prezantim i këtyre pasurive si ofertë e parë, duke theksuar interesimin që të gjitha potencialet e fjetura ekonomike të aktivizohen në funksion të prodhimit vendor, në funksion të zhvillimit ekonomik, të zëvendësimit të importeve me eksport dhe të rritjes së potencialit eksportues të vendit.

Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Petrit Gashi u shpreh i kënaqur me vizitën e kryeministrit Mustafa.

“Patëm kënaqësinë sot që të presim kryeministrin dhe kabinetin e tij, të diskutojmë për zhvillimet në AKP gjatë vitit të fundit, por edhe t’jua prezantojmë këto potencialet kryesore që janë nën përgjegjësinë, apo nën ombrellën tonë që pastaj t’i koordinojmë punët në mënyrë që të gjejmë investitorët më potencialë që të krijojmë efekte sa më të mëdha ekonomike” tha Gashi.

Kryeministri Mustafa iu përgjigj edhe interesimit të medieve lidhur me asetet të cilat do të privatizohen si dhe për çështjen e Trepçës.

Lidhur me asetet që do të nxirren në privatizim dhe gjetjen e investitorëve strategjikë, kryeministri Mustafa u shpreh se tash për tash, këto asete të mbahen si asete potenciale.

“Ne do të zbatojmë procedurën ligjore dhe nëse lypset do të kërkojmë vendim nga Kuvendi i Kosovës, dhe në qoftë se do të kemi investitorë potencialë ne pastaj do ta marrim përgjegjësinë edhe vetë si Qeveri që t’i plotësojmë kushtet ligjore që ato t’i nxjerrim nga procesi i privatizimit, t’i kompensojmë për aq sa duhet dhe t’i japim në shfrytëzim për investitorët strategjikë. Mirëpo, tani është fjala vetëm për identifikim, por në të gjitha rastet ne do t’i zbatojmë procedurat e plota ligjore pranë Agjencionit sepse është fjala për një Agjencion të pavarur me të cilin do të kemi relacione ligjore”, tha kryeministri.

Sa i takon procesit të hartimit të studimit të fizibilitetit për Trepçën, kryeministri Mustafa tha se ky studim do të bëhet në fund të muajit prill.

Më tej, kryeministri Mustafa tha se ky studim do të tregoj se çfarë do të ndodhë me fazat përcjellëse të Trepçës, si mund të aktivizohet shkritorja e plumbit, elektroliza e zinkut, industria kimike dhe mundësisht fushat tjera, se cilat do të jenë burimet më të mira të financimit ato publike, apo të përziera publike dhe private apo do të jenë private dhe cila do të jetë periudha në të cilën duhet të aktivizohet fazat e finalizimit të produkteve të Trepçës.

“Tani mbetet që ne të procedojmë konkursin për Bordin e Trepçës, në mënyrë që pastaj të përgatitet statuti dhe të kemi përfaqësimin e rregullt në bord, në mënyrë që të sigurohet qeverisja koorporative sepse është një kompani e cila do të bazohet mbi këtë qeverisje. Mendoj se kjo është në një fazë të mirë, AKP po e bënë punën mirë dhe pati vlerësime shumë të mira edhe për Ferronikelin, që në bashkëpunim të mirë të ministrive përkatëse, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Industrisë, të Financave me AKP-në, arritëm që ta zgjidhim vitin e kaluar edhe problemin e Ferronikelit dhe të shpëtojmë 900 punëtorë që ata të vazhdojnë punën. Por, po ashtu, ta përmirësojmë sivjet edhe bilancin me jashtë, sepse në mungesë të eksportit ne patëm dëmtuar edhe GDP-në në vitin e kaluar”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat