Selmonmusaj: Oda e Afarizmit të Kosovës adresë për të gjithë sektorët e biznesit

Ekonomi

Selmonmusaj: Oda e Afarizmit të Kosovës adresë për të gjithë sektorët e biznesit

Më: 10 prill 2017 Në ora: 08:53
ilustrim

Atë që e dallon Odën e Afarizmit të Kosovës nga odat tjera është se nuk do të financohet nga qeveria, por do të jetë udhlidhëse në mes bizneseve dhe qeverisë. Do jemi zë i fuqishëm i të gjitha sektorëve të bizneseve në vend.

Kështu është shprehur Arsim Selmonmusaj, nënkryetari i odës më të re në Kosovë, asaj të Afarizmit të Kosovës.

Sipas tij, nisma për themelimin e Odës së Afarizmit të Kosovës ka ardhur si nevojë e mungesës së përkrahjes  së të bërit biznes, si nga qeveria ashtu edhe nga odat ekzistente.

Ai tha se për të ndryshuar klimën e të bërit biznes në vend, një grup biznesmenësh me ambicie shumë të qarta, janë bashkuar për themelimin e kësaj ode, e cila do të jetë adresë e të gjitha problematikave dhe vështirësive për të gjithë sektorët e biznesit.

Selmonmusaj tregoi se aktualisht janë rreth 20 biznesmenë themelues të kësaj ode, ndërsa potencoi se  për shkak të interesimit të madh, do të bëjnë edhe  zgjerim të anëtarësisë.

Ai ka theksuar se Oda e Afarizmit të Kosovës është licensuar vitin e kaluar nga Ministria e Tregtisë, ndërsa tashmë ka edhe  strukturat udhëheqëse si dhe ka bërë ndarjen e departamenteve.

“Departamentet e prodhueseve, tregtarëve dhe shërbyesve, secili do të ketë anëtarët e vet përmes të cilëve do të adresohen të gjitha problemet”, tha ai për televisionin publik.

Selmonmusaj ka bërë të ditur gjithashtu se janë në proces të konsolidimit të stafit për afirmim të bizneseve, ndërsa ka shtuar se në tre-mujorshin e parë pritet të dalin me projektet e para publike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat