Panairi Ndërkombëtar “Prishtina 2017”, mundësi e mirë promovimi

Ekonomi

Panairi Ndërkombëtar “Prishtina 2017”, mundësi e mirë promovimi

Më: 19 prill 2017 Në ora: 10:01
Pamje nga hapja e panairit “Prishtina 2017”

(E plotësuar) - Më shumë se 150 kompani nga Kosova, rajoni dhe Bashkimi Evropian që do të ekspozojnë produktet dhe shërbimet e tyre në panairin e 18-të tradicional “Prishtina 2017”.

Panairi i cili do të zgjas deri më 22 prill, u vlerësua si një mundësi e mirë për që kompanitë të depërtojnë në treg. Pjesëmarrës në panair ishte edhe një delegacion nga Kina të cilët po shihnin se çfarë produkte mund të importojnë nga Kosova në vendin e tyre.

Hapja solemne e panairit u bë nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, i cili u shpreh se përshpejtimi i procesit të liberalizimit ka një rëndësi të veçantë në fushën e zhvillimit ekonomik.

Gërxhaliu: Janë bizneset ato që përmirësojnë imazhin e Kosovës

“Ky panair është një dëshmi që Prishtina dhe Kosova janë kryeqytet i ndodhive ekonomike në Ballkanin Perëndimor në këto tri ditë… Është e vërtet që në realitetin ballkanas është e pamundur të ndahet influencat politike nga ekonomia, por sot po dëshmohet zëri i fuqisë së ekonomisë, zë që nuk ka kthim prapa. Sot një panair ku janë më shumë se 150 pjesëmarrës nga rajoni, Evropa dhe më gjerë, e dëshmon rëndësinë e zhvillimit ekonomik, gatishmërinë dhe vullnetin e ndërmarrësisë kosovare. E dëshmon edhe faktin tjetër që përkundër agjendës politike, zhvillimi ekonomik nuk ka alternativë dhe nëse dikush meriton duartrokitje jeni ju që kontribuoni për buxhet, jeni ju që punësoni, jeni ju që përshpejtoni proceset integruese dhe jeni ju që përmirësoni imazhin e Kosovës”, tha ai.

Ndërkaq, kryetarja e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Ines Muçostepa, tha se panairi i sotëm është panairi më i rëndësishmi që organizohet në Prishtinë. Ajo veç tjerash theksoi rëndësinë që ka pjesëmarrja e sa më shumë kompanive shqiptare në panaire.

Muçostepa: Do të kisha dashur që sot të ishin prezente më shumë kompani shqiptare

“Do të kisha dashur që sot të kishim më tepër kompani shqiptare, ndoshta kjo do të jetë edhe sfida jonë për vitin tjetër. Tashmë jemi duke punuar për politika Ballkanike, ku dhomat e të gjithë Ballkanit punojnë njëzëri drejt integrimit evropian… Tashmë duhet t’i imponohemi pjesës sonë të politikës për të qenë edhe ne me komisione të posaçme të ekspertëve për të përcaktuar pikërisht strategji të gjata drejt një ekonomie të përbashkët”, tha ajo.

Për ambasadorin e Francës në Kosovë, Didier Chabert, puna e mirë që po e bënë Oda Ekonomike e Kosovës është një indikator që ai të promovojë  në botë potencialin që e ka Kosova.

Chabert: Ka mundësi për investime strategjike

“Kosova ka një potencial të madh dhe kompanitë në Kosovë iu japin investitorëve të huaj mundësi për investime dhe mundësi ekonomike. Kjo është diçka që duhet të theksohet dhe është një pasuri e vlefshme për Kosovën dhe ne kemi nevojë që të vazhdojmë ta zhvillojmë këtë institucion”, tha abasadori.

Ndërkaq, suksesi i kompanive dhe biznese të Kosovës nuk shihet vetëm brenda tregut në vend. Për kompaninë “Pestova”, eksporti është një mënyrë shumë e mirë e tregtimit. Agran Halimi, menaxher për cilësi më këtë kompani, tha për KosovaPress tha se qasjen në tregun evropian e kanë arritë në saje të kualitetit të produkteve që i ofrojnë si dhe çmimeve konkurruese.

Halimi: Për t’iu qasur tregut evropian duhet të ofrohet kualitet dhe çmim konkurrues

“Kemi ekspozu produkte tona, kemi edhe 6 produkte të reja që për herë të parë janë këtu, furnizojmë tregun vendor dhe eksportojmë edhe në regjion por edhe në vendet e Bashkimit Evropian duke filluar nga Gjermania, Hungari, Rumani, Irak dhe Palestinë. Për me ju qasë tregut evropian janë dy kërkesa, e para kualiteti dhe çmimi, ne si kompani i plotësojmë dyat d.m.th kemi arrit nivelin e kualitetit të jemi baraz me ato që konsumohen në vendet e bashkimit evropian por edhe me çmim jemi të konkurrueshëme kështu që kemi arrit”, tregoi ai.

Edhe Teuta Kurshumlija, kordinatore e shitjes në “Stonecastle Vineyards”, tregoi se biznesi i tyre eksporton produktet jashtë Kosovës.

Kurshumlija: Jemi ndër venaritë më të mëdha në rajon

“Jemi të kënaqur me pjesëmarrjen tonë këtu dhe me diversitetin e të gjitha prodhimeve tjera që prezantohen prej Kosovës dhe rajonit. Jemi ndër venaritë më të mëdhaja në rajon me kapacitet të prodhimit 30 milionë litra të venës, eksport kemi në Evropë në SHBA”, u shpreh ajo.

Kurse nga kompanitë që importojnë produkte, Amarildo Shaholli nga ISOmetal, tregoi se kompania që ai përfaqëson në panair, importon produktet e saj nga Italia dhe i shet në Tiranë. Ai tha se në panair kanë ardhur për të vlerësuar interesimin që zgjojnë produktet e tyre në Kosovë, në mënyrë që të hapin një filial edhe në Prishtinë.

Shaholli: Tregu i Kosovës dhe ai i Shqipërisë janë në rritje e sipër

“Jemi një biznes nga Tirana, jemi përfaqësia e një fabrike italiane në Tiranë që merret me prodhimin e paneleve sanduiq, në Tiranë kemi rreth një vit që kemi filluar biznes dhe po mendojmë që të fillojmë një zgjerim të mëtejshëm, sidomos në tregun e Kosovës duke pas parasysh që si tregu i Shqipërisë, si i Kosovës, është një treg në rritje. Jemi në një proces rritjeje industriale, të gjitha aplikimet e këtyre produkteve kanë aplikim industrial por edhe aplikim civil si në pjesën duke nisur nga fermat, magazinat”, tha ai.

Hamit Bajraktari, menaxher i marketingut në “Essi SHPK”, tha se panairet janë mundësi e madhe për t’u qasur në treg.

Bajraktari: Panairi i Përgjithshëm mundësi e mirë promovimi

“Ne marrim pjesë në këtë panair për herë të parë, kemi marrë pjesë edhe në panaire të ndryshme të tjera që janë kategori e përafërt, mirëpo, e kemi pa si mundësi ndër më të mëdhajat që ekzistojnë në Kosovë që me u promovu. Normalisht produktet tona i kemi prodhim në Kosovë, vijnë si lëndë e parë nga shtetet për kafe d.m.th kafja vjen prej Brazilit, ndërsa, qaji vjen prej Sirilandës” tha ai. Ndryshe, në panair vërehej një frymë e mirë e të bërit biznes dhe vizitorë të ndryshëm kishin ardhur që të shihnin promovimet e produkteve dhe shërbimeve që kishin sjellur bizneset.

U hap panairi ndërkombëtar “Prishtina 2017”

Në Kosovë është arritur ngritje e zhvillimit ekonomik, edhe pse akoma në këtë fushë duhet punuar që të arrihen rezultate të kënaqshme, u tha në hapje të panairit ndërkombëtar “Prishtina 2017”.

Organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe me mbështetje të Qeverisë së Kosovës, të mërkurën në Qendrën e Panaireve në fshatin Shkabaj është hapur Panairi i 18-të i Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2017”

Safet Gërxhaliu nga Oda Ekonomike e Kosovës, tha se në këtë panair po marrin pjesë 105 pjesëmarrës nga rajoni dhe bota.

“Edhe pse është vështirë të ndahet politika nga ekonomia, megjithatë kjo prani e vendeve të tjera tregon se zhvillimi ekonomik po e gjen rrugën e tij në mënyrë sa më të pavarur”, tha ai.

Gërxhaliu ka thënë se panairi ka rëndësi ekonomike dhe për promovimin e prodhimeve, dhe ka kërkuar që për ekonominë duhet bërë më shumë se sa të flitet.

Ai bëri thirrje të ndahet shteti nga pushteti në mënyrë të atillë që të lihet anash përfitimi prej grupeve, si dhe dëshirat për karrierë.

Ndërkaq, Ines Muçostepa nga Shqipëria, tha se për vitin tjetër, në panairin e radhës do të angazhohen që të sjellin sa më shumë biznese shqiptare.

Me një fjalë rasti u paraqit edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili potencoi rëndësinë që kanë investimet në ekonomi.

“T'i përkrahim bizneset në Kosovë. I ftoj edhe institucionet e Kosovës të ndihmojnë njerëzit e biznesit, sepse ata dinë të krijojnë vende pune. Ia kemi borxh Kosovës”, tha Bahtiri.

Në panair pjesëmarrës ishte edhe një delegacion nga Kina, për t’u njohur më afër me prodhimet “Made in Kosova”.

Image
“Prishtina 2017” bën bashkë 150 biznese

Oda Ekonomike e Kosovës në orën 11:00 hap Panairin e Përgjithshëm Ndërkombëtarë “Prishtina 2017”.

Ky është edicioni i 18 deri sa e veçanta e tij sipas përfaqësuesit të OEK-ut Mehdi Kika është se pjesëmarrës do të jetë 150 biznese vendore e ndërkombëtare.

Ky është panairi më i madh i organizuar ndonjëherë marrë parasysh numrin e bizneseve pjesëmarrëse.

Kika ka thënë për median se pritjet janë që në Qendren e Panaireve në Shkabaj të kenë rreth 12 mijë e 500 vizitorë.

Madje për dërgimin e tyre në Qendrën ku mbahet panairi OEK-u siguron edhe transportin.

Sipas Kikës autobusët që dërgojnë në Shkabaj do të jenë në qytet çdo 30 minuta.

Panairi do të jetë i hapur nga ora 9 e 30 deri në 16:00 deri në ditën e shtunë.

Ai mbështetet nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e Zhvillimit Ekonomik dhe ajo e Financave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat