Hoti dhe zyrtarët e Bankës Botërore flasin për strategjinë e re të BB-së për Kosovë

Ekonomi

Hoti dhe zyrtarët e Bankës Botërore flasin për strategjinë e re të BB-së për Kosovë

Më: 22 prill 2017 Në ora: 10:10
Takimi i Hotit me zyrtarët e Bankës Botërore

Ministri i Financave Avdullah Hoti së bashku me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza dhe ekipin përcjellës në takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, u takua me zëvendëspresidentin e Bankës Botërore Cyril Muller, drejtorin Ekzekutiv të Bankës Botërore Franciscus Godts, dhe drejtoreshën për Ballkan Perëndimor Ellen Goldstein.

Në këto takime u diskutua për zhvillimet e fundit ekonomike në Kosovë, progresin në implementimin e projekteve të financuara nga Banka Botërore, si dhe për financimin e projekteve të reja.

Sipas një komunikate të MF-së, përfaqësuesit e Bankës Botërore falënderuan ministrin Avdullah Hoti për bashkëpunimin dhe u zotuan për mbështetje të mëtutjeshme të projekteve me interes publik në Kosovë, të cilat projekte tani më janë aprovuar nga Qeveria e Kosovës, si pjesë e listës së projekteve për financim përmes Klauzolës për Investime.

“Në këto takime u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në sektorin e energjisë, duke përfshirë edhe zhvillimet për projektin "Kosova e Re", për çka Banka Botërore ri-konfirmoi zotimin e tyre për përkrahjen e këtij projekti me rëndësi. Po ashtu, u diskutua edhe për strategjinë e re të Bankës Botërore për Kosovë, në të cilën strategji reflektohen prioroitetet e Qeverisë së Kosovës. Me këtë rast, u bë e ditur se Ministria e Financave ka dërguar komentet në draftin e këtij dokumenti tek Banka Botërore, dhe pritet që këto komente të integrohen në draftin final. Delegacioni i Republikës së Kosovës po ashtu morri pjesë edhe në takimet e Konstituencave, anëtare e të cilave është edhe Kosova,  ku u diskutuan raportet e ndryshme zhvillimore në Fondin Ndërkombëtar Monetar dhe në Bankën Botërore”, thuhet në komunikatë.

Të dyja palët u pajtuan që në muajin e ardhshëm të organizojnë një tryezë në Prishtinë, me organizatat e shoqërisë civile për të promovuar mundësitë që kanë OJQ-të në Kosovë për qasje në fonde të Bankës Botërore, pas letrës që ka dërguar Ministri Avdullah Hoti në Bankë Botërore lidhur me "Global Partnership For Social Accountability".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat