FMN : Kosova i ka përmbushur të gjitha caqet fiskale për fundin e muajit mars

Ekonomi

FMN : Kosova i ka përmbushur të gjitha caqet fiskale për fundin e muajit mars

Nga: H. Orana Më: 26 prill 2017 Në ora: 18:50
Avdullah Hoti, Ruud Vermeulen dhe Bedri Hamza

Autoritetet e Kosovës kanë mbajtur diskutim me stafin dhe menazhmentin e lartë të FMN-së në Uashington gjatë takimeve pranverore 2017. Kështu u bë e ditur në Konferencën për Media të Ministrit të Financave Avdullah Hoti, përfaqësuesit Rezident të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë Ruud Vermeulen, si dhe guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës Bedri Hamza, në lidhje me pjesëmarrjen e delegacionit të Republikës së Kosovës në takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Diskutimet kishin në fokus performancën e programit dhe masat e nevojshme për të siguruar përmbyllje të suksesshme të programit.

Gjatë kësaj konference, ministri i Financave Avdullah Hoti theksoi se është shumë optimist për përmbylljen me sukses të Programit me FMN-në dhe gjithashtu për mbështetjen që do të marr Kosova nga Banka Botërore për 5 vitet e ardhshme.

Ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se gjatë takimeve pranverore me stafin dhe menaxhmentin e lartë të FMN-së në Uashington, kemi diskutuar për tri çështje kryesore, e para për programin ekzistues i cili duhet të mbarojë gjatë muajve të verës, e dyta ideja për një program të ri me FMN-në, si dhe çështja e tretë Pakoja e dytë fiskale.

Sa i përket çështjes së programit me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se “ Siç e dini ne e kemi përfunduar me shumë sukses rishikimin e dytë dhe të tretë të këtij programi, dhe si rezultat janë disbursuar mjetet prej 100 milionë euro në buxhetin e shtetit”.

“Kemi arritur të plotësojmë të gjitha kushtet e nevojshme për rishikim e dytë dhe të tretë, sa i përket bilancit bankar, shpenzimeve rrjedhëse, deficitit buxhetor dhe kriteret të tjera që parashihen në program. Dhe kjo normalisht ka ardhur si rezultat i performancës shumë të mirë ekonomike që kemi pasur në vend, sa i përket të hyrave dhe menaxhimit të rregullt të shpenzimeve. Të gjitha institucionet, Qeveria, Ministritë e ndryshme, Parlamenti i Kosovës, Agjenci të pavarura, e kanë kryer punën e tyre për sa i përket përmbushjes së kritereve të Programit me FMN-në, për të cilat dëshiroj t’i falënderoj shumë sinqerisht ”, shtoi Ministri Hoti.

Ai gjithashtu theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës pret që edhe rishikimin e katërt të programit me FMN-në ta përfundojmë me sukses, i cili do të duhet të ndodhë gjatë muajve të verës.

“Janë dy kushte specifike për të përmbyllur me sukses Programin me Fondin Monetar Ndërkombëtar, e para është Ri-klasifikimi i Veteranëve të Luftës në përputhje me Ligjin që është amandamentuar në dhjetor të vitit të kaluar. Unë besoj se kjo punë duhet të fillojë sa më shpejtë për shkak se kushti i FMN-së është që të kryhet deri në fund të muajit maj. Dhe kushti i dytë është Amandamentimi i Ligjit për Invalidët e Luftës, me që rast do të barazohet shkalla e invaliditetit të veteranëve të luftës me shkallën e invaliditetit të qytetarëve të tjerë. Por, me një diferencë të konsiderueshme në pensione që marrin invalidët e luftës duke e marrë një pension dukshëm më të lartë sesa qytetarët e tjerë të kësaj kategorie” shtoi Ministri Hoti.

Ndërsa, sa i përket çështjes së idesë për një program të ri me FMN-në, pasi që të përmbyllet me sukses programi ekzistues, ministri Avdullah Hoti tha se “Qëllimi i këtij programi është të mbajmë rezultatet shumë të mira që kemi arritur deri më tash në zhvillimin ekonomik, në performancën e të hyrave, në menaxhimin e bilancit bankar, deficitin buxhetor dhe çështje të tjera dhe në veçanti të koncentrohemi në rishikimin e skemave sociale dhe skemave pensionale, të cilat absorbojnë diku 1/3 të pjesës koherente të shpenzimeve buxhetore. Edhe këto dëshirojmë që ti rregullojmë ashtu siç i kemi rregulluar shpenzimet të tjera koherente, siç janë pagat apo shpenzimet e tjera”.

Sa i përket çështjes së tretë e cila është diskutuar me FMN-në, ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se “Çështja e tretë që kemi diskutuar me FMN-në është Pakoja e dytë fiskale, e cila është diskutuar gjerësisht me biznesin dhe me shoqërinë në përgjithësi”.

“Unë me kënaqësi e them që në pikat më të mëdha të kësaj pako fiskale, ne kemi një qëndrim të përbashkët me FMN-në. Në nivele teknike jemi duke punuar për ti përafruar qëndrimet në dy – tri çështje për të cilat FMN-ja ka disa opinione që mund të adresohen të njëjta si objektivë por me një qasje pak më të ndryshme për të ruajtur integritetin e sistemit tatimor që ka vendi ynë. Besoj që në ditët e ardhshme do ti dakordojmë edhe këto çështje me FMN-në, në mënyrë që Qeveria e Republikës së Kosovës të ecë përpara me aprovimin e kësaj pako dhe pastaj edhe fuqizimin një nga një të masave të pakos fiskale. Me aprovimin e kësaj pako dhe pastaj edhe fuqizimin një nga një të masave të pakos fiskale”, shtoi Ministri Hoti.

Ministri Avdullah Hoti theksoi gjithashtu se përveç, takimeve me FMN-në kanë pasur takime të ngjeshura edhe me Bankën Botërore me nivele të larta të Menaxhmentit të Bankës Botërore.

“Dëshiroj që të përmendi dy çështje specifike të cilat i kemi diskutuar me Bankën Botërore: E para është Strategjia e re për Kosovën, Korniza e re strategjike që Banka Botërore së shpejti do ta aprovoj në organet e saj për Kosovën për 5 vitet e ardhshme, ku parashihet një mbështetje 240 milionë dollarë amerikan për Kosovën në kuadër të kësaj pakoje dhe pastaj është një pjesë e konsiderueshme që vjen nga Korporata Financiare Ndërkombëtare, që është në shumën 60 milionë dollarë që i jepet Kosovës për mes mbështetjes së sektorit privat. Ne e kemi një portfolio shumë të shëndoshë me Bankën Botërore sa i përket efekteve të projekteve që i financon Banka Botërore dhe në shlyerjen rregullt të obligimeve që kemi si Qeveri karshi Bankës Botërore”, shtoi Ministri Hoti.

Ai gjithashtu bëri të ditur se çështja e dytë që është diskutuar me Bankën Botërore është projekti i “Kosovës C”.

“Ne po presim që sapo Ministria e Zhvillimit Ekonomik të përmbyllë disa detyrime që i ka në përgatitjen e marrëveshjeve të ndryshme komerciale me kompaninë që është shpallur fituese, dhe në përmbushjen e kushteve të tjera teknike sa i përket studimeve të ndryshmeve të fizibilitetit për miniera dhe çështje të tjera, Banka Botërore është e gatshme që të mbështes këtë projekt shumë të rëndësishëm për stabilitetin energjetik të Kosovës”, shtoi Ministri Hoti./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat