Situata politike rritë ngecjen në ekonomi

Ekonomi

Situata politike rritë ngecjen në ekonomi

Më: 14 maj 2017 Në ora: 15:35
Prishtinë

Rrëzimi i Qeverisë dhe zvarritja e implementimit të pakos fiskale 2 që ishte premtuar në janar dhe asnjëherë nuk u bë e ditur në tërësi se si do të duket, është duke vazhduar ta dëmtojë rëndë ekonominë e vendit, e cila edhe ashtu është në nivelin më të ultë në rajon.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, në një intervistë për KosovaPress u shpreh se në mënyrë të pakontestueshme pakoja fiskale 1 ka pasur përmirësim sa i përket krijimit të bizneseve, ndërkohë që përgatitjet për zbatimin e pakos fiskale 2, edhe pse janë finalizuar do të shtyhen deri në themelimin e Qeverisë së re.

Hoti: Pako fiskale 2 shtyhet deri në themelimin e Qeverisë së re

“Po ne kemi bërë të gjitha përgatitjet për ta zbatuar pakon fiskale 2. Mua më vjen keq që do të shtyhet për disa javë ose muaj, deri sa të themelohen edhe një herë institucionet e vendit pas zgjedhjeve të 11 qershorit”, tha ai.

Ndërkohë që  rrëzimi i Qeverisë, sipas tij, do të ngadalësojë proceset ekonomike në vend, por shpreson në krijimin e shpet të një Qeverie të re, në mënyrë që të tejkalohen këto probleme.

Hoti: Në dy vitet e fundit ka pasur shumë të punësuar

“Unë besoj që do i ngadalësoj pak proceset në ekonomi, në fusha të ndryshme por besoj që trendi që është vendosur gjatë këtyre dy viteve në shumicën e fushave nuk ka kthim prapa edhe tek rritja e punësimit sepse kemi parë në këto dy vite rreth 40.000 veta më shumë të punësuar në sektorin formal, pra njerëz që paguajnë taksa dhe që paguajnë kontribute pensionale në trustin pensional  dhe po aq janë në sektorin joformal. Kemi pas një rritje të prodhimit vendor, një rrije të përgjithshme ekonomike në vend dhe besoj që ky trend do të vazhdoj kështu”, deklaroi ai.

Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka treguar se mund të ketë ngecje në zhvillimin ekonomik sipas gjendjes aktuale politike, por kjo është koha kur duhet të ndahet ekonomia nga politika dhe se pushteti duhet të jetë në funksion të forcimit të shtetit dhe jo gjithmonë të mbrohen interesat në fusha të partive politike.

Gerxhaliu: Të ndahet ekonomia nga politika

 “Definitivisht duhet të kuptohet që është koha kur duhet të ndahet ekonomia nga politika. Është e vërtetë që pasojat e kësaj ndërhyrje politike duhet të jenë evidente në ekonominë kosovare. E para, kemi pas një sukses shumë të madh të pakos 1 fiskale dhe kemi vazhdu në pakon e dytë fiskale dhe tani pothuajse i takon të kaluarës, duhet të stopohet një proces i tillë. E dyta procesi i privatizimit, qoftë në Brezovicës, qoftë studimi i fizibilitetit për Trepçën, qoftë Kosova, që prapë do të përjetojnë stagnim dhe ajo çka është më interesante, një qasje e tillë duhet të ketë ndikim direkt në imazhin e Kosovës dhe në demotivimin e investitorëve të huaj që të ia mësyjnë Kosovës”, tregoi ai.

Pronari i fabrikës së përpunimit të mishit “Meka”, Burim Piraj tregon se rrëzimi i Qeverisë po ka ndikim të drejtpërdrejtë në bizneset vendore, veçanërisht mosfunksionalizimi i pakos fiskale 2.

Piraj u shpreh se çdo vonese mund të jetë e dëmshme për bizneset vendore.

Piraj: Çdo vonesë mund të jetë e dëmshme për ekonominë e Kosovës

“Ne si biznes dhe si ekonomi kemi pritur se pako fiskale 2 do të plot-fuqizohet shumë më shpejt se që ka ndodhur, në pritje të plot-fuqizimit të pakos fiskale 2 ndodhi kjo që ndodhi. Mendojmë se nga aspekti ekonomik kjo nuk ka qenë një ngjarje e mirë, pasi që ekonomia ka shumë nevojë, jashtëzakonisht shumë të madhe, sidomos ndërmarrjet prodhuese kanë nevojë jashtëzakonisht shumë të madhe për pakon fiskale 2 dhe mendoj se pa marrë parasysh që ka ndodhur kjo, pakoja fiskale 2 duhet të plot-fuqizohet, duhet të futet në zbatim sepse ndikimi i saj është shumë i madh. Kompanitë prodhuese janë lodhur nga pagesa e taksave të vazhdueshme dhe konkurrenca e padrejtë në vendin tonë. Një ndryshim i tillë ka qenë i nevojshëm shumë vite më parë, mos të them që nga ndryshimi i TVSH-së, ose nga futja e Kosovës në CEFTA, ajo që shkaktoj më shumë dëm, prandaj çdo vonesë është shumë fatale për ekonominë e cila ka filluar të ripërtrihet. Pjesa e dytë e anës negative është se pa pakon fiskale 2 nuk pres se do të ketë investime të huaja të drejtpërdrejta. Derisa Kosova nuk bëhet pjesë e investimeve të huaja të drejtpërdrejta sikur që janë vendet e rajonit, do të ketë ngecje ekonomike. Çdo vonesë do të jetë shumë e dëmshme për ekonominë e Kosovës. Nëse me të vërtetë e duam vendin tonë dhe duam ta zhvillojmë, kjo pako duhet të futet sa më parë në zbatim” potencoi ai.

Pakoja fiskale 2 e cila nuk është prezantuar asnjëherë në tërësi, është thënë nga Qeveria se përmban masat më të rëndësishme për fuqizimin e kompanive vendore për të krijuar biznese dhe është konsideruar si opsioni më ideal për zhvillimin e ekonomisë së tanishme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat